Ish–Kryeministri Berisha paralajmëroi dje Ramën në Parlament që të heqë dorë nga kërcënimet e BE, duke deklaruar se Rama mund të përfundojë në llumin e plehrave të historisë, por jo Shqipëria tek Putin apo tek ISIS.
“Ke bërë një kërcënim të turpshëm. Hiq dorë nga kërcënimi i Europës se Shqipëria mund të bjerë në kthetrat e ISIS apo Putinit. Ti mund të përfundosh në llumin e plehrave të historisë, por Shqipëria nuk lëkundet kurrë nga rruga europiane e saj. U përpoq Enver Hoxha dhe shkoi atje ku e meritonte, do të shkosh dhe ti atje ku e meriton.
Mos e trash këtë bisedë sepse mund të marrësh siç mori tjetërkush kartonin e kuq, mos mendo se me kërcënime gjynjëzon Europën. Europa vërtet sot është e bazuar në filozofinë e Kantit, filozofinë e paqes, por sot ajo është më e fortë se kurrë. Ata që njohin Europën e dinë se më të fortë se ajo në rrafshin ekonomik, ushtarak nuk ka. Ka probleme të brendshme si union, por ajo në konjukturë dhe në aleancë s’ka qenë kurrë kaq e fuqishme. Prandaj lëri ato dëngla ti, na flet për faktorë të tretë, bën sajesa të një psikologjie të sëmurë”, tha Berisha.
Ish-Kryeministri deklaroi në Parlament se Bashkimi Europian nuk do të hapë negociata me Ramën, ndërsa e konsideroi dramatik dështimin me negociata.
“Dramatik është dështimi i plotë për hapjen e negociatave me BE. Është ky dështim i tmerrshëm që lëndon në shpirt, lëndon në ëndërr e vizion, lëndon në shpresë e besim çdo qytetar shqiptar. Dhe unë ja u them se gjatë këtyre 3 viteve Shqipëria kishte çdo potencial për të përparuar, për të pas shënuar progres të ndjeshëm në kapitujt e parë të negociatave, kishte çdo shans dhe çdo mundësi, çdo predispozitë se kemi ngelur gazi i dheut, të fundit e fundit. Por këto shanse i shkelmoi me shkallën më të lartë të papërgjegjshmërisë Edi Rama”.
Pse nuk u hapën negociatat?
Ish-Kryeministri shpjegoi para Parlamentit arsyet se përse BE nuk do të hapë negociatat në dhjetor. “Shkaku më themelor ta dini ju është varrosja e konsensusit nga Edi Rama. Zonja që e priti ja tha në fytyrë para kombit gjerman dhe kombit shqiptar se, marrëdhëniet politike brenda vendit dhe fryma e konsensusit duhet të ishin garancia absolute për hapjen e negociatave. Po pse? Sepse këta njerëz që merren vesh për këto probleme, po t’i ndihmojmë këta performojnë, pra këta kanë një shpirt edhe të na dëgjojnë edhe të ecin. Shkaku themelor është ky. Lexoni pak raportin se çfarë thotë. Dëgjoni çfarë tha përfaqësuesja e Komisionit Europian në PE. Me fjalë të tjera tha atë që po them unë. Ata, tha, bënë një gjë shumë të madhe me votimin së bashku të neneve të Kushtetutës. Dhe kjo ishte arsyeja kryesore se përse Shqipërisë nuk iu tha se s’kemi punë me ty, por iu tha se do të shohim më vonë kur të hapen negociatat.
Arsyeja tjetër, arsyeja e dytë e madhe jua them unë, është krimi. Dhe dijeni mirë, se janë jo një, por disa ministri të Brendshme të vendeve anëtare të BE që kanë nxjerrë kartonin e kuq. Juve ju rroftë Sajmir Tahiri! Mbajeni, ta keni me shëndet! Por këtë që ju them unë ta dini mirë. Janë jo një, por disa vende anëtare të BE që nuk janë dakord para së gjithash dhe mbi të gjitha se janë të lemerisura nga krimi në Shqipëri.
Dijeni mirë se krimi përbën një shqetësim më kryesor, se ka të bëjë me sigurinë e tyre. Për njeriun e civilizuar siguria është e para. Natyrisht këta nuk ja u thonë juve këto o qytetarë. Përkundrazi, këta ju thonë ‘i hapëm negociatat’ thonë. Po a ka pafytyrësi më të madhe se kjo?! Në një kohë kur del se duhet një raport tjetër për të na dhënë dritën jeshile për të hapur negociatat. Pra, krimi është arsyeja dytë”.
Bushati kërkon negociatat si Serbia
Berisha ka bërë transparencën edhe të mënyrës se si Rama ka trokitur në kancelaritë e Europës për të kërkuar hapjen e negociatave. “Ky dërgoi Bushatin në të gjitha kancelaritë me kërkesën na jepni atë që i dhatë Serbisë, përgjigjja ishte kartoni i kuq. Sepse vërtet Serbisë ja dhanë me kërkesën, të cilën Rama punoi dy muaj rresht me të gjithë forcën dhe nuk ja dhanë. Po pse? Sepse Vuçiçit i besonin dhe këtij nuk i besonin. Kërcen nga halli dhe sevdaja, por e vërteta kjo është: atij ia dhanë dhe ty s’ta dhanë. Kishte dhe një tjetër mundësi dhe uroj të na e japin. Mundësia tjetër ishte ajo që bëre ti më 2012 kur bllokove tre ligjet. Kur ky bllokoi tre ligjet, Komisioni Europian deklaroi se nëse ligjet do të votoheshin deri më datën 20 nëntor, ata do të dorëzonin raportin me rekomandimin për dhënien e statusit. Nuk u bë. Komisioni tha se jemi të gatshëm që në mars, nëse i votoni të bëjmë një raport të dytë. Vodhi CEZ-in me Fylen e nuk u bë. Këtë po kërkon tani. Këtë ja u tha ministrja e Integrimit, znj. Gjosha. Ne po kërkojmë tha, që të bindim Komisionin që të bëjë një raport të dytë.
Me Edi Ramën, doni mashtrim keni mashtrime, integrim nuk ka në mënyrë absolute. Mund të gjesh një eskimez në shkretëtirë, por s’mund ta bindësh atë të heqë dorë nga vjedhjet e pasurisë publike, s’mund të bindësh Ramën të mos groposë konsensusin, s’mund të bindësh Ramën të heqë dorë nga krimi. Nuk ka integrim me Edi Ramën. Ka vetëm vendnumëro dhe mashtrim. Dhe unë u bëj thirrje qytetarëve të ndalen në këtë moment kyç. Vërtet BE është në vështirësi serioze, por ato s’mund të na bëjnë ne të lëkundemi në rrugën dhe besimin tonë drejt anëtarësimit të plotë në BE si e ardhmja më e shkëlqyer e jona dhe e fëmijëve tanë!”, tha Berisha.
Zgjedhjet, kusht i qartë i BE dhe Gjermanisë
Ish-Kryeministri Berisha shprehu dje mirënjohje për Kancelaren gjermane Merkel, e cila në prani të Ramës i kujtoi atij kushtin e zgjedhjeve për hapjen e negociatave.
“Përshëndes përzemërsisht Kancelaren Merkel, e cila u ndal tek zgjedhjet dhe kushtet e përcaktuara nga Komisioni si të domosdoshme. Theksoj këtu se asnjëherë dhe kurrë ndonjëherë s’i kam thënë, s’i them e s’do i them njeriu që mos hapë negociatat me Shqipërinë.
Me vendosmërinë më të madhe dhe asnjeri, as ka për të gjetur kurrë njeri që të thotë ‘më tha Sali Berisha …’. Por duhet të jesh budalla, të jesh i pamend të ngrihesh dhe të thuash se zgjedhjet s’janë kusht, po zgjedhjet janë kusht more, janë kusht për çdo vend. Fakti që ti reagon në këtë mënyrë, ti diskrediton veten tënde. Ne s’kemi zgjedhje të përsosura, po njeriu zotohet: hajde bëjmë zgjedhje të mira dhe hapim negociatat. Kurse ky vrapon i tmerruar, nuk u përmendën zgjedhjet thotë, kur ia përmendi zonja kryesore e Evropës.
Lidhur me debatin e hapur Bundestag-Kancelari, kjo është një fantazi e sëmurë e Edi Ramës. Një gjë të dinë shqiptarët. Gjykata Kushtetuese gjermane, me vendim të formës së prerë detyron qeverinë, detyron gruan më të fuqishme të botës sot dhe ajo është e Gjermanisë po në botë s’ka ndonjë tjetër në atë nivel fuqie, që para se të japë zotimin për probleme integrimi apo negociatash, të marrë mendimin, votimi është më vonë, por të marrë mendimin e Bundestagut.
Zotëria, në vend se të përpiqet që t’i sheshojë këto gjëra, del dhe sulmon si paranojak një nga figurat kyçe të Bundestagut për këtë çështje, i cili i shkoi në zyrë dhe ia tha të gjitha.
Dhe në vend se të ulej për të punuar bashkërisht, e quajti fletë rrufe dokumentin që ai i paraqiti, tha se ishte shkruajtur nga opozita, se ato ishin mendime personale, duke faktuar se nuk ka njohuritë më elementare se si funksionon ai shtet.
Ata që nuk e dinë le ta mësojnë. Bundestagu gjerman ka një peshë shumë të madhe. Dhe për të kuptuar këtë peshë ju them se nga viti 2012 deri sot, ka dërguar për këtë qëllim, hetimin e progresit të integrimit, ka dërguar 10 misione faktmbledhëse”, tha Berisha.
Problemi i njerëzve me probleme psikike në qeveri
Raporti i KE është i qartë si drita e diellit dhe atë raport ja kanë lexuar në zyrë si duhet shokut Edi Rama. Por unë dua të them se nëse raporti nxjerr prioritet më të parin Vettingun, të cilin e bllokoi zotëria, nuk mohon në asnjë rast asnjë nga prioritetet e caktuara. Dhe pikërisht se nuk i mohon, Kancelarja Merkel në konferencën e shtypit dha mesazhin se nuk po e lexon si duhet raportin, pesë prioritetet dhe zgjedhjet.
T’ju bëj një rrëfim. Edi Ramës, Ilir Metës, Lulzim Bashës, për hir të së vërtetës edhe mua më kanë informuar diplomatët se ekziston një marrëveshje, të cilin ky e ka shkelur për votimin e 7 ligjeve në Parlament. Ia kanë thënë këtij, ja kanë thënë kryetarit të Parlamentit, ia kanë nxjerrë marrëveshjen, dokumentin, ma kanë thënë edhe mua, ua kanë qarkulluar të gjithë faktorëve të interesuar. Por Rama shkeli marrëveshjen se donte me çdo kusht ta kapte drejtësinë. Harron se shkaku më kryesor është varrosja e konsensusit nga ana e këtij. Të tjerat janë shumë të rëndësishme, por në prani të konsensusit, vetë konsensusi është garancia më e madhe për përmbushjen e tyre. Zotëria shkeli marrëveshjen dhe tani mendon …Dhe unë u bëj thirrje atyre që e disponojnë marrëveshjen t’ia tregojnë shqiptarëve se kanë detyrime për t’ja u thënë publikut këtë, për arsye se keni bërë shumë deklarata dhe kjo është transparencë. Dhe qytetarët shqiptarë të interesuar për reformën duhet ta dinë këtë. Rama ka shkelur marrëveshjen për votimin konsensual të ligjeve. Pse e shkeli? E shkeli me qëllimin e vetëm që të kapë drejtësinë, atë që s’e bëri dot me Kushtetutë, ta bëjë me ligje të tjera.
I pashë miqtë unë, po ishin 15, i falënderoj, mirëpo Brukseli është një kopsht me 27 çelësa dhe me nja 2-3 kryeçelësa. Për t’i hapur dyert, në Bruksel duhet të bindësh 27 çelësmbajtësit dhe nja 2-3 kryesorë, kryeçelësmbajtësit. Mjaftojnë 2 ose 3 për të të bllokuar. Tani ti, duke organizuar një mëngjes pune do të mbulosh dështimin tënd? Dështimi yt është ekzemplar. Në këto 25 vite nuk ka patur ndonjëherë ministër më dështak.
Përmende këtu marrëdhëniet. Po kur kanë qenë marrëdhëniet me Kosovën në këtë situatë që janë sot. Ju i çuat marrëdhëniet aty. Sepse Rama donte të dilte lider i gjithë shqiptarëve në një kohë kur është përçarës i të gjithë shqiptarëve. Përmende marrëdhëniet me Greqinë. Nëse ti bën çështje midis teje dhe Vangjel Dules marrëdhëniet me Greqinë, ti tregon se je një hiç në rrafshin politik, je një copë hiçi. Unë nuk merrem se ku qëndrojnë apo ku nuk qëndrojnë problemet, por një gjë është e sigurtë që ato as nuk i ka krijuar Vangjeli e as nuk i zgjidh dot me Vangjelin. Ato zgjidhen siç zgjidhen marrëveshjet midis vendeve demokratike që kërkojnë të bëjnë një fqinjësi të mirë. Se harrove ti kur i çoje Alexit mesazhe me Vuçiçin në krah. Po Greqia pavarësisht nga problemet është një partner 20-vjeçar që ka mbështetur Shqipërinë në rrugën e integrimit në NATO, në integrimin në BE, ka probleme po natyrisht ato probleme diskutohen dhe debatohen.
Pra, nuk i keni nga unë këto, por i keni katandisur vetë marrëdhëniet në këtë stad. Kur arritët të fusni pyka edhe në marrëdhëniet me Kosovën, ju qofshi. Por, dua t’i them Ramës se të gjitha këto janë shprehje të një karakteri pervers personal të tij. U them qytetarëve që në histori, ka ndodhur rëndom që të sëmurë me probleme psikike të hipin në postet më të larta. Nuk jemi ne të parët. Por problemi është këtu, se këta njerëz kanë një problem të madh. Këta nuk njohin keqardhje, nuk njohin mirënjohje, nuk njohin pendesë. Por këta gjithçka bëjnë ndaj dhe ky s’korrigjohet. Po pse ç’mendon ti se bën opozita këtu? Mendon se do të të lejojë ty të gënjesh nga mëngjesi deri në darkë se u hapën negociatat dhe pastaj t’u thuash jo po do të dalë dhe një raport tjetër. Sigurisht shqiptarët do të flasin, po me ty negociata nuk hapen.