Ndryshe nga sa u tha nëpër media, takimi i sotëm 45 minutësh i kryeministrit Rama me kreun e Kuvendit Ilir Meta, nuk ka qenë edhe aq i fokusuar për çështjen “Manjani”. Për të dy, kjo histori tashmë konsiderohet e mbyllur. Çështja e madhe që ju ka ngelur zvarrë dhe ku duket se nuk po dakortësohen është ajo, për ligjin e importit të mbetjeve. Rama po përdor çdo mënyrë edhe të jashtëligjshme, që ta shtyjë sa më shumë hedhjen në votim deri sa të bindë Ilir Metën për votat. Por ky i fundit vazhdon të “mendohet”, edhe pse afatet ligjore janë shkelur me të dyja këmbët. Burime zyrtare nga Kuvendi kanë pranuar, se ndryshimet në ligjin për importin e mbetjeve nuk do të votohet në seancën e së enjtes në Kuvend, ndryshe nga sa ishte parashikuar. Sipas tyre, kjo po ndodh jo për faj të tyre, por të Komisionit për Veprimtarinë Prodhuese me kryetar lobuesin kryesor të këtij ligji të rrëzuar nga presidenti, Eduart Shalsi. Sipas rregullores së Kuvendit, Komisioni për Veprimtaritë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin, drejtuar nga deputeti socialist Eduart Shalsi, duhet të kishte diskutuar dhe votuar ligjin ditën e djeshme ose të sotme, e më pas ta kalonte atë për votim në Kuvend. Por për arsye ende të panjohura, ky komision nuk është mbledhur dy ditët e fundit. Për rrjedhojë, diskutimi dhe votimi i ligjit të importit të plehrave nuk është përfshirë në rendin e ditës së seancës parlamentare që do zhvillohet nesër. Ligji, i shumëdiskutuar dhe kundërshtuar, për importin e mbetjeve u miratua në Kuvend më 22 shtator 2016, por ai nuk u dekretua nga Presidenti Nishani. Ky i fundit e riktheu ligjin në Parlament që më 14 tetor të vitit 2016, por që atëherë ai është bllokuar në komisionin e drejtuar nga Shalsi dhe në mënyrë të kundra ligjshme, nuk po çohet në seancë plenare për votim. Komisioni për Veprimtaritë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin ka shkelur të gjitha procedurat e parashikuara nga ligji dhe afatet e ridiskutimit të dekretit. Aleanca Kundër Importit të Plehrave (AKIP) më datë 11 janar i ka shprehur shqetësimin kryetarit të Kuvendit Ilir Meta për “shmangien” që Komisioni parlamentar për Mjedisin po i bën dekretit të Presidentit për kthimin e ligjit të plehrave. AKIP, me anë të një letre, shprehet se Komisioni për Veprimtaritë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin po shkel procedurat e parashikuara nga ligji dhe afatet e ridiskutimit të dekretit. Sipas ligjit, kur Presidenti kthen një ligj në Kuvend, kryetari i Kuvendit e kalon menjëherë atë për shqyrtim në komisionin përgjegjës që e ka shqyrtuar fillimisht dhe ky i fundit, duhet të kthejë përgjigje brenda 8 javëve. Por Shalsi vazhdon të refuzojë të kryejë detyrën e tij, duke e futur punën e Kuvendit për këtë çështje në një proces të jashtëligjshëm.
SYRI.net