Ermal XHELILAJ
Pavarësisht problematikave madhore që kanë karakterizuar tranzicionin e komplikuar demokratik të shtetit shqiptar lidhur me shtetin e të drejtës, ekonominë, sistemin demokratik, standartet e zgjedhjeve apo integrimin euro-atlantik, deklaratat pro-Rama të një zyrtari kontroversal e nacionalist serb si Vuçiç, në kontekstin e situatës së vështirë politike që po përjeton vendi, reflektojnë një konotacion negativ jashtë konceptit normal politik lidhur me të ardhmen dhe orientimin Europian të Shqipërisë.
Qendrimi zyrtar i Vuçiç, qartazi një mbështetje elektorale për Ramën, është një indikator që pasqyron projeksionin se si një shtet si Serbia që të tashmen e të ardhmen e tij e mbështet në politika pro-ruse, në një kurs të mundshëm përplasjeje me NATO si dhe në luftën konstante politiko-diplomatike kundër shtetësisë së Kosovës, pra kundër interesave strategjike e kombëtare të Shqipërisë, përpiqet të ketë një impakt domethënës në rizgjedhjen e Ramës si kryeministër pas 25 prillit.
Po përse Vuçiç është i interesuar që Rama të jetë sërisht në pushtet për katër vitet e ardhshme? E para, Rama ka treguar gjatë kësaj periudhe se është një bashkëpuntor i vlefshëm për Vuçiç politikisht, ekonomikisht dhe në aspektin e strategjisë së integrimit. Në këtë optikë, Rama ka qenë pjesë e rëndësishme integrale e planit Thaçi-Vuçiç për ndarjen e Kosovës dhe rrjedhimisht asgjesimin shtetësisë së saj. Kjo sigurisht për Serbinë është një mbështetje politike kardinale.
Nga ana tjetër, Vuçiç i intereson një Shqipëri jashtë BE-së, e cila nuk mund të mbështes në mënyrë efikase konsolidimin e shtetësisë së Kosovës jashtë strukturave e institucioneve të saj . Është në interesin e Serbisë që Shqipëria të jetë “mendjehapur” për bashkëpunim pro-lindor edhe me shtete që reflektojnë problematika me demokracinë, shtetin e së drejtës e të drejtat e njeriut. Mbajtja peng e Shqipërisë me fantazmat politike të ish-regjimit komunist është padyshim në interesin e objektivat e Vuçiç.
E dyta, Rama gjatë kësaj kohe i ka ofruar Vuçiç karta-bianca mbi krijimin e një strukture ballkanike Mini-Shengen, e cila jo vetëm promovon politikisht e ekonomikisht Serbinë si lider rajonal, por instalon barriera të konsiderueshme politike e diplomatike për konsolidimin e Kosovës si një shtet-subjekt i të drejtës ndërkombëtare.
Në këtë kontekst, Serbia shfaqet si një promotore e bashkëpunimit, paqes e sigurisë rajonale, kur faktikisht ka qenë pikërisht ajo që ka shkaktuar destabilizimin e rajonit me konflikte të armatosura gjatë tre dekadave të fundit në Ballkan. Nga ana tjetër, Shqipëria, e cila normalisht rrugëtimin e objektivat e saj strategjik duhet t’i orientonte drejt BE, ka ngecur në kurthin politik rajonal të Vuçiç.
E treta, është kundër qëllimeve strategjike e nacionaliste serbe të Vuçiç që Partia Demokratike të jetë fituese e zgjedhjeve të 25 prillit. Ka qenë pikërisht gjatë qeverisjes së Partisë Demokratike që Kosova fitoi pavarësinë e saj, vendi aderoi në NATO, marrëdhëniet Shqipëri-SHBA arritën nivelin më të shkëlqyer me vizitën e Presidentit Bush, dhe u përgatitën kushtet optimale për ratifikimin e MSA Shqipëri-BE. Partia Demokratike gjithashtu ka treguar vullnet të fortë për vazhdimin e rrugëtimin drejt integrimit të plotë me BE, si dhe është shprehur kundër ndarjes së Kosovës.
Fatkeqësisht, patronazhi politik i Vuçiç mbi Ramën dhe Qeverinë e tij ka treguar qartazi gjatë viteve të fundit regresin substancial që vendi ka pësuar. Nëse Rama do të jetë në pushtet sërisht, patronazhi anti-shqiptar i Vuçiç mbi atë dhe Qeverinë tij do të vazhdoj ta orientoj Shqipërinë drejt një të ardhme të pasigurt në kundërshtim me interesat kombëtare të vendit. Nëse shqiptarët duan që progresi ekonomik e integrimi i vendit të bëhen realitet duhet të votojnë ndryshimin. Vetëm me ndryshimin Shqipëria fiton.