Rama nis hakmarrjen ndaj drejtorëve të shkollave që nuk u përfshinë në fushatën elektorale të PS

Deputeti i zgjedhur i PD, njëkohësisht kryetar i FRPD, Belind Këlliçi shkruan në një postim në Facebook se, qeveria ka nisur hakmarrjen ndaj drejtuesve të shkollave në vend që nuk u përfshinë vetë dhe as me stafet dhe nxënësit e tyre, fushatës elektorale të PS-së për zgjedhjet e 25 Prillit.

Këlliçi shprehet se, nuk bëhet fjalë për hamëndesime, pasi një dukuri e tillë është shfaqur edhe më herët, kur zyrtarë të PS si Pjerin Ndreu janë kapur në përgjime duke kërcënuar me largimin nga puna të arsimtarëve.

Reagimi i plotë i Këlliçit

Sot, gjatë paradites, jam njoftuar për hakmarrjen e udhëheqjes socialiste ndaj drejtorëve të “pabindur” të shkollave, të cilët nuk i janë përgjigjur me devotshmëri fushatës zgjedhore. Do të nisë kësisoj një fushatë spastrimesh në arsim me emrin “ristrukturim”.

Për këdo që do të vrapojë të komentojë duke i quajtur “hamendësime”, i kujtoj audiopërgjimin e Pjerin Ndreut, si provë e dokumentuar e kërcënimit me largim nga puna të arsimtarëve.

Partia e Ramës do të kalojë në sitë çdo rrogëtar të shtetit. Këtë mund ta quajnë “reformë”, “vetting” ose “katharsis”. Synimi është t’u veshin petkun e paaftësisë dhe sjelljes joetike të gjithë të pabindurve, të politizojnë çdo bankë shkolle, çdo qelizë të shoqërisë; për të instaluar heshtjen, frikën dhe gatishmërinë e disa brezave ndaj urdhërave të partisë.

Mendoni ç’të ardhme kanë të rinjtë në një vend ku mësuesit e tyre kërcënohen me largim nga puna.

Mendoni ç’të ardhme kanë të rinjtë aty ku mësuesit e tyre nuk janë të lirë të thonë atë që mendojnë.

Mendoni se ç’të ardhme kanë të rinjtë, aty ku mësuesit që duhet të jenë model qytetarie, motivimi dhe antikorrupsioni, kthehen në armatë politike.

Papajtueshmëria me padrejtësitë mësohet në bankat e shkollës. Edukimi mbi qytetarinë dhe të drejtat, mësohen në shkollë. Modelet e para shoqërore mësohen në shkollë.

Duke kapur shkollën, po zaptojnë mendjen dhe lirinë e shprehjes, po vjedhin të ardhmen e fëmijëve tuaj.

Prandaj kjo çështje është së pari e juaja. Ju përket juve që keni vendosur të jetoni e t’i arsimoni fëmijët në Shqipëri.

Mësuesi është çështje e të gjithëve!

Artikulli paraprakOperacioni ndërkombëtar/ Të penduarit në Itali zbuluan prokurorin e Vlorës dhe shefin e trafiqeve
Artikulli tjetërSPAK: Mes të arrestuarve për 6 ton drogë edhe dy shoqërues të Saimir Tahirit