Policia nis terrorin ndaj protestuesve me urdhër të Ramës. Bëhet e ditur se, mbrëmë dhjetëra policë të maskuar kanë shkuar në shtëpitë e qytetarëve dhe kanë ushtruar terror.
Aktivisti Aulon Kalaja ka komentuar helmimin me gaz lotsjellës të qytetarëve gjatë protestës së djeshme përpara Kuvendit. Kalaja u shpreh se zona e kontaminuar me gaz e kalonte perimetrin e protestës, dhe se çarja e kordonit të policisë ka qenë e qëllimshme, pasi qytetarët nuk kanë synuar që të hyjnë në Kuvend.
I ftuar sot në studion e lajmeve në Fax News, Kalaja tha: “Ka ndodhur ajo që nuk kishte ndodhur asnjëherë më parë, është helmuar Tirana, pasi përtej perimetrit ku po zhvillohej protesta, të gjithë njerezit që kanë qenë aty kanë ndjerë shqetësime. Kanë pasur probleme edhe te zona e nëntëkatëshve, ndihej gazi lotsjellës deri te shtëpia e të ndjerit Dritëro Agolli.
Për fat të keq Policia e Shtetit është shndërruar në Policinë e Edi Ramës. Janë hedhur sasi të tmerrshme gazi. Sesi mund të çahet një kordon policie që përbëhet nga tre rradhë, vetëm këtu kam parë. Nuk e di nëse kjo është paaftësi e ministrit dhe mungesë profesionalizmi i policisë, apo një provokim, dhe dyshoj shumë se është kjo e dyta.
I bëj thirrje prokurorisë që të hapë një hetim të menjëhershëm, është helmuar shumë herë më shumë se perimetri i protestës.
Zoti Klosi ka provokuar vetë qytetarët, dhe iu bëri karshillëk protestuesve. Përgjigja kërkohet nga ana e Prokurorisë, dhe jo nga ana e Policisë që i helmon vetë qytetarët”, u shpreh Kalaja.
Gazetari u shpreh më tej se tre aktivistë dhe protestues janë tentuar që të “rrëmbehen” nga ana e policisë në shtëpitë e tyre, pavarësisht se, sipas tij, ata nuk kanë kryer asnjë veprim të kundraligjshëm në drejtim të Policisë.
“Natën e mbrëmshme kanë shkuar me 15 policë qytetarëve nëpër shtëpi, kanë ushtruar terror, po citoj deklaratën e policisë së Edi Ramës: Ju që dilni në protestë dhe doni të rrëzoni Edi Ramën, e keni vendin në burg.
Mbrëmë është shkuar në shtëpinë e aktivistit Darvin Zalla, ku gjeti vetëm gjyshen e nuses së tij. Po ashtu kanë shkuar në shtëpinë e Oleg Hankut, në prëm 4 të mëngjesit, kanë qenë policë të veshur me maska, këto janë sjellje të paligjshme. Preng Lala është marrë nga shtëpia e tij në Mamurras, këto tre raste di unë, imagjinoni se çfarë ndodh me qytetarët e tjerë.
Ata që u përdorën në protestë janë fishekë kimikë, kur hidhet në drejtim të objektivit të përcaktuar shkakton paralizimin e turmës. Policia duhet të jetë propocionale në reagimin e saj. Kordoni u ça nga vetë policët, nuk ka pasur tentative për të hyrë në Kuvendin e Shqipërisë”, tha më tej gazetari.