Rama, një fundjavë luksi në Milano bashkë me Gjushin

Pas telasheve që i janë krijuar ditët e fundit me ndërkombëtarët, lidhur me çeljen e negociatave me Bashkimin Europian dhe teksa sot përfundoi një takim me fermerët në Peqin, kryeministri Edi Rama është nisur në mbrëmje për fundjavë jashtë vendit.
“Lapsi.al” sjell foto ekskluzive nga avioni me të cilin udhëton kryeministri.
Destinacioni është Italia, konkretisht në Milano. Në këtë udhëtim, thonë burime të “Lapsi.al”, Rama shoqërohet nga bashkëshortja e tij Linda, si dhe Vangjush Dako me bashkëshorten. Udhëtime të tilla për fundjava jashtë vendit, kryeministrit i duken më komode sa herë ka me vete kryebashkiakun e Durrësit.
Nuk dihet ende nëse ai do të kthehet sërish në Shqipëri apo do të udhëtojë direkt për në Berlin, ku të hënën pritet të zhvillojë një takim me kancelaren gjermane, Angela Merkel. Në atë atë takim do mësohet qëndrimi përfundimtar i Gjermanisë për çështjen e hapjes së negociatave.
Një ditë më parë, deputeti gjerman Gunther Krichbaum tha në emër të grupit parlamentar të CDU-së se do të votojnë kundër hapjes së negociatave të Shqipërisë me BE-në, pasi nuk janë plotësuar kushtet.
Gjatë ditës së sotme kryeministri sulmoi kreun e opozitës, të cilin e akuzoi se “kap skutave deputetë të huaj për të sharë e për të bllokuar Shqipërinë”, ndërsa më herët u ballafaqua në Peqin me një vajzë, e cila ishte e papunë ndonëse kishte mbaruar me rezultate të mira Infermierinë.
Por kryeministri iu përgjigj se vajza si ajo që kishin mbaruar me mesatare të lartë dhe që janë pa punë, ka plot jo vetëm në Peqin, por në të gjithë vendin.

“Lapsi.al”

Artikulli paraprakPërshkallëzohet protesta kundër plehrave në Fier
Artikulli tjetërPD do të trokasë në çdo derë për hallet e njerëzve