Rama nuk e fsheh dashurinë për autokracinë

Nga Agim Baçi

Kryeministri Rama, përmes deputetëve të tij, hodhi sot një hap tjetër për të kontrolluar çdo institucion të mundshëm në Shqipëri që nuk mendon apo që nuk komunikon me publikun siç do qeveria- pikërisht për të kontrolluar KLSH-në.
Pasi ndërtoi dy muaj më parë një komision parlamentar të njëanshëm në Kuvend me emrin “Antokorrupsion”, me qëllim vënien nën kontroll të SPAK, tashmë synimi është të mbahet nën mbikëqyrje edhe Kontrolli i Lartë i Shtetit, i cili ka raportuar çdo vit miliona euro të shpërdoruara nga qeveria dhe institucionet shqiptare. Dhe paradoksi është se ai i bëri thirrje prokurorive të ndihmojnë në luftën kundër korrupsionit, ndërkohë që si kreu i ekzekutivit duhet të inkurajojë institucionet antikorrupsion nën varësinë e tij dhe të dikastereve, meqenëse ka dhe një Ministri Antikorrupsion, ai ua kalon këtë përgjegjësi prokurorëve. Kjo thirrje nga Rama duhej të ishte urgjente pas alarmit që dha kreu i SPAK-ut, Dumani, për rënien gati 50 % të denoncimeve na institucionet antikorrupsion dhe auditet.
Pas KLSH mbetet edhe Avokati i Popullit për t’u caktuar na Rama.
Dhe nuk ka të bëjë aspak se Rama ka nevojë edhe për më shumë pushtet. Jo, ai thjesht tashmë e ka të pamundur që në këtë vend të jetë të tjerë e mendojnë dhe flasim ndryshe për atë që ndodh nën këtë qeverisje. Sidomos nëse ky është institucion që verifikon ligjshmërinë ë e institucioneve që ai drejton.
Fundja, Rama është bërë si ai gënjeshtari që kur ulet në një tryezë sheh se mos ka aty ndonjë nga ata që e njeh si është vërtet, që të mos dalë gënjeshtar…

Një qeverisje demokratike është një qeverisje që jep llogari dhe mban përgjegjësi, e që respekton ndarjen mes pushteteve. Një qeverisje demokratike respekton vendimet e Gjykatës Kushtetuese dhe nuk synon që me forcën e kartonëve të poshtërojë kundërshtarët politikë.
Një qeverisje autokratike është një qeverisje që nuk njeh llogarinë, nuk njeh përgjegjësinë dhe që kërkon që çdo institucion të flasë sipas oreksit politik të kryeministrit. Një qeverisje autokratike nuk arrin të pranojë që një institucion të jetë jashtë kontrollit të tij dhe që ndryshon çdo rregull politik.
Kryeministri Rama ka kohë që nuk e fsheh dashurinë për autokracinë…

Exit mobile version