Rama nuk i ndahet kunatit të Fatmir Xhafës për në Strasburg

Qeveria ka propozuar tri emra, dy prej të cilëve të rinj, i treti “i vjetër” për kandidatë të Gjykatës të të Drejtave të Njeriut.
Emrat e propozuar janë Aleksandër Muskaj, Aurela Anastasi dhe Sokol Berberi.
Sokol Berberi është kandidaturë “e djegur” një herë nga Asambleja parlamentare e Këshillit të Europës, e cila në shtatorin e vitit të kaluar, refuzoi tre kandidaturat e paraqitura nga qeveria shqiptare. Midis emrave të refuzuar të Ina Ramës dhe Gent Ibrahimit, ishte edhe Sokol Berberi.
Tre emrat e dërguar nga qeveria do të zëvendësojnë gjyqtarin shqiptar në Gjykatën e të Drejtave të Njeriut, Ledi Bianku.
Këshilli i Europës i ka refuzuar tre kandidaturat e propozuara nga qeveria shqiptare për një vend në Gjykatën Europiane të të Drejtave të Njeriut në Strasburg, për shkak se procedura e përzgjedhjes së tyre në vendin tonë nuk ka qenë në përputhje me standardet e kërkuara nga Asambleja dhe Këshilli i Ministrave të BE-së. Ky është argumentimi zyrtar i refuzimit që KiE i bëri Ina Ramës, Sokol Berberit dhe Gent Ibrahimit. Nga këto tri emra do të përzgjidhej vetëm një prej tyre, por KiE i ka rrëzuar të tre kandidaturat.
“Komiteti rekomandon që Asambleja të refuzojë listën në kuadrin e procedurave të përzgjedhjes kombëtare që nuk duket të kenë qenë në përputhje me standardet e kërkuara nga ana e Asamblesë dhe Këshillit të Ministrave”, thuhet në shpjegimin zyrtar të KiE në faqen e internetit www.semantic-pace.net.
Përzgjedhja e këtyre tri emrave në vendin tonë u bë nga komisioni i ekspertëve, i kryesuar nga Luan Omari dhe nga anëtarët Kristaq Traja, ish-anëtar i Gjykatës së Strasburgut, Bashkim Dedja, ish-anëtari i Gjykatës së Lartë, Artan Hoxha dhe Artur Metani, drejtorit të Departamentit të Antikorrupsionit në Kryeministri.

Refuzimi i Strasburgut për tre kandidaturat e para

Asambleja parlamentare e Këshillit të Europës rrëzoi në shtator të vitit të kaluar listën e qeverisë me tre kandidatët e paraqitur prej saj për vendin e gjykatësit në Gjykatën Europiane të të Drejtave të Njeriut në Strasburg. Tre kandidatët e propozuar nga qeveria, Genti Ibrahimi, Sokol Berberi dhe Ina Rama, udhëtuan në Paris për t’u intervistuar nga përfaqësuesit e Asamblesë parlamentare të Këshillit të Europës, por ata janë shpërfillur krejtësisht, duke u informuar se asnjëri prej tyre nuk ishte i pranueshëm dhe nuk do të intervistohej fare. Secili nga 47 vendet anëtare të Këshillit të Europës ka të drejtën të emërojë një gjykatës në Gjykatën Europiane të të Drejtave të Njeriut. Procesi i përzgjedhjes së tyre përfshin dy hapa: fillimisht vendet anëtare përzgjedhin dhe i propozojnë Këshillit të Europës një listë me tre kandidatë. Pastaj Asambleja parlamentare e Këshillit të Europës zgjedh prej tyre gjykatësin përkatës. Procesi i përzgjedhjes përfshin intervistimin e kandidatëve nga përfaqësuesit e Asamblesë parlamentare. Refuzimi në bllok i listës është një ngjarje e rrallë në përvojën e Gjykatës. Procedurat që ndoqi qeveria për tre kandidatët që dërgoi në Këshillin e Europës u bënë në mungesë të plotë transparence. Kryeministri synonte të kontrollonte politikisht çdo qelizë të drejtësisë. Kryeministri kërkoi të çojë në Strasburg avokatin e interesave të tij dhe jo gjyqtarin e pavarur në majat e drejtësisë europiane. Ai deklaroi se kishte arritur marrëveshje me Gjykatën e Strasburgut, që pronarët të mos i marrin pronat e shpronësuara ndaj dhe i duheshin në Strasburg avokatët e tij për të mbrojtur ligjin e rishpronësimit të pronarëve.
Boks poshte fotos

Kë propozoi Rama?

Kunati që është ndër më të përfolurit se mund të shkojë drejt Gjykatës së të Drejtave të Njeriut është ai i Sokol Berberit, i cili rezulton të jetë edhe kunati i kryetarit të Komisionit të Reformës në Drejtësi, Fatmir Xhafa.
Berberi ishte piketuar nga Rama për të qenë në krye të një prej institucioneve më të rëndësishëm të drejtësisë pas miratimit të reformës, për ndryshimet dhe specifikimet e vendosura nga opozita e përjashtojnë tani që Berberi të jetë në një nga këto institucione. Rama ka menduar që ta shpërblejë kunatin e Xhafës, duke i vendosur emrin si një ndër kandidatët më të preferuar për në Gjykatën e Strasburgut. Mirëpo, Berberi e ka një problem jo të vogël. Duke qenë kunati i Fatmir Xhafës është në të njëjtën kohë edhe krushqi me të kërkuarin ndërkombëtar për trafik droge, Agron Xhafa, që është vëllai i Fatmir Xhafës. A mund të jetë në kriteret e Strasburgut një kandidat me lidhje familjare me një të kërkuar ndërkombëtar droge? Kjo mbetet për t’u parë gjatë ditëve të ardhshme.
A mund të pranohet në Gjykatën e Strasburgut një kunat i qeverisë që urdhërohet nga Rama për vendimet që mund të marrë. Sokol Berberi ka qenë tek lista rezervë e para dy viteve, por këtë vit e kanë hequr me qëllim mesa duket për t’i paraprirë këtij propozimi.

Artikulli paraprakNishani në Preshevë: E drejta e studimeve shqip të respektohet
Artikulli tjetërBiznesi 10 mijë euro në muaj kosto administrative shtesë nga qeveria