Gjatë fjalës së tij në Kuvend Rama i cilësoi gazetarët që po protestojnë para Parlementit një turmë që nuk lexon. Ai tha se, nëse do ekzistonte ligji gjerman në Shqipëri, gazetarët do ishin në borxhe deri në fyt.
“Këtu jemi përballë një turme që nuk lexon dhe nuk denjon të lexojë, madje e thotë hapur se, çdo ligj cënon lirinë tonë.
Sipas një raporti të OSBE, në tre të katërtat e shteteve anëtare, fyerja dhe shpifja janë vepër penale. Aktualisht ka disa qasje ndaj fyerjes dhe shpifjes. Së pari, 20 shtete, e parashikojnë fyerjen me dënim me burg. Së dyti, pesë shtete nuk e parashikojnë fyerjen dhe shpifjen si vepër penale, por e rregullojnë me pasojat në legjislacionin civil.
Legjislacioni më i ashpër është ai Gjermanisë. Kodi i tyre parashikon 11 vepra penale për fyerjen dhe shpifjen. Prandaj është vendi ku rastësisht ka më pak fyerje dhe shpifje. Parlamenti francez ka publikuar një ligj për lajmet e rreme. Në SHBA, FBI ndërhyn pa asnjë vendim gjykate dhe mbyll me urdhër çdo faqe interneti me përmbajtje që konsiderohet cënuese.
Gjithë kjo punë e bërë për të analizuar këto shtete dhe gjithë entuziazmi ynë për të ndërtuar një ligj që i referohet këtyre shteteve, ndeshi që në fillim, pengesën nga përfaqësuesit e OSBE, BE dhe KiE, në formën e një fjalie: mos iu referoni këtyre shteteve se i kanë dënimet shumë të ashpra. Nëse ligji gjerman do ishte këtu, ata sot do të ishin të gjithë me borxhe për të paguar pafundësinë e detyrimeve si rezultat i shkeljes së të drejtave të njeriut, të shkeljes së dinjitetit në publik”, tha Rama.
“Më 26 nëntor ka humbur jetën një njeri, një baba, sepse dikush nga ata ka nxjerrë lajmin se spitali i Durrësit po shembet. Dalja e atij lajmi e ka kthyer spitalin në udhëkryqin e një kaosi. Po ata që janë aty, kanë publikuar lajmin se qeveria fshihte në morgun e spitalit njëqind të vdekur”, deklaroi Rama.