Mazhoranca ka refuzuar të angazhojë dje stafin e tyre në një takim paraprak me stafin e opozitës për të përafruar qëndrimet, me qëllim që takimi Rama-Basha të mos rezultojë një show pa asnjë produkt.
Stafi i Kryeministrit ka refuzuar angazhimin paraprak. Në këto kushte takimi për takim duket të jetë i panevojshëm për opozitën, gjë e cila po bën real opsionin e dështimit të takimit të së hënës. Po cila është pika kyçe e draftit që po mban stafin e Kryeministrit larg takimit për të përafruar qëndrimet?
Edhe pse ka kaluar më shumë se 3 muaj nga miratimi i Opinionit Final të Komisionit të Venecias, palët politike në vend, nuk kanë arritur ende dakordësinë për çështjet që Komisioni i Venecias i ka lënë detyrë t’i zgjidhin. Një nga këto çështje, për të cilën Komisioni i Venecias, është shprehur se i takon ligjvënësit shqiptar ta zgjidhë, është edhe formula e emërimit të funksionarëve të rinj të sistemit të drejtësisë. Kjo ka qenë edhe tema më e nxehtë e debatit midis palëve politike të vend në lidhje me Reformën në Drejtësi.
Mazhoranca që nga shtatori 2015 ka këmbëngulur që emërimi të bëhet me 3/5 e votave në Kuvend, të cilat aktualisht zotërohen prej saj. Për opozitën një propozim i tillë është konsideruar i papranueshëm, për shkak se siguronte kapjen politike të gjithë sistemit të drejtësisë nga qeveria. Opozita, e cila e ka kundërshtuar shumicën 3/5 që nga shtatori 2015, duket se arriti fitoren e vet të parë kur në dhjetor 2015, Komisioni i Venecias në paragrafin 55 të tij, e konsideronte këtë metodë si rrezik për “çimentimin e kapjes politike” të sistemit të drejtësisë. Pavarësisht këtij konstatimi, mazhoranca nuk u tërhoq nga propozimi i vet, duke mbrojtur përsëri modelin e emërimit me 3/5 e votave në Kuvend, duke rikërkuar në janar 2016 opinion tjetër nga Komisioni i Venecias.
Faktori ndërkombëtar në vend dhe konkretisht ekspertët e OPDAT dhe EURALIUS, duke mbajtur në konsideratë Opinionin e Ndërmjetëm të Komisionit të Venecias, në muajin shkurt 2016, i sugjeruan palëve politike dy modele alternative të zgjedhjes, që shmangnin formulën e emërimit me 3/5, dhe konkretisht modelin e “vendeve të rezervuara” dhe modelin e “votës së transferueshme”. Opozita është shprehur se në shkurt 2016 ka pranuar si zgjidhje modelin e “vendeve të rezervuara”, si metodën e vetme që siguron moskapjen politike nga asnjë prej palëve të sistemit të drejtësisë.
Metoda e vendeve të rezervuara është sugjeruar në mars 2016 edhe nga Komisioni i Venecias në paragrafin 17 dhe 88 të Opinionit Final, si një zgjidhje në përputhje me standardet europiane dhe që shmang ngërçin që krijojnë zakonisht shumicat e cilësuara, në emërimet për anëtarët e Këshillit të Lartë Gjyqësor, Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, dhe Kolegjin e Posaçëm të Kualifikimit në Gjykatën Kushtetuese.
Ndërsa për emërimin e Prokurorit të Përgjithshëm dhe Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, Komisioni i Venecias i ka sugjeruar palëve një rregull të përkohshëm për zgjedhjen e këtyre dy figurave zyrtare me një shumicë më të madhe se 3/5. Kjo duket të ishte edhe fitorja e dytë e opozitës përkundrejt qëndrimit të mazhorancës ndaj shqetësimit për kapjen politike të sistemit të drejtësisë. Përfundimisht, Komisioni i Venecias kërkon që opozita të kishte rol dhe të përfaqësohej në organet kolegjiale të sistemit të drejtësisë.
Deri më sot, edhe pse opozita publikisht ka ftuar mazhorancën që të pranojë modelin e vendeve të rezervuara të ofruar nga ekspertët ndërkombëtarë dhe të konfirmuar edhe nga Komisioni i Venecias, përfaqësues të mazhorancës nuk janë shprehur publikisht, nëse pranojnë apo jo këtë model.
Por çfarë nënkupton modeli i vendeve të rezervuara, që është pranuar nga opozita si garanci për moskapjen politike të sistemit të drejtësisë?
Komisioni i Venecias, në Opinionin Final të tij, ka prezantuar si konkluzion faktin se nëse palët në procesin politik nuk pranojnë shumicën e cilësuar të kërkuar për anëtarët jo gjyqtarë të KLGJ, KLP, KPK dhe DHSK, ata mund të zgjedhin një sistem proporcional që garanton përfaqësimin e opozitës mes organeve kolektive ose çdo model tjetër të përshtatshëm që do të siguronte ndikimin e opozitës në procesin e zgjedhjes. Metoda e vendeve të rezervuara siguron pikërisht këtë – përfaqësimin proporcional të mazhorancës dhe opozitës në organet e sistemit të drejtësisë.
Sipas modelit të vendeve të rezervuara, anëtarët e organeve kolegjiale (KLGJ, KLP, KPK dhe Kolegjin e Posaçëm) do të përzgjidhen në mënyrë proporcionale e të barabartë nga lista e ndarë e kandidatëve profesionistë që mbështeten nga mazhoranca dhe nga opozita. Secili grupim parlamentar i paraqet Kuvendit listën e kandidatëve që mbështeten prej saj, dhe ky i fundit është i detyruar të zgjedhë anëtarët nga secila listë në mënyrë të barabartë. Në këtë mënyrë, asnjë nga palët politike nuk do të mund të kontrollojë politikisht organet e sistemit të drejtësisë, pavarësisht nëse është në mazhorancë apo në opozitë.
Modeli i vendeve të rezervuara është në përputhje me parimin e balancës midis pushteteve dhe nxit më tej përgjegjshmërinë e sistemit të drejtësisë, për shkak të kontrollit të ndërsjelltë që anëtarët e përzgjedhur në mënyrë proporcionale do të bënin ndaj sistemit të drejtësisë. Një model i tillë është pranuar si zgjidhje më parë edhe në Kroaci, gjatë fazës që ky shtet, njëlloj si Shqipëria, përgatitej të bëhej pjesë e Bashkimit Europian.
Ky model, duke qenë një model i sugjeruar nga Komisioni i Venecias dhe ekspertët ndërkombëtarë të OPDAT e EURALIUS, është e vështirë që të mos pranohet nga mazhoranca. Në parim, nuk ekziston asnjë kundërshti teknike apo politike mbi modelin e pranuar tashmë si zgjidhje nga opozita. Përsa kohë modeli i vendeve të rezervuara garanton pavarësinë, por edhe përgjegjshmërinë e sistemit të drejtësisë, mazhoranca duket se do ta ketë të vështirë të shprehet kundër një propozimi të tillë.
Çdo mosdakordësi nga mazhoranca për këtë model, mund të lexohet nga opozita, por edhe opinioni publik, si shprehje e një objektivi të Kryeministrit për kapjen politike të sistemit të drejtësisë, si dhe një mundësi për të penguar miratimin në një kohë të shpejtë të Reformës në Drejtësi. Ndërkohë që pranimi i kësaj metode, duket se i jep zgjidhje një tjetër shqetësimi madhor të opozitës, duke afruar edhe më shumë palët drejt qëndrimeve të përbashkëta për Reformën në Drejtësi.