Nënkryetari i LSI, Petrit Vasili ka dale gjatë ditës së sotme në një konferencë për shtyp mga selia e partisë.
“Kryeministri është larguar në OKB për të mbajtur një fjalim, a thua se dikush në OKB ka interes të dëgjojë eksperiencën e vyer të tij, sesi ky mbajti zgjedhje të paligjshme ne 30 qershor e sesi ky grabiti miliarda me koncesione apo sesi ky njeri e mbushi vendin me drogë e më pas pastroi paratë”, tha Vasili.
Deklarata e plotë për mediat e nënkryetarit të LSI, Petrit Vasili
Të nderuar qytetarë dhe qytetare!
Nuk janë mbushur ende 48 orë nga tërmeti i jashtëzakonshëm që pllakosi vendin dhe për fat të keq kryeministri i Shqipërisë e braktisi vendin, e braktisi detyrën, braktisi përgjegjësitë e veta dhe është larguar nga Shqipëria pasi bëri një tur mediatiko-demagogjik dhe propagandistik prej rreth 20 orësh, kryeministri u largua dhe iu shmang përgjegjësive të tij.
Në vend që të ishte në krye të të gjithë punëve në këtë situatë kaotike që ndodhet shteti i tij, në këtë situatë çorganizimi që ndodhet shteti i tij, në vend që të shpallte në mënyrë të menjëhershme situatën e emergjencës civile se bashku me përgjegjësitë konkrete që kjo gjendje mbart dhe me mundësitë dhe instrumentet shumë të shpejta të veprimit që ajo mundëson. Pikërisht, për të mos mundësuar që qytetarët të dëmshpërblehen dhe t”u riparohen dëmet menjëherë në shtëpitë e tyre të banimit, bëri vetëm një tur mediatiko-probagandistik dhe nuk shpalli kryesoren, gjendjen e emergjencës civile.
Kryeministri është larguar në OKB për të mbajtur një fjalim, a thua se dikush në OKB ka interes të dëgjojë eksperiencën e vyer të tij, sesi ky mbajti zgjedhje të paligjshme ne 30 qershor e sesi ky grabiti miliarda me koncesione apo sesi ky njeri e mbushi vendin me drogë e më pas pastroi paratë. Asnjë njeri besoj nuk ka nevojë. Kërshëria për të dëgjuar atë do të jetë si kërshëria e diktatorëve që kanë folur herë pas here në sallën e OKB-së, e ndryshe nga liderët e tjerë botërorë të përgjegjshëm dhe atdhetarë të cilët e kanë lënë në mes fjalën e tyre dhe janë larguar nga podiumi kur vendet e tyre janë kërcënuar apo përballur me fatkeqësi, ky i yni u ikën përgjegjësive, largohet dhe i lë shqiptarët të vetëm, pa drejtim.
Sot të gjithë shqiptarët bëjnë pyetjen, ku është shtabi qendror që drejton një emergjencë të paparë në mbi 30 vite, në mënyrë të veçantë ku qyteti i Tiranës dhe qyteti i Durrësit nuk e kanë përballuar kurrë një intensitet të tillë kaq të fortë dhe shkatërrimtar. Si ka mundësi që liderat evropiane anembanë janë shumë të shqetësuar sepse e tillë është situata dhe i ofrojnë solidaritet një kryeministri që ka ikur nga vendi i tij. Populli thotë, rasti i kryeministrit tonë është tamam si, “hajdeni moj shoqe më qani burrin se unë do të shkoj në dasëm”. Ata preokupohen dhe Edi Rama ka ikur nga Shqipëria. Së dyti, kush e kryeson këtë shtab qendror që ka përgjegjësitë për të përballuar dhe menaxhuar situatën.
Cilat janë fondet? Sa janë ato, si janë shpërndarë? Cilat janë ndihmat? Cila është struktura e ndihmave të ardhura, në çfarë mënyre? Cilat janë vendet që po ndihmojnë nëse kanë ndihmuar konkretisht përveç vendeve që janë mike meqenëse ka pasur premtime të tilla të cilat janë bërë publike nga kryeministri. Çfarë fondesh ka në terren pushteti vendor apo agjensitë e tjera qeveritare? Asnjë përgjigje nuk ka nga këto, vetëm fjalë dhe shoë. Përse informacioni ndodh në kaos të plotë, në vend të informacionit të autorizuar, të përgjegjshëm, të konfirmuar, zyrtar, periodik të çdo një orë për popullatën? Situata e informacionit është lënë në kaos të plotë, në abuzivitet të plotë, dhe jashtë çdo lloj përgjegjësie publike.
Ndërkohë që në mënyrë të veçantë kjo situatë, në 48 orë, në 72 orë, në 5 ditët e para, për sa kohë që situata shkon drejt normalizimit të plotë qytetarët kanë nevojë për informacione të autorizuar, të qartë, të saktë, i cili eviton çdo lloj paniku dhe i bën qytetarët të vazhdojnë jetën e tyre normale dhe të jenë të kujdesshëm atje ku duhet. Kryesorja dhe mbi të gjitha, përse nuk tentohej qartë, më prerë, në mënyrë të menjëhershme dëmet, dëmet nuk kanë nevojë të evitohen nga vizita ministrash, nga përqafime hipokrite, nga fjalë pa asnjë vlerë që janë demagogji e radhës.
Një ushtri e tërë, me teknikë, arkitektë, inxhinierë ndërtimi qofshin edhe privatë duke shpallur gjendjen e emergjencës civile mund të mobilizoheshin menjëherë për të evidentuar qartë edhe prerë se cilat janë strukturat e dëmtuara, pasi dihet që strukturat e dëmtuara nga një goditje e fortë, mund të jenë vulnerabël që të dëmtohen edhe nga goditje më të lehta, që janë goditjet e shuarjes së tërmetit, por duke qenë pas goditjeve të tilla ato mund të jenë shumë të rrezikuara.
Në këtë rast ato duhet të evidentohen me përgjegjësi të jashtëzakonshme teknike, e cila do të evitonte në mënyrë të qartë dhe të prerë humbjen e jetës së njerëzve dhe njëherazi me këto evidentimi i të gjitha atyre familjeve që duhet të evakuoheshin në mënyrë të menjëhershme, pasi analiza e bërë do të rezultonte që ato nuk mund të vazhdonin më të qëndronin aty dhe bashkë me to përpilohej qartë dhe në mënyrë të rrufeshme ndërhyrjet në ato zona, në ato objekte të mëdha të ndërtuara, të cilat nuk do dëmtonin vetëm familjet, por edhe ambientin përqark apo dhe struktura të tjera ngjitur me to, bëhet fjalë për një përgjegjësi të shumëanshme, e cila duhet të demonstrohet.
Të jetë aktive, të jetë funksionuese dhe në vend të kësaj na kanë ofruar një kaos ku nuk dimë kë të dëgjojmë më parë, cilin ministër të dëgjojmë më parë, cilin kryetarë bashkie të dëgjojmë më parë, cilin nivel shoë të dëgjojmë më parë. Dhe kur duhet të evidentojmë qartë e prerë ndërtesat të cilat kanë marrë dëmtime dhe që janë me mijëra, na ofrojnë disa tavolina ku me demek shpërndajnë disa tasa gjellë më shumë, ndërkohë që prioritetet janë krejt të tjera. Pra i bëjë thirrje nga kjo foltore qeverisë të rimarrë situatën në dorë. Të marrë në duar dhe të përqendrojë në mënyrë të menjëhershme autoritetin e veprimit dhe mbi çdo gjë dhe para çdo gjëjë të shpallë gjendjen e emergjencës civile. Nuk mund të ketë ngjarje dhe fatkeqësi më të madhe se kaq e cila do kërkonte marrjen e këtij vendimi. Çdo minutë që kalon është në dëm të qytetarëve dhe në dëm të administrimit të situatës. Ju faleminderit!