Rama, peng i Balilit, Nishani thërret Këshillin e Sigurisë

Shqetësimi i Shteteve të Bashkuara për mos arrestimin e atij që konsiderohet si Eksobari i Ballkanit, Klemend Balili si dhe rreziku që ekziston nga mos veprimi i agjencive ligjzbatuese në drejtim të goditjes së krimit të organizuar kanë detyruar Presidentin e vendit që t’i përgjigjet pozitivisht kërkesës së bërë nga Kryetari i Kuvendit për të thërritur një mbledhje të Këshillit të Sigurimit ku do të diskutohet pikërisht për problematikën e baronit të drogës që bredh ende i lirë rrugëve të Shqipërisë.
Presidenca ka evidentuar tre arsye se përse kërkesa e kryeparlamentarit Meta vlerësohet si serioze. Presidenca thotë se Balili paraqet një rrezikshmëri të lartë shoqërore. Presidenca parashtron një shqetësim tashmë zyrtar nga Shtetet e Bashkuara përmos arrestimin e Balilit dhe ky shqetësim tashmë po artikulohet me zë të lartë në drejtim të organve ligjzbatuese të vendit.
Një arsye tjetër që ka çuar në mbledhjen e Këshillit të Sigurisë Kombëtare është mos goditja e krimit të organizuar, ndërsa bazat e tij kontrollohen nga njerëz të politikës dhe të shtetit.

Tre arsyet e thirrjes së Këshillit të Sigurisë

Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Ilir Meta, në cilësinë e anëtarit të Këshillit të Sigurimit Kombëtar (KSK) i është drejtuar Presidentit të Republikës, Bujar Nishani për thirrjen në një kohë sa më të shpejtë të mbledhjes së Këshillit të Sigurimit Kombëtar, për çështjen “Balili”.
Kjo kërkesë vlerësohet serioze, pasi ajo paraqitet nga kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, si dhe për shkak të problematikave që parashtrohen, të cilat kanë të bëjnë me:
– Rrezikshmërinë e lartë shoqërore të shtetasit Klemend Balili, përcjellë nga organet kompetente shqiptare apo ndërkombëtare.
– Shqetësimin e partnerëve tanë të SHBA dhe të tjerë ndërkombëtarë, të cilët paraqesin rezerva në drejtim të punës së organeve tona përgjegjëse për shkak të mosndalimit të tij në kohë dhe zbatimit të detyrimeve të përcaktuara në akte ndërkombëtare dhe legjislacioni vendas.
– Si dhe rrezikut që ekziston, tashmë, nga mosveprimi i agjencive ligjzbatuese të vendit tonë, në drejtim të goditjes ndaj krimit të organizuar, trafiqeve të paligjshme apo dhe bazave të tyre që mund të kontrollohen nga njerëz të politikës dhe shtetit.
Për këto arsye Presidenti i Republikës në cilësinë e kryetarit të Këshillit të Sigurimit Kombëtar ka vendosur të thërrasë mbledhjen e Këshillit me qëllim dëgjimin e të gjitha argumenteve të parashtruara në kërkesë, si dhe duke i analizuar dhe duke këshilluar me të gjithë anëtarët e Këshillit. Për datën dhe orën e mbajtjes së mbledhjes do të njoftoheni në ditët në vazhdim.

Vasili – Tahirit: Arrestimin e Balilit e kërkon SHBA

Numri dy i LSI-së, Petrit Vasili ka folur ditën e djeshme për kërkesën drejtuar Presidentit Bujar Nishani nga kreu i Kuvendit, Ilir Meta, në të cilën kërkohet mbledhja e Këshillin Kombëtar të Sigurisë për çështjen e Klemend Balilit.
I pyetur për deklaratat e bëra dje nga ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, Vasili ka thënë se nuk do të bëjë koment, por do ja lejë publikut gjykimin.
Vasili ka sqaruar se kërkesa e Metës vjen menjëherë pas takimeve të bëra në SHBA, në të cilat është kërkuar ndalimi i Klement Balilit. “Se cilat janë reagimet në lidhje me kërkesën e kreut të Kuvendit, nuk besoj se është e nevojshme të bëj komente, po ja lë publikut të gjykojë këto komente dhe pse bëhen. Gjatë vizitës në SHBA, isha i pranishëm në një takim të zotit Meta me ndihmëssekretarin e Shtetit, ambasadorin Ëilliam Broënfield që shprehu vlerësimin për bashkëpunimin në reformën në drejtësi. I vetmi shqetësim që ambasadori Broënfield ngriti në këtë takim ishte mosndalimi i Klemend Balilit dhe ambasadori i kërkoi zotit Meta të nxiste autoritetet shqiptare për të bërë gjithçka”, deklaroi Vasili.

Artikulli paraprakVasili-deputetëve: Policia do t’u vendosë drogë në makina
Artikulli tjetërNis lufta brenda koalicionit qeveritar