Rama përgatit lirimin e Shullazit, sajesë me gjendjen shëndetësore

Pas dhënies së pafajësisë për organizatën terroriste “Hakmarrja për Drejtësi”, Rama po përgatit edhe lirimin e kryekriminelit Emiliano Shullazi nga burgu. Skema është ajo e sajimit të një diagnoze të një sëmundje imagjinare. Me Shullazin po përdoret e njëjta skemë si ajo lirimit nga burgu të ish-kapobandës së Durrësit, Lulzim Berisha, i cili i bëri kërkesë Gjykatës që të lirohej nga burgu sepse vuante nga një sëmundje e rëndë.
Shullazi është shtruar në një spital privat ditën e djeshme, dy orë para fillimit të seancës gjyqësore, gjoja për shkak të problemeve shëndetësore. Pas kësaj sajese me porosi të Ramës, pritet që mjekët nën presion direkt të organizatës kriminale të paraqesin një raport, ku të shkruajnë se gjendja e tij është e rënduar dhe se ai nuk mund të qëndrojë në qeli. Pas këtij raporti, nën presion direkt të kreut të qeverisë, Gjykata pritet të vendosë masën “arrest shtëpie” për Shullazin. Në këtë mënyrë, Rama kërkon të marrë pak zemër nga tmerri i revoltës popullore që e pret.
Shtrimi i Shullazit në spital, rezultoi të jetë dy orë para se në Gjykatë të niste seanca e radhës gjyqësore. Në seancë pritej përballja me biznesmenin Ylvi Beqja, por për shkak të mungesës së Shullazit në sallën e gjyqit, seanca është anuluar. Edhe në seancën e kaluar, Shullazi nuk është paraqitur në sallën e gjyqit me pretendimin se ishte shtruar në spital.
Procesi gjyqësor i Emiliano Shullazit po zvarritet me dashje, duke penguar përballjen me biznesmenin e kërcënuar dhe gjobitur, Ylvi Beqja. Dëshmitari i mbrojtur, Ylvi Beqja pritet të dëshmojë për kërcënimet dhe gjobat që është detyruar t’ia paguajë bandës së Shullazit, për të cilat Shullazi dhe anëtarët e bandës së tij janë arrestuar.

Si u lirua nga burgu Lul Berisha me sajesën e sëmundjes

Kreu i “bandës” famëkeqe të Durrësit, Lulzim Berisha u lirua nga burgu në fillim të muajit dhjetor të vitit të kaluar. Kapobandës i kishin mbetur edhe 5 vite burg, por këto vite i janë falur dhe tani ai ndodhet në liri me kusht. Lirimi i tij është bërë nga Gjykata, pas pretendimit të tij se është i sëmurë. Vendimi ka ardhur, pasi Gjykata e Lartë kishte rrëzuar një kërkesë të Prokurorisë, për ta dënuar Lulzim Berishën me burgim të përjetshëm. Me vendim të Gjykatës së Apelit, ai ishte dënuar me 25 vjet burg dhe i kishin mbetur edhe 5 vjet për të shlyer.
Kreu i Bandës së Durrësit, Lulzim Berisha i ishte drejtuar Gjykatës me kërkesën e lirimit nga burgu, me pretendimin se është i sëmurë rëndë. Sipas vetë trupit gjykues, Lulzim Berisha ka kërkuar lirimin nga burgu me arsyetimin se “vuan nga një sëmundje e rëndë dhe i rrezikohet jeta po të qëndrojë në qeli”.
Përveç pretekstit të sëmundjes, Lulzim Berisha ka bindur Gjykatën e Apelit të Durrësit se “është arritur qëllimi për edukimin dhe riintegrimin e tij në shoqëri”. Për këtë gjykim, treshja e gjyqtarëve është bazuar tek raportet pozitive të administratës së burgjeve si dhe një karakteristikë familje të lëshuar nga kryebashkiaku i Durrësit, Vangjush Dako më 8 korrik 2016. “Bashkia Durrës, duke vlerësuar gjendjen e kësaj familjeje, sjelljen e tyre në komunitet, si dhe mundësinë e lirimit të të dënuarit, garanton punësimin e të dënuarit Lulzim Berisha, në pamundësi për t’u punësuar në ndonjë subjekt privat”, citohet shkresa e Dakos në vendimin e lirimit.

Exit mobile version