Rama po e përdor energjinë si “karamele” elektorale, ja ç’ndodh me çmimin në Europë

Enti Rregullator i Energjisë dhe më pas Qeveria po shesin si suksesin më të madh të 34 viteve uljen e çmimit të energjisë me 1 lek.

Konsumatorët paguajnë 9.5 lekë për KWH pa përfshirë këtu TVSH 20%, ndërsa në total bashkë me taksën 1 KWH energji në Shqipëri për konsumatorin famil;jar është 11.4 lekë. Me uljen me 1 lek për KWH, tashmë çmimi i energjisë shkon në 10.4 lekë.

Vendimi vjen 4 muaj para zgjedhjeve dhe ngjan si një karamele që u ofrohet shqiptarëve nga Qeveria, e ngjashme me atë faljen e gjobave.

Qeveria pretendon se nga kjo masë, pra ulja me 1 lekë do të përfitojnë rreth 1 mln shqiptarë, që nuk harxhojnë më shumë se 700 KWH në muaj, pasi në të kundërt nuk do të përfitojnë uljen e çmimit. Qeveria pretendon se kursini është 100 euro në vit, edhe pse ekspertë të pavarur nga përllogaritjet e konsiderojnë masën e kursimit jo më shumë se 28 euro.

Nga gjithë ky operacion i Qeverisë nuk përfitojnë konsumatorët jofamiljarë, pra bizneset, edhe pse në shumë nga vendet e Europës, përfshi edhe ato të BE-së ka pasur një ulje të çmimit përsa i takon konsumatorëve jofamiljarë të energjisë.

Por çfarë ndodh me çmimin e energjisë në Europë, përfshi edhe vendet e Rajonit?

Referuar analizave zyrtare të Eurostat, përgjatë 2024 çmimet e energjisë elektrike për konsumatorët familjarë u rritën në 10 dhe u ulën në 15 vende të BE-së, krahasuar me 2023. Rënia më e madhe është regjistruar në Holandë, ku çmimi u ul me 29%, ndërsa rritja më e madhe ishte në Irlandë me 37%.

Përgjatë 2024, Luksemburgu, Austria dhe Holanda dhanë më së shumti ndihma për konsumatorët familjarë, ndërsa çmimet e energjisë elektrike për konsumatorët jofamiljarë në BE ranë me-13% krahasuar me 2023.

Çmimet e energjisë elektrike jo-familjare në BE ishin më të lartat në Irlandë (0,256 € për KWH) dhe më të ulëtat në Finlandë (0,0939 € për KWH).

Nëse i referohemi grafikëve të Eurostat, Shqipëria pothuajse ka të njëjtin nivel me Bullgarinë dhe Hungarisë, sa i takon çmimit të energjisë, ndërkohë që krahasuar me vendet e Rajonit, çmimet janë më të larta se në Bosnje, Kosovë, Serbia, është pothuajse në të njëjtën kuotë me Malin e Zi, po ka çmime më të larta se Turqia dhe Gjeorgjia.

Ajo që vihet re nga analizat e Eurostat është fakti se në Shqipëri çmimi i energjisë elektrike nuk lëviz, pra pavarësisht se çfarë ndodh në tregun ndërkombëtar, uljeve apo ngritjeve, këtu nuk ka asnjë lloj ndikimi.

Kështu nga 35 vende ku kemi lëvizjeve të çmimit të energjisë (14 me rritje dhe 21 me ulje), Shqipëria qëndron statike, të paktën deri në momentin kur hyn në fuqi hyrja e trumpetuar nga Qeveria.

Nëse do të ishte një vendim i përcaktuar nga kushtet e tregut natyrisht një vendim i tillë mund të ishte marrë që në 6 mujorin e dytë të 2024-ës, sikundër vepruan shumë nga vendet e BE-së dhe jashtë saj. Ndaj dhe një vendimmarrje në prag të zgjedhjeve, më shumë ngjan si një vendim elektoral, aq më tepër që pasohet nga një tjetër vendim ai i bosnusit për pensionistët në pranverë.

 

Exit mobile version