Rama po persekuton qytetarët e Kamzës, zero investime ndaj tyre

Lideri demokrat, Lulzim Basha mori pjesë dje në përurimin e rrugës së re në Kamëz, të cilës me kërkesë të komunitetit, Bashkia dhe Këshilli Bashkiak e emëruan atë me emrin e Presidentit të SHBA-ve, Donald Trump.
Kreu i Bashkisë së Kamzës, Xhelal Mziu u shpreh se banorët e kësaj bashkie, nga më të mëdhatë në vend, janë të diskriminuar si asnjëherë tjetër nga qeverisja qendrore.
“Sot Kamza ka 200 mijë banorë, qyteti i 6-të në Shqipëri. Por sot Kamza merr 33 herë më pak lekë se mesatarja e Shqipërisë. Diferenca shkon deri në 200 herë nëse krahasohemi me disa bashki të majta. Qytetarët e Kamzës ndihen të persekutuar jo vetëm në investime dhe nuk ka ndodhur në këto 25 vite që një komunitet të distancohet në këtë mënyrë nga qeveria. Të mos harrojmë që 45% e këtij komuniteti janë të majtë. Unë jam krenar sot që ky bulevard ka emrin e Donald Trump. Ashtu siç filloi fryma me fitoren e Trump në SHBA, e njëjta situatë ka filluar në Kamëz, tek çadra, tek Republika e re”, tha Mziu.
Lulzim Basha i shprehu mirënjohjen komunitetit për vlerësimin e Presidentit të aleatit strategjik të shqiptarëve, Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
“Këtu në këtë ditë të bukur pranverore në Kamëz, qytetin e 6-të të Shqipërisë, që është mrekullia e punës, djersës tuaj, kryefamiljarëve, të burrave dhe grave, të rinjve e të rejave të Kamzës për të cilët shpreh mirënjohjen dhe respektin tim.
Sot me kryetarin e Bashkizë z. Mziu jemi këtu për të inauguruar një tjetër vepër infrastrukturore. Ky investim sot mban vetëm vulën tuaj dhe pushtetit vendor sepse prej ardhjes në pushtet 4 vite më parë Edi Rama i shpalli luftë politike qytetarëve të saj, i shpalli luftë raciale dhe stigmatizuese banorëve që simbolizojnë më shumë se kushdo tjetër lirinë. Sepse ishte liria që ju mundësoi ju të ndërtonit nga fillimi një jetë të re këtu në Kamëz.
Liria është armiku i tiranisë që përmbysën para 27 vitesh diktaturën dhe është edhe armiku i tiranisë së krimit, tiranisë së drogës e varfërisë që Edi Rama dhe një grusht pushtetarësh të korruptuar dhe të inkriminuar duan t’i imponojnë Shqipërisë dhe shqiptarëve. Tirania e ka edhe një armik tjetër, tash e 200 vjet dhe ky armik i tiranisë quhet Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Dua të falënderoj kryetarin e Bashkisë dhe Këshillin Bashkiak të Kamzës që në emër të qytetarëve vendosi t’i japë këtij bulevardi, këtij investimi të ri emrin e Presidentit të ri të SHBA-ve, Donald Trump. Ky është një akt dashurie për kampionin e lirisë, SHBA, që me votë të lirë e demokratike zgjodhën presidentin e tyre më 8 nëntor të vitit të kaluar. Në një garë të ashpër, por në zgjedhje të lira dhe të ndershme siç e kanë bërë zakon tash e 200 vjet i dhanë demokracisë një thellësi dhe një vlerë të shtuar dhe i dhanë botës mbarë një tjetër leksion demokracie. Leksioni është që fatin në demokraci e kanë në dorë vetëm qytetarët, jo oligarkët, as paraja, as media e korruptuar. Ky është një mësim kuptimplotë për çdo shoqëri e në veçanti për Shqipërinë që sot ka problem siç e cilësoi para dy ditësh ambasadori i Britanisë së Madhe çështjen e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. Zgjedhjet e lira kërcënohen sot nga njeriu që erdhi në pushtet me krimin e organizuar, që qëndron në pushtet me krimin e organizuar dhe që dëshiron të prishë zgjedhjet e shqiptarëve me krimin e organizuar. Krimi i organizuar dhe droga janë shtylla e vërtetë e pushtetit të Edi Ramës. Prandaj ai sulmon me verbëri çdo akt dhe çdo person që kërcënon tiraninë e krimit dhe të drogës, qofshin këta qytetarë shqiptarë që ia përplasin çdo ditë e më shumë të vërteta me zë të lartë në fytyrë siç i ndodhi dje në Shkodër apo siç i ndodh ditë për ditë në Facebook ku e degjenerojnë me të vërtetat që nuk i fsheh dot më” tha Basha.

Artikulli paraprakMasakër në pyjet e Pukës nga nënkryetari i Bashkisë
Artikulli tjetërMbështetje ndërkombëtare ndaj kauzës së opozitës