Rama pritet me protesta nga studentët!: Jep dorëheqjen!

Rama është pritur me protesta nga studentët e Elbasanit. Kryeministri Rama shkoi dje në Elbasan për një leksion të hapur me studentët e Universitetit “Aleksandër Xhuvani”, por që në hyrje të qytetit, ai është pritur me protesta. Më pas, një grup studentësh i kanë zënë rrugën kryeministrit në hyrje të Universitetit, duke i kërkuar dorëheqjen. Protestuesit mbanin në duar pankarta me sloganet “Rama jep dorëheqjen”, “Reforma në arsim është e dështuar” etj.
Menjëherë në vendngjarje kanë shkuar qindra forca të policisë dhe Gardës, duke ushtruar presion tek studentët protestues, duke mos i lejuar që të protestonin. Në kohën kur kryeministri i shoqëruar nga eskorta e tij hyri në ambientet e brendshme të universitetit, studentët kanë hedhur sërish parulla kundër tij. Garda dhe policia kanë rrethuar Universitetin e Elbasanit, ndërsa në tarracat e pallateve janë vendosur disa snajpera. Universiteti ka qëndruar i rrethuar derisa Rama ka mbaruar fjalën e tij, ndërsa studentët që protestuan kundër tij janë përzënë me dhunë nga ambientet e Universitetit.
Për këtë ngjarje ka reaguar edhe ish-Kryeministri Berisha. Në një postim në rrjetin social Facebook, Berisha shkruan se, Rama është pritur me protesta nga të rinjtë në Elbasan, ndërsa policia ka ushtruar presion ndaj protestuesve. “Një batalion i Gardës dhe policisë, gjithsej 930 forca e shoqërojnë, 12 snajper vendosen në lartësitë e pallateve në mbrojtje të tij”, shkruan Berisha.
“Rama dhe policët e tij nuk e ndalin dot revoltën qytetare. Të rinjtë janë kundër reformës së dështuar në arsim. Pas Tiranës, sot ishte radha e Elbasanit. Së shpejti e gjithë Shqipëria”, u shpreh dje kryetari i FRPD, Belind Këlliçi.
Prej disa muajsh, studentët e universiteteve të Tiranës dhe jo vetëm, janë ngritur kundër Reformës në Arsimin e Lartë. Studentët kundërshtojnë mënyrën si do të bëhet financimi dhe se me draftin e ri vihet shenja e barazimit mes Universitetit Publik dhe atij privat. “Ky ligj e sheh studentin jo si një përfitues të dijes si e mirë publike, por si një element pothuajse jashtë sistemit të Arsimit të Lartë”, u shprehën studentët vetëm disa ditë pas miratimit të draftit përfundimtar për ndryshimet në Arsimin e Lartë.
Gjithashtu, studentët janë kundër një reforme që rrit tarifat e studimit. Të rinjtë janë kundër marrjes së kredive në momentin kur ata pranohen në Universitet. Po kështu studentët kundërshtojnë reformën, që i shikon ata si klientë dhe jo si e ardhmja e vendit. Të mbështetur dhe nga pedagogët, studentët janë kundër dhe bordit të administrimit, ku 3 anëtarë do të emërohen nga Ministria e Arsimit.

Maturantët prishin “dëgjesën” e qeverisë: Jo reformës klientaliste

Ligji për Arsimin e Lartë hartuar dhe miratuar nga Qeveria Rama vazhdon të kundërshtohet me forcë nga gjimnazistët dhe studentët. Ditën e shtunë, qeveria organizoi një dëgjesë me maturantët në “Teatrin Eksperimental”, për t’i informuar për studimet e larta, por kjo dëgjesë nuk është lejuar nga gjimnazistët e Tiranës. Në këtë takim kanë qenë të pranishëm ministrja e Inovacionit Milena Harito, drejtoresha e Agjencisë Kombëtare të Provimeve, Rezana Vrapi, Edvin Kukunja këshilltar i ministres së Arsimit, Lindita Nikolla dhe zyrtarë të tjerë të Ministrisë Arsimit. Gjatë dëgjesës, disa maturantë kanë hyrë në ambientet e Teatrit me një banderolë në dorë ku shkruhej: “Jo reformës klienteliste”.
Maturanët kanë kundërshtuar Ligjin e Arsimit të Lartë, ndërsa punonjësit e Ministrisë janë vërsulur për të nxjerrë jashtë maturantët me pankartën në duar. Të gjithë të pranishmit në këtë takim të organizuar nga qeveria janë ngritur në këmbë dhe më pas kanë dalë jashtë nga salla, duke bërë që të dështojë propaganda qeveritare për Ligjin e Arsimit të Lartë.
Për këtë ngjarje ka reaguar edhe ish-Kryeministri Berisha, duke publikuar në faqen e tij në Facebook videon e incidentit që ka ndodhur në “Teatrin Eksperimental” në Tiranë, gjatë një takimi me maturantët të ministres Milena Harito dhe këshilltarit të ministres së Arsimit, Lindita Nikolla. “Maturantët e Tiranës, në një akt historik përzënë nga takimi Kryebanditin e shtetit dhe ndrikull Nikollën, që mbyllën dyert e universiteteve për të mbushur xhepat e tyre”, shkruan Berisha.

R.POLISI

Exit mobile version