Ish-Presidenti Nishani e ka konsideruar si një provokim radikal të Ramës zgjedhjen e Ruçit në krye të Parlamentit. Nishani ka deklaruar se një provokim radikal kërkon edhe një reagim politik radikal. Ish-Presidenti ka kujtuar se ky provokim bëhet në kontekstin e diktaturës dhe vlerësimit të simboleve të asaj kohe. Nishani kujtoi se gjatë kohës që ai ka qenë President, Rama ka tentuar shumë herë të bëjë provokime të tilla ndaj shoqërisë përmes dekorimeve të figurave të larta të diktaturës. “Kjo ka sjellë reagimet e ashpra të Shteteve të Bashkuara, kongresmenëve dhe senatorëve amerikanë si dhe të Bashkimit Europian dhe kjo ka bërë që nën presionin e tyre, Rama të tërhiqej”, tha Nishani.
Mes të tjerash, Nishani tha se ka bindjen e tij se pse Rama ka marrë këtë vendim. “Parlamenti dominohet nga qeveria, pjesë e mazhorancës. Nuk duhet të ishte kështu. Nuk ka dominim nga ana e qeverisë tek opozita. Kryetari i Kuvendit duhet të negociojë dhe vendimi politik është i zotit Rama, për të sjellë në vëmendje që ka votuar formatin e zotit Ruçi, përbën provokim radikal. Unë kam bindjen time pse e ka bërë”, pohoi ai.
Ish-Presidenti Nishani deklaroi në një intervistë në Studoi e Hapur se ai nuk do të rivalizojë për asnjë moment kreun e PD, Basha për drejtimin e partisë. Nishani iu përgjigj në këtë mënyrë interest të gazetares, Vasili. Nishani deklaroi se ai do të vazhdojë të japë kontribut në politikë dhe se e sheh veten në opozitë. “Do vazhdoj kontributin tim, tani jam më i çliruar. Investimin tim e kam në politike, nuk shmangem nga përgjegjësitë. E shoh veten në opozicion. Zotin Basha nuk kam për ta rivalizuar asnjëherë”, tha Nishani.
Ish-presidenti Bujar Nishani ka shuar dilemat nëse ai do të krijojë parti të re apo edhe nëse do të zërë vendin e Bashës për kreun e PD. Nishani tha se nuk do të rivalizojë Bashën dhe se nuk do të hapë parti të re. “Nuk e besoj se është koha dhe momente që në këtë moshë që jam t’i hyj aventurave të reja dhe nuk shoh ndonjë formacion të ri polik, PD është sot pjesë e opozitës dhe unë e shoh veten në opozicion dhe jam pranë PD për sa kohë jemi në opozitë. Nuk kam për ta rivalizuar asnjëherë kryetarin Lulzim Basha”, tha Nishani.
– Pse e quani provokim?
Është provokim i memories së shqiptarëve. Sot ka ende njerëz të humbur dhe të ekzekutuar. Unë fola për mekanizmin ku Ruçi ka qenë pjesë e Sigurimit të Shtetit.
– Për 5 vite me radhë jeni mësuar të ngjisni shkallët e Presidencës, si ndiheni tani?
Padyshim kur heq nga shpatullat një peshë të rëndë siç është ajo e Presidencës, që mbart sfida dhe përgjegjësi dhe në fund kur sheh që këto sfida të paktën në gjykimin tënd që kanë kaluar në mënyrë korrekte dhe të përgjegjshme, ndihesh mirë. Nga ana tjetër e ndjen veten edhe më të motivuar.
– Në këto 5 vite nuk jeni marrë me politikë aktive, a ia keni ndjerë mungesën?
Njerëzit që përfshihen në politikën aktivë, e përjetojnë debatin politik, sfidën që ka politika e ditës. Politika ka një diapazon shumë të gjerë, pasi aty përfshihen që nga hallet e individëve dhe veprimtaritë e shtetit. Në disa aspekte në pozicionin e kryetarit të shtetit ka angazhime të mëdha.
– Do të riktheheni në politikën aktive?
Në politikë aktive çdo njeri e ka të mundur të jetë prezent, qoftë në formë individuale. Unë e kam vendin në politikë, nuk mund t’i shmangem përsa kohë që në gjithë këtë karrierë të gjatë jam motivuar dhe jam rritur, maturuar duke qenë pjesë.