Rama provokoi stabilitetin me një draft personal në drejtësi

Në orët e para të mëngjesit të djeshëm, kryetari i PD, Lulzim Basha zbardhi detajet dhe të vërtetën mbi arsyet e bllokimit të ri të Reformës në Drejtësi si dhe thyerjen e marrëveshjes së arritur një ditë më parë për miratimin e saj.
“E sigurt që shumica prej jush në këtë sallë kanë ndenjur deri në orët e vona mbrëmë dhe kanë nisur ditën sot herët në mëngjes, sikurse unë dhe bashkëpunëtorët e mi dhe mijëra qytetarë. Po, me mijëra qytetarë që dje pavarësisht bindjeve politike, iu bashkuan gëzimit të përligjur për arritjen e marrëveshjes kombëtare për Reformën në Drejtësi.
Marrëveshje, e cila nuk i shërben interesit të një partie politike, por interesit të Shqipërisë dhe çdo shqiptari. Kemi një marrëveshje. Përpjekjet tona kanë arritur një marrëveshje më të mirë, një projekt më të mirë, jo për Partinë Demokratike, por për Shqipërinë, ndaj sot i bëj thirrje të gjitha palëve ta votojnë këtë marrëveshje në Kuvendin e Shqipërisë.
Për fat të keq, mbrëmë, kjo marrëveshje është vënë sërish në dyshim dhe jam sot këtu për t’i shpjeguar çdo shqiptari faktet.
E para, ka pasur një mirëkuptim, një marrëveshje prej kohësh se për të katër institucionet, subjekt i nenit 88 do të aplikohej e njëjta formulë. Për të katër institucionet, e keni dëgjuar me dhjetëra herë këtë, ta them këtu në këtë sallë.
Të hënën, kjo pjesë e marrëveshjes është konfirmuar nga Partia Socialiste. Këtë e thotë negociatori i Partisë Demokratike, Oerd Bylykbashi. Këtë e konfirmon negociatori i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ylli Manjani. Të hënën, negociatori i Partisë Socialiste ka pranuar se marrëveshja qëndron për katër institucionet, sigurisht për KLGJ dhe për KLP me tre anëtarë për mazhorancën dhe dy anëtarë për opozitën”.
Lidhur me pretendimet mbi kushtet e reja të vendosura nga PD, Basha tha: “Është pretenduar dje, se Basha ka prezantuar kushte të reja pasi është arritur marrëveshja.  Ky është një mashtrim i turpshëm.  Ditën e hënë, Partia Socialiste i konfirmoi negociatorit tim përmes negociatorit të saj se marrëveshja është për të katër institucionet dhe shikoni çfarë ka thënë Lulzim Basha ditën e martë, një ditë para marrëveshjes së djeshme në këtë sallë në prani të gazetarëve: Mbi bazën e këtyre kritereve sigurisht do të vendoset nëse i plotëson apo nuk i plotëson. Dhe mosplotësimi i njërit prej kritereve automatikisht e çon aplikuesin në moskandidim. Plotësimi i gjithë këtyre kritereve përbën listën e kandidatëve nga e cila pastaj, sipas procedurës së parashikuar në procedurën hibride, përzgjidhen komisionerët e Vetting-ut, përzgjidhen komisionerët publikë, përzgjidhen anëtarët e KLGJ-së jogjyqtarë dhe anëtarët e KLP-së joprokurorë”. Pra, përzgjidhen komisionerët e Vetting-ut, përzgjidhen komisionerët publikë, përzgjidhen anëtarët e jogjyqtarë të KLGJ-së, përzgjidhen anëtarët joprokurorë të KLP-së, sipas të njëjtës formulë.
Ky ka qenë qëndrimi i Lulzim Bashës, për ata që nuk e dinë dhe për ata që rrejnë me dëshirë apo me projekte të zeza për Shqipërinë”.
Basha u bëri një thirrje edhe partnerëve ndërkombëtarë: “Dua t’u bëj me dije se çdo mashtrim që mund të kenë marrë dje nga pala kundërshtare bie përtokë me këto dy prova. U them gjithë partnerëve, SHBA, BE, këto janë fakte të bazuara mbi evidenca të pakundërshtueshme. Ky është qëndrimi im të martën.
Ku është kushti i ri? Ku është kushti i ri? Mbrëmë në mesnatë në një moment sinqeriteti, Fatmir Xhafaj, kryetari i Komisionit ad hoc për Drejtësinë, pranoi se drafti zyrtar i PS, drafti zyrtar që ndodhet sot në Kuvend sipas procedurave zyrtare, me përjashtimin e opozitës pas dështimit të së hënës, nuk përfshin as rekomandimet Nuland, as rekomandimet Hahn.
Por duan të na bëjnë ne, të besojmë që të pranojmë pjesën për KLGJ-në dhe për KLP-në. Pse?
Ky është një draft i parakorduar. PD, kurrë nuk e ka pranuar këtë draft, as nuk e ka parë këtë draft. Pjesa për KLGJ-në dhe KLP-në është formula e vjetër e votës të vetme të transferueshme që ne e kemi konsideruar publikisht vota e vetme e trafikueshme.
Pse ndodh kjo? Ndoshta e shpjegojmë pak më vonë.
Por ne kemi një marrëveshje. Ne i përmbahemi kësaj marrëveshje. Ne jemi gati ta votojmë këtë marrëveshje sot në Parlament, për interesat e Shqipërisë. Këtë kam deklaruar dje publikisht para shqiptarëve, këtë ka deklaruar në mënyrë unanime grupi parlamentar. Pse do ta bënim diçka të tillë? Pse do t’ia anonçonim marrëveshjen Kancelares Angela Merkel, ndihmëssekretares Victoria Nuland, komisionerit për Zgjerimin, Johannes Hahn, kryetarit të Partive Popullore Joseph Daul, kryetarit të Komisionit të Marrëdhënieve me Jashtë të Parlamentit Europian Elmar Brok, kryetarit të Presidencës të Bashkimit Europian Lajçak, në telefon gjatë gjithë ditës.
Pse do ta bënim këtë dhe pastaj të riktheheshim në tavolinë për të ribërë marrëveshjen? Pse, a mund ta thotë dikush?
Ky është një mashtrim i pacipë” tha Basha.
Ka një marrëveshje mbi tavolinë, u shpreh ai, dhe Edi Rama duhet ta zbatojë këtë marrëveshje dhe t’i japim shqiptarëve sot Reformën e shumëpritur në Drejtësi sipas draftit të rakorduar nga të gjitha palët.
“Partia Demokratike do të jetë sot në Parlament me votat e saj për këtë marrëveshje. I bëj thirrje Edi Ramës të heqë dorë nga lojërat dhe të heqë pengesën e fundit duke votuar marrëveshjen e arritur për Reformën në Drejtësi” tha Basha në fjalën e tij.

Arben Shahini

Artikulli paraprakDeputetja dorëhiqet sepse mashtroi me biografinë
Artikulli tjetërManjani: Xhafa mashtroi publikisht për negociatat