Rama, qëndrim gangsteri ndaj trupës akademike!

Reagimi i Berishës
Ish-Kryeministri Berisha ka reaguar ndaj sulmeve që Rama u bëri pedagogëve gjatë një takimi ditën e sotme. “Një qëndrim prej gangsteri i Edi Ramës ndaj trupës akedemike!”, shkruan Berisha në reagimin e tij në Facebook.
Postimi i plotë
Të dashur miq, pasi në një akt të pashembullt në historinë e vendit i ka lënë pa rroga trupën akademike të universiteteve publike, sot Edvin Kristaq Rama në një takim me përfaqësues të tyre u soll si një gangster i vërtetë politik. Ai shfrytëzoi takimin për të ofenduar dhe poshtëruar me gjuhë gangsteri të vërtetë këtë trupë akademike, duke i quajtur bisht kavalli dhe i kërcënoi me as më shumë dhe as më pak, por me prerje kokash!
Ky qëndrim dhe këto fjalë nuk janë dëgjuar kurrë në historinë e univesiteteve publike as në ditët më të zeza të diktaturës hoxhiste.
Duke dënuar me ashpërsinë më të madhe gjuhën prej gangsteri, ofendimin dhe poshtërimin nga ana e këtij llum-kazani të asistentëve, pedagogëve, profesorëve, por edhe studentëve, të cilëve ata u japin mësim, iu bëj thirrje të gjithë këtyre të dalin nga konformizmi i tyre dhe në emër të dinjitetit dhe integritetit të tyre njerëzor, të mbrojtjes së botës universitare akademike të ngrihen kundër këtij gangsteri me pushtet dhe narkoshtetit të tij! sb

Rama: Po vajtëm tek ajo pikë, duhen prerë koka
Kryeministri Rama është treguar arrogant sot me pedagogët e Universitetin e Tiranës. Me ton të ngritur kreu i qeverisë iu drejtua Senatit duke i thënë: “Nëse kërkoni që qeveria mos të merret më me paga jemi dakord, rritini vetë, ulini vetë, diferencojini vet. Jeni bishti i kavallit i të gjithë universitete të Shqipërisë. Për këtë s’ka faj as reforma, as ligji, as aktet nënligjore. Secili të mbajë përgjegjësinë e vet. Ne tonën, ju tuajën”. “Ne morëm një vendim për rritjen e rrogave por kjo është hera e fundit se i takon çdo Universiteti të vendosë për rrogat. Dikush të marrë më shumë dikush më pak, në varësi të kontributeve dhe performancës. Duhet të mbarojë historia që marrin të gjithë njësoj si një pedagog që mban shkollën në këmbë dhe një tjetër që e merr rrogën kot. Po kjo është një punë që e bën universiteti jo qeveria. Qeveria sulmohet për tarifat, nuk i vendosim ne, i vendos universiteti. Qeveria vendos një tavan për të shmangur abuzimet. Jeni të zgjedhur, flamurin e autonomisë e keni, tundeni. Mund të çohen nja 10-15 pedagogë e të thonë të ndryshohet ligji, kjo nuk ndodh, nuk bën vaki, ligji duhet zbatuar. Por ligjet mund të ndryshohen kur shihet që nuk funksionon diçka. Mos me çoni tek pika fundore, se ligji na e lejon te ndërhyjmë, por unë nuk dua. Po vajtëm tek ajo pikë, aty duhen prerë koka”, tha Rama.

Exit mobile version