Edi Rama ka vendosur të rikthejë në skenë “të fortët” për të siguruar një tjetër mandat në krye të qeverisë. Në vitin 2013 nuk la trafikant, vrasës dhe përdhunues pa kandiduar. Në 2021, me urdhër të amerikanëve duket se u pastrua Parlamenti, pasi emra si Tom Doshi e të tjerë ikën. Disa u dorëhoqën e disa përfunduan pas hekurave.
Por aleati i ngushtë i kryeministrit duket se ka në plan të rikthehet në sallën e Parlamentit. E kemi fjalën për Tom Doshin, kreun e Partisë Social Demokrate. Në vitin 2021 ai u bë gati të kandidonte, por ishte Yuri Kim që i dha ultimatum Ramës ta linte jashtë Parlamentit dhe Toma u tërhoq, duke kandiduar besnikët e tij, ku 3 prej tyre i ka sot deputetë.
Tom Doshi rezulton “non grata” në SHBA dhe në Britaninë e Madhe, teksa në Australi është akuzuar për grup kriminal. Mirëpo duket se tani i ka dalë frika, pasi Doshi ka njoftuar se do të garojë për deputet në zgjedhjet e 11 majit. Gjatë një takimi me strukturat e Shkodër, ai ka deklaruar se do të jetë kandidat për deputet në qytetin verior, teksa është shprehur se PSD do të ketë rezultat surprizë më 11 maj.
Tom Doshi ishte ndër të parët e shpallur “non grata” nga SHBA, bashkë me familjen. Ai akuzohet për korrupsion madhor. Më pas të njëjtën gjë bënë edhe britanikët, ku vetë Doshi e ka pranuar se edhe ata e kanë shpallur të padëshiruar.
Ndërkohë Projekti i Raportimit të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit (OCCRP) ka publikuar një artikull “bombë” kohë më parë, ku shprehej se Tom Doshit është akuzur për grup kriminal e trafiqe në Australi.
“Agjencia më e lartë e inteligjencës kriminale e Australisë dyshon se Tom Doshi, një biznesmen dhe politikan shqiptar me lidhje me kryeministrin Edi Rama, drejton një grup kriminal që kryen mashtrime me letrat për emigrantët, trafikon drogë dhe pastron para, por nuk përjashtohet edhe kryerja e veprave të tjera penale në Australi. Ky klan me qendër në Shkodër, një qark në Shqipërinë veriperëndimore, ka abuzuar sistematikisht me sistemin e emigracionit të Australisë për të ndërtuar “një strukturë të tërë kriminale shqiptare të krimit të organizuar”. Dokumentet, të prodhuara nga Komisioni Australian i Inteligjencës Kriminale (ACIC) dhe të shpërndara në agjencitë policore vendase dhe të huaja, bazohen në raporte të shumta nga forcat e policisë lokale dhe informacione nga organet e huaja të zbatimit të ligjit. Ata u panë nga gazetarët nga OCCRP dhe gazetat australiane si “The Age” dhe “Sydney Morning Herald””, thuhej në shkrim.
Dosjet përshkruajnë se si, që nga viti 2000, klanet shqiptare kanë përdorur mashtrimin dhe lidhjet familjare me agjentët e emigracionit për të zhvendosur njerëzit e tyre në Australi, duke ngritur grupe në Adelaide, Melburn, Perth dhe gjetkë. Doshi përshkruhet në dosje si “kreu” i një sindikate “që përbëhet kryesisht nga familja e tij e gjerë”.
“Ndonëse dokumentet nuk përmbajnë detaje rreth aktiviteteve të tij specifike, ato theksojnë se 8 nga të afërmit e tij kanë qenë “të implikuar” në “hetimet për pastrimin e parave të drogës”. Të afërmit e tij thuhet në raporte se kanë marrë viza australiane duke përdorur dokumentacion të rremë. Njëri aktualisht përballet me akuzat për trafik droge”, vijohej më tej.
Rikthimi tij në skenë dëshmon dy gjëra. Ose Rama e ka punë pisk në zgjedhje dhe tani po përdor metodat e vjetra për të mbajtur pushtetin. Ose po përdor krimin dhe paratë për të siguruar 84 mandate për ta kthyer vendin në diktaturë. /Pamfleti