Rama rikthen parullat e diktaturës në fasada

Rilindja urbane me gjasë është kuptuar gabim në fshatin Kudhës të Bashkisë së Himarës. Nga rilindje urbane ajo është kthyer në rilindje të diktaturës dhe parullave të saj. Një lloj rilindje komuniste, që në thelb, ngjan komike dhe krejt jashtë realitetit të sotëm. Pak kohë më parë, në disa nga godinat publike të fshatit u ringjallën parullat që komunizmi shkruante në mure në ditët e fundit të tij. Parulla absurde që bënin thirrje për të vënë në jetë mësimet e kongresit të 9–të të partisë dhe vendimet e tij. Edhe pse, as më 1986 kur u zhvillua ky kongres dhe as sot, asnjë njeri nuk e di se cilat ishin këto vendime dhe çfarë do të thoshin ato. Parullat që u shfaqën thuajse një vit më parë u fshinë nga të rinjtë, por ato u rishfaqën sërish në një godinë publike. Përtej shkeljes së ligjit dhe rikthimit të simboleve të diktaturës më të egër që ka njohur Europa Lindore, ato janë edhe shprehje e injorancës së shkruesve të tyre dhe shenjë se banorët atje, me gjasë nuk kanë kuptuar ende që sot jetohet në një kohë tjetër.
Parullat që vitin e shkuar u deklaruan si të frymëzuara nga deputetët socialistë të zonës, mund të konsiderohen edhe një kthim në identitet. Kudhësi dhe deputetët e tij, duhet të jenë të vetmit banorë të globit që jetojnë në një kohë tjetër, 26 vjet pasi ajo kohë ka mbaruar. Ngjajnë me atë ushtarin japonez në xhugël që në fund të viteve ’80–të nuk e dinte ende që Lufta e Dytë Botërore kishte mbaruar! Por fotot flasin vetë.

Artikulli paraprakSpiuni i trafikantëve të drogës, kryepolic në Korçë
Artikulli tjetërPlantacionet e kanabisit të mbrojtura nga çunat e krimit në Berat, Librazhd, Peshkopi dhe Mokërr