Rama rrëzoi dje përmes forcës së kartonit në Komisionin e Ligjeve, një nga kushtet e opozitës për t’iu rikthyer në normalitet Kuvendit, amendimin e ligjit për funksionimin e Komisioneve Hetimore parlamentare. Deputetët e Partisë Demokratike janë paraqitur të hënën në Komisionin parlamentar të Ligjeve, duke thyer kështu bojkotin disajavor që opozita i ka bërë veprimtarisë së Kuvendit. Dy nismat ligjore të propozuara nga Grupi parlamentar demokrat, ndryshimet në Ligjin “Për funksionimin e Komisioneve Hetimore” dhe ato në Ligjin “Për dekriminalizimin”, që po diskutohen sot në komision, janë dhe dy nga tre kushtet e vendosura nga opozita për rikthimin e saj në Parlament. Deputeti i PD-së, Eduart Halimi në prezantimin e amendimeve të ligjit “Për Komisionet Hetimore” tha se qëllimi i tyre është realizimi i së drejtës së pakicës për ushtrimin e hetimit parlamentar, në mënyrë që ai të realizohet i pavarur dhe i pakufizuar nga vullneti i shumicës. “Ne propozojmë ndryshimin e rregullave mbi vlefshmërinë e mbledhjes së komisionit, apo mënyrës së marrjes së vendimeve. Mbledhjet duhet të konsiderohen të vlefshme, kur në to marrin pjesë së paku të gjithë anëtarët që i takojnë grupimit politik, ku bëjnë pjesë nismëtarët e komisionit. Ky parashikim do të mundësonte realizimin e kontrollit parlamentar, edhe në ato raste kur shumica parlamentare nuk ka vullnet për të marrë pjesë në veprimtarinë hetimore”, tha Halimi. Ky parashikim, sipas tij, dikton dhe ndryshimin e rregullave mbi vendimmarrjen në komision. Vendimet, tha Halimi, duhet të merren me shumicën e votave të anëtarëve të pranishëm. “Këto ndryshime synojnë të zhbëjnë kuadrin kushtetues dhe ligjor të veprimtarisë normale të Parlamentit”, tha deputeti socialist Ulsi Manja gjatë mbledhjes. Por ky pretendim i ngritur nga Manja u hodh poshtë nga deputetët e opoziës të pranishëm në komision, të cilët e konsideruan këtë lëvizje si një përpjekje të qeverisë për të mos lejuar kontrollin ndaj saj. “Çfarë ndodh kur kryeministri nuk do që të kontrollohet veprimtaria e Kryeministrit? Asgjë, e bllokoi”, tha dpeuteti demokrat Eduart Halimi. “Të gjesh përplasje me jurisprudencën e Gjykatës Kushtetutese dhe me Kushtetutën është vërtet fantazi e shtyrë. Do të kërkosh shumë, në skajet e fantazisë dhe ta gjesh këtë”, tha nga ana tjetër, deputeti demokrat Oerd Bylykbashi. Ndërkohë, në mbledhjen e sotme, Komisioni i Ligjeve do të diskutojë një tjetër kusht të opozitës, amendimin e ligjit të dekriminalizimit, që synon të përcaktojë si rast ndalues dhe rastet, kur një zyrtar arrestohet në flagrancë për një krim kundër jetës.