Rama shkon te naftëtarët e Ballshit “duarbosh”, kreu i Sindikatës del i revoltuar: Nuk na garantuan pagat, nuk negociojmë!

Përfundon takimi mes naftëtarëve të Ballshit dhe Ramës, kreu i Sindikatës, Dautaj del i revoltuar: Nuk na garantuan pagat, nuk negociojmë!

“Ne kërkojmë të marrim pagat që kemi fituar në gjyq. Pagat nuk u morën përsipër, na thanë që është e panegociueshme. Takim të dytë do të ketë nëse do të mbahen premtimet”, u shpreh Dautaj.

Kreu i Sindikatës së Naftëtarëve, Sokol Dautaj, në dalje të takimit që përfaqësia e naftëtarëve kishte me kryeministrin Rama, u shpreh se nuk u arrit një dakordësi midis tyre dhe kreut të qeverisë.

Sipas Dautaj shteti nuk merr përsipër të paguaj pagat e prapambetura, por mund të bëjë të mundur hapjen e rafinerisë përmes një investitori serioz. Në mungesë të një dakordësie në lidhje me pagat, Dautaj theksoi se për rikthimin ose jo në grevën e urisë do të vendosin vetë naftëtarët.

“Kërkesa e parë që është diskutuar është për pagat e prapambetura. Asnjëra nga palët nuk ra dakord për pagat sepse ne nuk negociojmë për këtë. Është hedhur në tavolinë ideja për të hapur rafinerinë dhe është një vendim që do të merret nga naftëtarët ditën e nesërme. Gjithcka do ia lëmë kohës dhe e marrin kolegët.

Gjithcka do të diskutohet me kolegët nëse bien dakord apo jo. Ne jemi përfaqësues, por vendimin e marrim të gjithë bashkë. Kemi pikën e panegociueshme, kërkojmë të marrim pagat tona. Shteti nuk merr përsipër dhënien e pagave por vënien në punë të investitorit serioz.

Nuk thashë që dolëm nga takimi të lumtur me xhepa plot dhe do të ktheheshim në familje, por them që do të flasim nesër me naftëtarët. Po themi shumë qartë, pagat nuk u morën përsipër nga asnjëra palë“, u shpreh Sokol Dautaj.

Rama në deklaratën e tij për media pas përfundimit të takimit, u shpreh se ai u ofroi naftëtarëve një paketë ndihme ekomnomike pak më shumë se asistenca sociale, por jo dhënie të pagave të prapambetura.

Rama: Nuk kemi investitor gati për hapjen e rafinerisë

Kryeministri Edi Rama ka zhvilluar një takim me përfaqësinë e naftëtarëve të Ballshit, me të cilët ra dakord për ti dhënë mbështetje financiare, por nuk e zbuloi sa para do tu ofrojë. Para mediave, Rama u shpreh se aktualisht nuk është një investitor gati për të hapur rafinerinë por kanë bërë ndërmjetësin me disa kompani.

Mbetet për tu parë se çfarë vendimi do të merret nga naftëtarët pasi nuk ranë dakord në lidhje me pagat e prapambetura, megjithatë Rama theksoi se në kushte grevash, nuk pranon asnjë negociatë.

“Kemi ardhur me idenë për sqarimin e pagave por natyrisht duke pasur parasysh se janë gjithë ato familje që kalojnë një moment aspak të lehtë. Faktikisht kemi ndarë kohën në sensin se çfarë janë çështje që lidhen me marrëdhënie private, janë çështje që nuk i takojnë qeverisë, por çështja e këtyre njerëzve sot është një çështje që na takon ne, që ta adresojmë së bashku me ta, me mirëkuptimin e tyre, pasi rruga e thjeshtë ligjore do të ishte që të drejtoheshin në zyrat e punës për të marrë asistencën.

Bëhet fjalë për një grup njerëzish që kanë një eksperiencë dhe një formim profesional. Faktikisht rafineria është e fikur por nuk flasim për pagën. Nuk merremi me paga të prapambetura, nuk është çështja jonë, por çështje që ka të bëjë me marrëdhënien e tyre me kompaninë. Qeveria në një sistem si ky që kemi zgjedhur para 30 vjetësh nuk merr përsipër të zgjidhë çështjet e kompanisë. Bëhet fjalë për një kompani që nuk mund të ishte ndryshe për kohën kriminale që u krye nga qeveria e mëparshme.

Nuk mund ta di se kur nis për aq kohë sa nuk kemi një investitor që është gati për të rinisur në këtë moment në këtë sektor. Natyrisht që tregova se kemi bërë përpjekje, por jemi në një pozicion specifik se ne bëjmë ndërmjetësin duke kontaktuar jashtë vendit që nga Presidentë, si ai i Azerbajxhanit por jo vetëm ai për ti kërkuar mbështetje të kompanive të tyre, por në këto kushte sot, në këtë kohë janë të painteresuara. Nëse ka një kompani që është gati të hyjë në këtë punë duhet të merret vesh në bankat.

Është e drejta e tyre por në kushte grevash nuk negocioj. Ne marrim përsipër të paguajmë që ata të rrinë në shtëpi në kuptimin që të bëjnë dhe punë të tjera. Por nuk janë një grup i zakonshëm punëtorësh dhe ne nuk duam ti humbasim. Ne do vendosim në dispozicion një mbështetje financiare të arsyeshme. Biseda sot ishte për të marrë vesh për parimin”, tha Rama.

ramaa

Exit mobile version