Qeveria pritet të kalojë në pronësi të Bashkisë së Tiranës truallin e Teatrit Kombëtar.
Vendimi pritet të merret nga qeveria dhe vjen pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese.
Kjo e fundit tha se trualli i Teatrit Kombëtar i takon Ministrisë së Kulturës.
Por qeveria do ia kalojë sërish Erion Veliajt.
P R O J E K T V E N D I M
Nr. ______, datë ____________
PËR
KALIMIN NË PRONËSI TË BASHKISË TIRANË TË PASURISË NR.1/241, TË LLOJIT TRUALL, NË ZONËN KADASTRALE 8150, TIRANË
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 13 e 15, të ligjit nr.8743, datë 22.2.2001, “Për pronat e paluajtshme të shtetit”, të ndryshuar, të shkronjës “d”, të nenit 3, dhe të neneve 5, 7, 8 e 17, të ligjit nr.8744, datë 22.2.2001, “Për transferimin e pronave të paluajtshme publike të shtetit në njësitë e qeverisjes vendore”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Kulturës, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Kalimin në pronësi të Bashkisë Tiranë, të pasurisë nr.1/241, lloji truall në zonën kadastrale 8150, Tiranë, me sipërfaqe totale 5522.7 (pesë mijë e pesëqind e njëzet e dy pikë shtatë) m2, me adresë: rruga “S. Toptani”, Tiranë, me qëllim ndërtimin e një godine bashkëkohore të Teatrit Kombëtar.
2. Bashkisë Tiranë i ndalohet të ndryshojë destinacionin e pasurisë të përcaktuar në pikën 1 të këtij vendimi, ta tjetërsojë atë apo t’ua japë të tretëve në përdorim.
3. Pasuria e përcaktuar në pikën 1 të këtij vendimi, i shtohet listës përfundimtare të pjesshme të pronave të paluajtshme publike shtetërore, miratuar me vendimin nr.219, datë 21.3.2017, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e listës përfundimtare të pjesshme (pjesa e parë + pjesa e dytë) të pronave të paluajtshme publike shtetërore, që transferohen në pronësi ose në përdorim të njësisë administrative Tiranë, Bashkia Tiranë, të Qarkut të Tiranës”, të ndryshuar.
4. Ngarkohen Ministria e Kulturës, Bashkia Tiranë dhe Agjencia Shtetërore e Kadastrës për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në Fletoren Zyrtare.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
………………………………………………………………………………………………………………………………………………………….
PËR
PROJEKTVENDIMIN
PËR
KALIMIN NË PRONËSI TË BASHKISË TIRANË TË PASURISË NR.1/241, LLOJI TRUALL) NË ZONËN KADASTRALE 8150, TIRANË
1.QËLLIMI I PROJEKTAKTIT DHE OBJEKTIVAT QË SYNOHEN TË ARRIHEN
Qëllimi i përgatitjes së projektvendimit është kalimi në pronësi të Bashkisë Tiranë, të pasurisë nr.1/241, lloji truall në zonën kadastrale 8150, me adresë: rruga “S. Toptani”, Tiranë, me sipërfaqe totale 5522.7 (pesë mijë e pesëqind e njëzet e dy pikë shtatë) m2, nga ku 5522.7 m2 truall.
Nëpërmjet këtij projektvendimi, synohet kalimi në pronësi të Bashkisë Tiranë i sipërfaqes truall 5522.7 m2,me qëllim ndërtimin e një godine bashkëkohore të Teatrit Kombëtar.
I. VLERËSIMI I PROJEKTAKTIT NË RAPORT ME PROGRAMIN POLITIK TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, ME PROGRAMIN ANALITIK TË AKTEVE DHE DOKUMENTE TË TJERA POLITIKE
Projektvendimi “Për kalimin në pronësi të Bashkisë Tiranë, të pasurisë nr.1/241, në zonën kadastrale 8150, Tiranë”, është hartuar nga Ministria e Kulturës, në përputhje me fushën e veprimtarisë shtetërore që ka në kompetencë, si organ përgjegjës për hartimin dhe zhvillimin e politikave kombëtare në fushën e artit dhe kulturës. Projektvendimi nuk është parashikuar në planin e përgjithshëm të projektakteve të miratuar me vendimin nr. 1121, datë 30.12.2020 të Këshillit të Ministrave “Për miratimin e Programit të Përgjithshëm Analitik të Projektakteve, që do të paraqiten për shqyrtim në Këshillin e Ministrave gjatë vitit 2021”, i ndryshuar.
II. ARGUMENTIMI I PROJEKTAKTIT LIDHUR ME PËRPARËSITË, PROBLEMATIKAT, EFEKTET E PRITSHME
Hartimi i këtij projektvendimi vjen në zbatim të vendimit të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë me nr. 29 datë 02.07.2021 (V-29/21), e cila në përfundim të gjykimit kushtetues ka vendosur:
“1. Pranimin pjesërisht të kërkesës.
2. Shfuqizimin e ligjit nr. 37/2018 “Për përcaktimin e procedurës së veçantë për vlerësimin, negocimin dhe lidhjen e kontratës me objekt “Projektimi dhe realizimi i projektit urban dhe godinës së re të “Teatrit Kombëtar”, si të papajtueshëm me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë.
3. Shfuqizimin e vendimit nr. 377, datë 08.05.2020 të Këshillit të Ministrave “Për kalimin në pronësi të Bashkisë Tiranë, të pasurisë nr.1/241, me emërtimin “Teatri Kombëtar”, në zonën kadastrale 8150, Tiranë”, si i papajtueshëm me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë. 4. Rrëzimin e kërkesës për shfuqizimin e vendimit nr. 50, datë 14.05.2020 të Këshillit Bashkiak Tiranë, Bashkia Tiranë, “Për miratimin e shembjes së godinës të ‘Teatrit Kombëtar”, në pronësi të Bashkisë Tiranë, bazuar në Akt – Ekspertizën e hartuar nga Instituti i Ndërtimit “Mbi vlerësimin e godinës së Teatrit Kombëtar”, si të papajtueshëm me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë. 5. Pezullimin e zbatimit të ligjit nr. 37/2018 dhe VKM-së nr. 377/2020 deri në hyrjen në fuqi të vendimit përfundimtar të Gjykatës Kushtetuese. 6.Ky vendim është përfundimtar, i formës së prerë dhe hyn në fuqi ditën e botimit në Fletoren Zyrtare.”
Në kushtet kur vendimi i Gjykatës Kushtetuese ka arsyetuar se antikushtetueshmëria e vendimit nr.377/2020 shihet e lidhur ngushtë me ligjin nr.37/2018, duke arsyetuar se : “Pika 142 e vendimit…Në kushtet kur ligji nr. 37/2018 në nenin 4 të tij ka përcaktuar se në dispozicion të zhvillimit të projektit vihen pasuritë e paluajtshme në pronësi shtet, sipas parashikimeve të tij, Kodit Civil dhe legjislacionit për pronat e paluajtshme, edhe pse ai nuk përmban ndonjë delegim të shprehur për ekzekutivin në këtë drejtim, Gjykata vlerëson se miratimi i të njëjtave rregullimeve me dy akte me vlerë të ndryshme ligjore, pa asnjë referencë te njëri – tjetri, jo në kuptimin formal, por në substancë, nga dy organe të ndryshme, cenon parimin e hierarkisë së akteve ligjore dhe krijon, gjithashtu, pasiguri dhe paqartësi në zbatimin e këtyre normave juridike. Pika 143 e vendimit…Në këtë këndvështrim, Gjykata vlerëson se në miratimin e VKM-së nr. 377/2020 Këshilli i Ministrave duhet të kishte vlerësuar objektivisht edhe pajtueshmërinë e tij në substancë me parashikimet e kuadrit ligjor në fuqi dhe veçanërisht me rregullimet e ligjit nr. 37/2018.“, duke qënë se ligji nr.37/2018 dhe VKM nr. 377/2020 janë shfuqizuar nga Gjykata Kushtetuese, vlerësojmë se ka lindur një situatë e re juridike e cila duhet adresuar lidhur me nevojën për ndërtimin e godinës së Teatrit Kombëtar.
Ministria e Kulturës parashtron se ekziston domosdoshmëria objektive për të rregulluar nëpërmjet një akti nënligjor aspektet e ndërtimit të Teatrit Kombëtar, dhe pas një analize të situatës ligjore dhe financiare konkludon se:
Në terma financiarë Ministria e Kulturës, në buxhetin e miratuar në PBA 2021-2023 në zërin investime nuk disponon fondet e nevojshme për ndërtimin e Teatrit të Ri Kombëtar. Me fondet e aprovuara MK angazhuar në projekte të rëndësishme të trashëgimisë kulturore si :
a-Rikonstruksioni i Galerisë së Arteve ;
b-Rikonstruksioni i Piramidës (Bashkëfinancim me Bashkinë Tirane –zbatimi nga Bashkia Tiranë);
c-Rikonstruksion i Sallës së Akademisë së Arteve, (Bashkëfinancim me TAP-in, zbatimi nga Ministria e Kulturës);
d-Projektim dhe Implemetim i Mozaikut në Tiranë:
Gjithashtu, nga ana e Bashkisë Tiranë janë kryer veprime administrative në funksion të zbatimit të VKM nr.377/2020 dhe gjithashtu janë shpenzuar dhe alokuar fonde me qëllim ndërtimin e godinës së TK, dhe në funksion të efektivitetit dhe afatit të arsyeshëm të përmbushjes së qëllimit të ndërtimit të godinës së Teatrit Kombëtar çmohet e arsyeshme të mos ketë fragmentarizim të veprimeve administrative dhe veprime rivendikuese, si dhe ky proces përmbushet më mirë nga ana e Bashkisë Tiranë.
Për me tëpër, zona në të cilën gjendet godina e Teatrit Kombëtar, në pjesën më të konsiderueshme të saj, është sipërfaqe në pronësi të shtetit, dhe pjesa kufitare me këtë pronë rezulton në pronësi të Bashkisë Tiranë.
Duke qenë se Bashkia Tiranë kërkon të zhvillojë pronën e saj në shërbim të interesit publik dhe maksimalizimin e vlerës së saj, si dhe nisur nga fakti se njësitë e vetëqeverisjes vendore janë autoritetet përkatëse të planifikimit dhe zhvillimit të territorit, me qëllim menaxhimin e të gjithë zonës në pronësi të shtetit, sugjerohet të kalohet edhe kjo pronë (lloji truall) në pronësi të Bashkisë Tiranë, bazuar kjo edhe në nenin 8 të Ligji nr.139/2015 “Per vetqeverisjen vendore ku citohet se:
“Ushtrimi i autoritetit me interes publik vendor
1. Organet e njësive të vetëqeverisjes vendore mund të ndërmarrin nisma me interes publik vendor në territorin e juridiksionit të tyre për çdo çështje që nuk u ndalohet me ligj ose që nuk i është dhënë ekskluzivisht me ligj një organi tjetër shtetëror”
Me shkresën nr.29761/3, datë 19.07.2021 Bashkia Tiranë, i është drejtuar Ministrisë së Kulturës, duke cituar faktin se në respektim të parashikimeve që rregullojnë prokurimin ka hapur procedurën e prokurimit për shërbim konsulence, me objekt studim projektim “Ndërtim i Teatrit Kombëtar” duke konkluduar në lidhjen e kontratës më operatorin ekonomik fitues. Po kështu Bashkia ne shkresën e saj ka konkluduar se Këshilli i Ministrave aktin normativ nr.26, datë 22.06.2021, më anë të të së cilit është vendosur shtimin në buxhetin e Bashkisë Tiranë, si transfertë specifike, të fondit prej 900 milionë lekësh për ndërtimin e godinës së re të Teatrit Kombëtar. Po kështu është miratuar edhe leja ndërtimit për këtë objekt me zhvillues Bashkinë Tiranë nga Këshilli Kombëtar i Territorit.
III.VLERËSIMI I LIGJSHMËRISË, KUSHTETUTSHMËRISË DHE HARMONIZIMI ME LEGJISLACIONIN NË FUQI VENDAS E NDËRKOMBËTAR.
Ky projektvendim del në bazë dhe për zbatim të nenit 100 të Kushtetutës, neneve 13 e 15, të ligjit nr.8743, datë 22.2.2001, “Për pronat e paluajtshme të shtetit”, të ndryshuar, si dhe të shkronjës “d”, të nenit 3, dhe të neneve 5, 7, 8 e 17, të ligjit nr.8744, datë 22.2.2001, “Për transferimin e pronave të paluajtshme publike të shtetit në njësitë e qeverisjes vendore”, të ndryshuar, ku janë përcaktuar edhe kushtet, me anë të së cilave do të bëhet ky transferim dhe me konkretisht:
“Këshilli i Ministrave, në aktin e transferimit, përcakton kushtet e përdorimit të saj, ku kushtet e përdorimit të çdo prone respektojnë pavarësinë e njësive të qeverisjes vendore për përmbushjen e funksioneve me të cilat lidhet kjo pronë”.
Bazuar në nenin 8, të ligjit nr.8744, datë 22.2.2001, “Për transferimin e pronave të paluajtshme publike të shtetit në njësitë e qeverisjes vendore”, të ndryshuar, Kufizime mbi të drejtën e pronësisë janë:
a) Mosndryshim i destinacionit. Ndalimi i ndryshimit të destinacionit dhe/ose qëllimit të përcaktuar në aktin e transferimit pa miratimin e pushtetit qendror.
b) Kushte të veçanta përdorimi. Përdorimi i pronës në mënyrë që të garantojë ruajtjen e karakteristikave unikale të saj.
c) Kufizimet mbi të drejtën e tjetërsimit dhe të dhënies në përdorim. Për disa prona mund të ndalohet e drejta e tjetërsimit ose e dhënies në përdorim të të tretëve pa miratimin e pushtetit qendror. Ndalohet tjetërsimi ose ndërrimi i destinacionit të pronave publike, për të legalizuar ndërtime pa leje.
IV. VLERËSIMI I SHKALLËS SË PËRAFRIMIT ME ACQUIS e BASHKIMIT EUROPIAN (PËR PROJEKTAKET NORMATIVE
Ky projektvendim nuk ka për qëllim përafrimin e legjislacionit me Acquis e Bashkimit Evropian.
V.PËRMBLEDHJE SHPJEGUESE E PËRMBAJTJES SË PROJEKTAKTIT.
Ky projektvendim është i përbërë nga 4 pika, si vijon:
Pika 1 parashikon kalimin në pronësi të Bashkisë Tiranë, të pasurisë nr.1/241, lloji truall, në zonën kadastrale 8150, Tiranë, me sipërfaqe totale 5522.7 (pesë mijë e pesëqind e njëzet e dy pikë shtatë) m2, me adresë: rruga “S. Toptani”, Tiranë, qëllimin për të cilin bëhet ky kalim.
Pika 2 parashikon kufizimet mbi të drejtën e pronës që i kalon Bashkisë Tiranë. Konkretisht, në këtë pikë Bashkisë Tiranë i ndalohet të ndryshojë destinacionin e pasurisë, ta tjetërsojë atë apo t’ua japë të tretëve në përdorim.
Pika 3 parashikon shtimin e pasurisë në listën përfundimtare të pjesshme të pronave të paluajtshme publike shtetërore, miratuar me vendimin nr.219, datë 21.3.2017, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e listës përfundimtare të pjesshme (pjesa e parë + pjesa e dytë) të pronave të paluajtshme publike shtetërore, që transferohen në pronësi ose në përdorim të njësisë administrative Tiranë, Bashkia Tiranë, të Qarkut të Tiranës”, të ndryshuar.
Pika 4 përcakton institucionet përgjegjëse për zbatimin e këtij projektvendimi.
VI.INSTITUCIONET DHE ORGANET QË NGARKOHEN PËR ZBATIMIN E PROJEKTAKTIT.
Projektvendimi ngarkon për zbatimin e tij Ministrinë e Kulturës, Bashkinë Tiranë, si dhe Agjencinë Shtetërore të Kadastrës.
VII.PERSONAT DHE INSTITUCIONET QË KANË KONTRIBUAR NË HARTIMIN E PROJEKTAKTIT
Ky projektvendim është hartuar nga strukturat dhe drejtoritë përgjegjëse të Ministrisë së Kulturës.
XI. RAPORTI I VLERËSIMIT TË ARDHURAVE DHE SHPENZIMEVE BUXHETORE
Ky projektvendim nuk shoqërohet me efekte financiare.
X. HYRJA NË FUQI E PROJEKTVENDIMIT.
Ky projektvendim hyn në fuqi pas botimit në Fletoren Zyrtare.
MINISTRI I KULTURËS
Elva Margariti