Kryeministri Edi Rama vijon sulmet ndaj mediave. Në një postim në Facebook, Rama ka publikuar pamjet e një pallati të dëmtuar rëndë nga tërmeti në Durrës.
Ndërkohë, sipas kreut të qeverisë nuk ka asnjë asnjë rrezik shembjeje dhe mund të riparohet.
“Ja pra çfarë shkaktojnë paniku, ankthi dhe media, trinjakët e padurueshëm të kësaj situate, që marrin peng zemrat e mendjet e njerëzve të tromaksur nga goditja shkatërruese e Natyrës dhe Media”, shprehet Rama mes të tjerash.
Postimi i plotë
Miqtë e mi!
Shikojeni një shembull tipik se si paniku, ankthi dhe shoqja e tyre, media, mund të jenë këshilltarët më të këqinj të njeriut në këtë situatë të jashtëzakonshme emocionale, kur bëhet fjalë për të vlerësuar një godinë të goditur nga tërmeti!
Ky pallat, që më tmerroi edhe mua njësoj si juve kur e pashë, u bë objekt i lloj-lloj debateve me klithma agresive në tv, me lloj-lloj postimesh kobzeza në portale, me gjithëfarë statusesh lemerisëse në fejsbuk, sot u inspektua nga ekspertët ndërkombëtarë.
Konkluzioni:
Pallati nuk ka ASNJË RREZIK SHEMBJEJE
ËSHTË PLOTËSISHT I RIPARUESHËM
PAS RIPARIMEVE BANORËT MUND TË RIKTHEHEN QETËSISHT NË SHTËPI
Ja pra çfarë shkaktojnë paniku, ankthi dhe media, trinjakët e padurueshëm të kësaj situate, që marrin peng zemrat e mendjet e njerëzve të tromaksur nga goditja shkatërruese e Natyrës dhe Media./abcnews.al