Rama-Tahiri po fshehin provat e drogës dhe mbrojnë trafikantët

Kryetari i PD, Lulzim Basha, deklaroi dje se të gjitha denoncimet e PD për drogën janë vërtetuar. Në një postim në rrjetin social, Facebook, Basha shkruan se, Rama dhe Tahiri po fshehin provat dhe po mbrojnë trafikantët e drogës.
“PD denoncoi se në Shqipëri ka hyrë fara vietnameze e kanabisit. Rama e mohoi, por Guardia di Finanza konfirmoi se 70% e bimës ishte e tillë. PD denoncoi ngjarjen në Shëngjergj si vrasje për drogën. Rama-Tahiri e mohuan, e paraqitën si vetvrasje, por doli ekzekutim dhe Prokuroria po heton.
PD denoncoi tre ditë më parë se në zonën e Tapizës trafikantët marrin gra e fëmijë, i çojnë për të punuar kanabisin. Rama-Tahiri e mohuan, por dje janë ndaluar 5 vetë që i dërgonin gratë me furgona në Malësitë e Krujës për të punuar kanabisin. Kush thotë të vërtetën për drogën? Ne që e denoncojmë çdo ditë me prova dhe fakte, apo Edi Rama që i fsheh dhe mohon për t’u dhënë mbrojtje trafikantëve. #Shqipëria më mirë pa Edi Ramën”, shkruan Basha në reagimin e tij.
Vrasja e 36-vjeçarit Besnik Pudja para një jave në Shëngjergj u raportua nga policia si “vetëvrasje”, por u zbulua se ai ishte vrarë për të fshehur prodhimin dhe trafikimin e drogës. Petrit Pudja, babai i 36-vjeçarit Besnik Pudja, deklaroi se djalin ia kanë vrarë në një kapanon me hashash, por po tentohet të fshihet e vërteta, duke thënë ai ka vrarë veten. Petrit Pudja tregon për mediat se, pasi ia kanë vrarë djalin, kanë fshehur provat dhe kanë pastruar gjithçka në magazinë, duke e hequr drogën nga vendi ku ai u gjet i vrarë. “Unë di t’ju them vetëm kaq. Djali im nuk kishte asnjë arsye për të vrarë veten. Ai një natë para se të vritej më mori në telefon shumë i qetë dhe më tha se nesër (atë ditë që u vra), do të vinte në shtëpi. Vendi ku është gjetur i vrarë djali im nuk është stan, është një kapanon droge”, tregon Petrit Pudja. Nuk është rasti i parë që vriten dëshmitarë të drogës, deri tani ka shkuar në gjashtë numri i të vrarëve.

Exit mobile version