Tallja me pensionistët 230 lekë në muaj lëmoshë

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka dënuar ashpër dje vendimin e qeverisë në lidhje me indeksimin e pensioneve, duke e cilësuar si një tallje të rëndë pseudo-rritjen e shpallur nga qeveria për pensionistët. Duke zbardhur shifrat e vendimit skandaloz të qeverisë, Basha tregoi publikisht se ajo që qeveria shet si rritje pensionesh në fakt nuk mund të cilësohet as lëmoshë. “Edi Rama po fryn me pompë vendimin për indeksimin me 1.6 për qind të pensioneve, që në të vërtetë është një tallje e rëndë. Një tallje me 635 000 pensionistë, sepse sipas llogarisë për ata në zonat urbane, Edi Rama ka shtuar diku 2300 lekë të vjetra në muaj, ndërsa për ata në fshat 1300 lekë në muaj”, shkruan Basha në një reagim në Facebook.
Ndërsa dënon këtë akt skandaloz të qeverisë, Basha kujton nga ana tjetër rritjen e çmimeve për mallrat e përditshme të konsumit çka dëshmojnë se indeksimi i pensioneve nga ana e qeverisë nuk është gjë tjetër veçse përbuzje ndaj pensionistëve.
“Pra, një bukë e 100 gram djathë në muaj është bujaria e Edi Ramës, ndërkohë që çmimet sipas INSTAT-it qeveritar janë rritur me 4.8% për arsimin, me 16.3% për frutat dhe 7.1% për zarzavatet. Ky indeksim është një turp i qeverisë në ikje, një masë e pritur me përbuzje. Çfarë të paguajnë më parë pensionistët me këtë rritje? Çmimin e rritur të energjisë elektrike, të urbanit apo të barnave skarco të Beqajt? Asnjë vendim i tillë qesharak nuk e shpëton Edi Ramën nga pensioni i afërt politik”, ka theksuar Basha në reagimin e tij.
Qeveria shqiptare miratoi tre ditë më parë rritjen e pensioneve për 635,000 pensionistë në bazë të indeksit të çmimeve. Rritja e këtij viti është 1.6 për qind.
Pas mbledhjes së qeverisë, ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Blendi Klosi, bëri me dije edhe disa nga vendimet e tjera të qeverisë, miratuar sot që lidhen me pensionistët dhe skemën e kontributeve shoqërore. “Jam përpara jush për të bërë me dije vendimet e sotme të qeverisë. Edhe një herë kam kënaqësinë që përmes jush të sqaroj të gjithë qytetarët shqiptarë miratimin e 4 vendimeve shumë të rëndësishme që lidhen me pensionet dhe skemën e kontributeve shoqërore, një angazhim madhor joni për t’i dhënë fund kaosit që trashëguam në këtë institucion”.
Në mënyrë skandaloze, Klosi e veçoi si vendimin më të rëndësishëm të Këshillit të Ministrave, atë të rritjes së pensioneve, duke theksuar se qeveria e miratoi vendimin për rritjen e pensioneve në bazë të indeksit të çmimeve. “Rritja e pensioneve do të bëhet për të gjitha kategoritë e pensionistëve dhe ajo do të jetë në masën 1.6 për qind. Rritja e pensioneve 1, 6 për qind është më e lartë se një vit më parë, ku pensionet u rritën me 1.3 për qind dhe më e lartë se inflacioni i çmimeve të këtij viti, që është 1.2 për qind”, tha ministri Klosi, duke konfirmuar publikisht talljen e qeverisë me pensionistët.

Kërkesa për mallra dhe shërbime, rënie të fortë në tremujorin e parë të 2016

Bizneset kanë pohuar në një anketim për Bankën e Shqipërisë se, kërkesa për mallra dhe shërbime ka pësuar rënie të fortë në tremujorin e parë të 2016. Bizneset përfaqësuese të katër sektorëve kryesore, industrisë, ndërtimit, shërbimeve dhe tregtisë kanë pohuar për një rënie mesatare me 10 për qind të kërkesës konsumatore. Kjo është tkurrja më e madhe që nga tremujori i fundit i vitit 2013.
Bizneset e sektorit të ndërtimit kanë pohuar rënien më të fortë të kërkesës me mbi 30 për qind në tremujorin e parë. Rënie domethënëse të kërkesës kanë raportuar edhe sektori i industrisë dhe shërbimeve. Ekspertët shpjegojnë se, tremujori i parë i çdo viti karakterizohet me rënie të kërkesës me tremujorët e tjerë për shkak të një pauze që ka konsumi pas festave të funditvitit, por në 2016 rënia ka qenë më e madhe se zakonisht.
Kjo situatë është reflektuar edhe çmimet e ulëta të mallrave dhe shërbimeve. Sipas të dhënave të INSTAT inflacioni në muajt e parë të këtij viti ka qenë më shumë afër zeros së njëshit. Kërkesa e dobët konsumatore për mallra po ushtron presion për çmime të ulëta.
Kjo situatë po sjell efekte negative në të gjithë zinxhirin e ekonomisë, sidomos në shfrytëzimin nën potenciale të kapaciteteve të biznesit, e cila lajmëron për një perspektivë të dobët në rritjen e punësimit.
Paraja që qarkullon në ekonomi ka shënuar rritjen më të ulët të paktën që nga viti 2002, kur raporton të dhënat Banka e Shqipërisë, një tregues direkt ky i ngadalësimit të ekonomisë dhe që është reflektuar dhe në rritjen e dobët të çmimeve, duke ngjallur frikën për deflacion.

A.Shahini

Exit mobile version