Rama të mos heshtë, Serbia plan destabilizues

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, i kërkon qeverisë të tregojë më shumë përkushtim për mbrojtjen e të drejtave të shqiptarëve. Është fakt se kohët e fundit si në rastin Haradinaj dhe në atë të trenit serb, qeveria shqiptare ka reaguar me shumë vonesë dhe në mënyrë shumë të butë. Ka qenë opozita që ka ngritur menjëherë zërin në mbrojtje të të drejtave të shqiptarëve. Kreu i Partisë Demokratike në deklaratën e tij ka thënë: “Së bashku me, bashkëpunëtorët e Departamentit të Sigurisë Kombëtare, kemi ndjekur me shqetësim përshkallëzimin e situatës midis Serbisë dhe Kosovës në 48 orët e fundit, provokimin për hyrjen në territorin e Kosovës në mënyrë të  paautorizuar të të famshmit tren dhe pastaj gjuhën luftënxitëse të autoriteteve më të larta të Beogradit”.
Duke folur si në emër të PD ashtu edhe në emrin e tij personal, z. Basha ka dënuar pa asnjë ekuivok këtë sjellje provokative me tone destabilizuese të Beogradit dhe autoriteteve më të larta të tij. Përtej sezonit elektoral që sapo është hapur në Serbi, sjellja dhe gjuha e Beogradit sjell në vëmendje aktet destabilizuese dhe kërcënuese për paqen dhe sigurinë në rajon dhe qëndrime të vjetra të tejkaluara bashkë me regjimin e Slobodan Milosheviçit.
Ai tha se kërkonte të shprehte mbështetjen e tij të plotë për autoritetet e Kosovës, për Presidentin, qeverinë dhe Parlamentin, për Policinë e Kosovës, njësitë speciale dhe qytetarët e Kosovës, të cilët me gjakftohtësi, por me vendosmëri, kanë qëndruar para kësaj sprove, para këtij provokimi, duke e sprapsur atë. Kjo është një sprovë dhe provokim edhe për NATO-n edhe për BE. Duke përmendur këto dy institucione si garantues të stabilitetit në rajon, z. Basha kërkoi reagim të qartë e të prerë të tyre. “Ndaj kërkoj dhe mbështes, tha ai, një reagim të qartë e të prerë që konfirmon përkushtimin e NATO-s dhe BE ndaj një Ballkani në paqe, me kufij të pandryshueshëm dhe një stabilitet që mund të burojë vetëm përmes marrëdhënieve të mira dhe miqësore me njëri-tjetrin. Incidenti dhe provokimi me trenin, gjuha që pasoi, përdorimi i një fletarresti të vjetëruar dhe të pavleftësuar nga drejtësia ndërkombëtare ndaj Ramush Haradinajt dhe fillimi i ndërtimit të një muri në Mitrovicë, janë pjesë e një plani të mirëpërgatitur, i cili shkon përtej propagandës dhe përtej kalkulimeve të politikës së brendshme”.
Sipas shefit të PD, përgjigjja i takon në radhë të parë shtetit dhe institucioneve të Kosovës dhe këtu partitë politike shqiptare duhet të bashkojnë njëzëri qëndrimet, Shqipëria do të jetë njëzëri në mbështetje të Republikës së Kosovës, qeverisë së Kosovës dhe institucioneve të Kosovës. Por ky plan i mirëpërgatitur, i cili cenon dhe rrezikon seriozisht jo vetëm integritetin territorial dhe politik të Republikës së Kosovës, por edhe stabilitetin rajonal, kërkon një përgjigje të mirëpërgatitur nga të gjitha palët, interesat e të cilëve preken nga destabilizimi i Ballkanit Perëndimor. NATO, BE dhe padyshim Shqipëria si shtet fqinj i Kosovës, si shtet me interesa të qarta kombëtare për mbrojtjen e të drejtave të shqiptarëve kudo që jetojnë dhe si anëtare e NATO-s. Kjo përgjigje do të përshkallëzohet, përgatitet dhe të shpaloset në të gjitha rrafshet e në veçanti në rrafshin diplomatik dhe në atë të mbrojtjes dhe sigurisë kombëtare.
Duke folur gjithashtu edhe për paaftësinë e qeverisë Rama që të ngrejë zërin në nivelin që i takon problemit, z. Basha ka thënë: “Është e pamjaftueshme që reagimi i Shqipërisë zyrtare të kufizohet me deklarata për shtyp apo akoma më keq deklarata në Facebook. Dua të theksoj se momenti nuk është për t’ju rikthyer lojërave të brendshme politike apo përdorimit për konsum politik të kësaj çështjeje. Por i kërkoj kryeministrit shqiptar, z. Rama të bëjë më shumë se sa reagimi në Facebook, të bëjë detyrën që i takon, sa kohë është kryeministër i Shqipërisë”.
Në përfundim ai ka garantuar se ai vetë si lider i opozitës në Shqipëri dhe Partia Demokratike, opozita janë të gatshëm të japin ndihmën dhe kontribut të plotë për përgatitjen e një përgjigjeje, një reagimi dhe një mbështetjeje të plotë nga Shqipëria zyrtare në radhë të parë ndaj shtetit të Kosovës dhe së dyti si anëtare e NATO-s për të parandaluar përshkallëzimin e situatës, që vjen si rezultat e një plani të mirëpërgatitur dhe provokimeve serbe, për të kontribuar për një klimë të çtendosur, për rikthimin e dialogut, paqen dhe sigurinë në rajon.

Redin Hafizi

Exit mobile version