Artistët paralajmëruan protesta dhe bojkot të shfaqjeve deri në ndalimin e projektligjit të Ministrisë së Kulturës për ndërtimin e një kulle në vend të Teatrit Kombëtar. Aktorë dhe regjisorë të karrierës, të mbështetur edhe nga të rinjtë e skenës së teatrit, kinemasë, studentë dhe profesorë të Universitetit të Arteve i kërkojnë ministres së Kulturës, Mirela Kumbaro, një takim për të ndaluar zhvendosjn e Teatrit Kombëtar në një godinë tjetër, tek Turbina.
Gjatë mbledhjes së Sindikatës së Artistëve të Skenës dhe Ekranit, paralajmëruan qeverinë se nuk do të dalin kurrë nga teatri. Kërkesa u firmos nga mbi 70 artistë në sallën “Black Box” të Universitetit të Arteve, që u pri nga një diskutim mbi një orë. Mbi këtë çështje për herë të parë u shpreh publikisht edhe aktori i madh i skenës së teatrit dhe kinemasë, Robert Ndrenika.
Robert Ndrenika tha se nuk ishte tërhequr nga deklarata e tij, se do të shtrihej në teatër, nëse godina do të prishej, megjithëse Mirela Kumbaro e kishte ironizuar. Në përgjigje ai e quajti Mirela Kumbaron “ministresha” dhe e këshilloi ta përdorë godinën e Turbinës për takimet e fushatës elektorale, sepse për Teatër Kombëtar ajo ishte qesharake.
Ndrenika tregoi sesi hapësirat e Teatrit Kombëtar janë ngushtuar ndër vite nga kullat apo bizneset përreth. Por ajo që ishte më e rëndë ishte se aktori paralajmëroi se me zhvendosjen e teatrit, qeveria po i hap rrugën ngritjes së kullave në qendër të Tiranës, ku teatri do të jetë thjesht një aneks i ngrehinave të reja.
Plani për të cilin flet aktori i madh ngjan pikë për pikë me atë që u zbatua me stadiumin “Qemal Stafa”. Stadiumi i ri u shemb për t’u rindërtuar bashkë me një kullë përkrah. Pra, pas stadiumit me kullë, ideja është që të kemi një teatër me kullë.
Protestat dhe deri në pezullimin e shfaqjeve janë dy nga propozimet e hedhura nga aktorët dhe regjisorët në mos zgjidhje të kërkesave të tyre. Një tjetër angazhim i Sindikatës së Artistëve të skenës dhe teatrit dhe atyre që nuk i përkasin asaj është krijimi i një nisme ligjore, ku artistë të jenë pjesë në të ardhmen e çdo vendimmarrje për skenën e teatrit dhe kinemasë.
Julian Deda: Mjaft arrogancës qeveritare
Aktori i njohur Julian Deda përmes një postimi në rrjetet sociale shkruan se artistët po flasin, po protestojnë, po reagojnë dhe kjo është një shenjë e mirë për të ardhmen. Artistët kundërshtojnë ligjin e ri për artin dhe mbylljen e godinës së vjetër të Teatrit Kombëtar, ndërsa Deda shkruan se e gjithë kjo situatë vjen si rezultat i arrogancës shtetërore, që për fat të keq drejtohet nga një artist që përbuz artistët.
“Sot artistët, kryesisht ata të artit skenik u mblodhën për të shprehur shqetësimet e tyre dhe për të rakorduar veprimet e mëtejshme për të kundërshtuar ligjin e ri për artin dhe për të mos lejuar mbylljen e godinës së vjetër të Teatrit Kombëtar, deri në momentin që të bëhet transparent projekti i ri.
Njëzëri shpalosën kërkesat e tyre dhe nëse nuk do ketë reagim nga institucionet përkatese, atëherë do shkohet drejt një bojkoti të gjithë aktivitetit artistik në Teatrin Kombëtar dhe jo vetëm.
Mirëpo jehonën e këtij aktiviteti e mbyti palo Parlamenti, i cili uzurpoi të gjitha mediat. Turp më të madh nuk ka. Ju siguroj se salla e mbushur me artistë është 1000 herë më e bukur se salla e Parlamentit.
E gjithë kjo situatë vjen si rezultat i arrogancës shtetërore, që për fat të keq drejtohet nga një artist që përbuz artistët. Megjithatë ky është vetëm hapi i parë, që artistët më në fund e hodhën të gjithë bashke dhe jo të ndarë. Artistët po flasin, po protestojnë, po reagojnë dhe kjo është një shenjë e mirë për të ardhmen. Mos na lini vetëm në këtë përpjekje për t’u ndjerë artistë normal në një vend anormal”, shkruan Julian Deda.
Artistët: Qeveria po vret pluralizmin kulturor
Të organizuar në Sindikatën e Artistëve të skenës dhe ekranit, në një mbledhje të hapur për mediat, artistët diskutuan mbi zhvendosjen sipas tyre tërësisht jotransparente të trupës së Teatrit Kombëtar tek Teatri “Turbina” dhe njëkohësisht amendimet në ligj që ata mendojnë se “cënojnë rëndë” statusin e artistit.
Arben Derhemi: Teatri Kombëtar pas pesë vjetësh që ka ikur këtej të vijë për godinën e re, e cila do të jetë një godinë e re, marramendëse, fantastike, por nuk dihet se si është pasi nuk ka projekt.
Neritan Liçaj: Personalisht mendoj se duhet ta ngremë presionin shumë lart nëpërmjet protestave, nëpërmjet shumë institucioneve, Parlament, Kryeministri, Presidencë, të ftojmë Shoqërinë Civile, pra të ngremë një valë të madhe kundër kësaj arrogance.
Genc Fuga: Këtu po demitizohet dëshira e liderëve të komunitetit tonë për t’u shtrirë në rast se prishet teatri.
Altin Basha: U sulmuan fillimisht institucionet që kishin ndërtuar artistët, me pak presion, me pak lobim, me pak mundësi, për të ardhur tek pika e fundit që është ligji. Me pak fjalë unë e kuptoj këtë si vrasje të pluralizmit kulturor.
Mehdi Malkaj: Ne nuk jemi skllevër, ne jemi vlerë kombëtare! Ata na marrin na nxjerrin përjashta. Pse na nxjerrin përjashta?