Rama tentoi të blinte Blushin dhe Hafizin me poste ministrore

Deputetja Mimoza Hafizi deklaron se Kryeministri Rama u ka ofruar post ministror asaj dhe deputetit Ben Blushi për t’i joshur që të mos largohen nga Partia Socialiste. Hafizi nuk ka përcaktuar se kujt konkretisht iu ofrua posti, por ka deklaruar se kjo ofertë është përbuzur me neveri nga dy deputetët që zyrtarisht nuk janë më pjesë e Partisë Socialiste. E pyetur nga “Ora News” se, pse duhet të besojnë socialistët tek ajo dhe Blushi, se ata nuk janë larguar se nuk morën benefite nga PS, por u larguan për parime, Hafizi tha se Rama në muajin korrik u kishte ofruar poste ministrore që ata të mos largoheshin nga Partia Socialiste. “Gjatë korrikut, kur qeveria e zotit Rama ndjeu njëfarë rreziku, na kanë ofruar poste ministrash, ne e kemi refuzuar me përbuzje”, tha ish-deputetja socialiste. “Ose njërit ose të dy, kjo nuk ka rëndësi, ne bashkë jemi dhe e vetmja gjë që ne kemi kërkuar për të mbështetur këtë mazhorancë, kemi kërkuar që të kthehen zgjedhjet në PS dhe të kthehet mendimi ndryshe”, tha Hafizi. Pak ditë më parë, deputetja shkodrane Mimoza Hafizi deklaroi largimin nga Partia Socialiste. “Nuk jam më pjesë e Partisë Socialiste”, ka deklaruar ajo, pas një takimi të zhvilluar me qytetarët në ambientet e Muzeut Kombëtar, ku Blushi ka shpjeguar ambicien e tij politike për të krijuar një parti.

Artikulli paraprakBasha fton shqiptarët në SHBA të votojnë Suzanna Shkrelin kongresmene
Artikulli tjetërMaskat grabisin 15 milionë lekë në një supermarket në Maliq