Pasditen e sotme, drejtuesi politik i Koalicionit Euroatlantik, Lulzim Basha ishte në Shkodër dhe bashkë me kandidatët për deputet në këtë qark, u takuan me qytetarë dhe sipërmarrës. Vizita u mbyll me një takim në një shtëpi tradicionale shkodrane, ku Basha në fjalën e tij foli për mungesën e transparencës dhe dështimin e qeverisë në përmbushjen e premtimeve për 12 vite.
Ai ironizoi Ramën duke thën se fraza që tashmë është bërë popullore 7×7=313, po përdoret edhe nga vet kryeministri por që nuk e çon deri në fund pasi nuk përmend dot shokët që ka atje. Basha më tej tha se e vërteta është arma më e fortë e Koalicionit Euroatlantik, ndërsa mbështetja e drejtësisë dhe barazia para ligjit mbeten objektiva kryesore.
Pjesë nga fjala e Bashës:
E keni dëgjuar besoj, i fundit në Shqipëri që kishte mbetur pa thënë 7×7, tani filloi dhe Edi Rama me 7×7. Por s’po ia zë goja të vërtetën deri në fund, a ka frikë apo turp, apo të dyja bashkë, i takon atij t’ua thotë shqiptarëve dhe shkodranëve. Sigurisht në bindjen time ka dhe frikë, edhe turp. E ka filluar me 7×7, goja s’po ia zen 313-ën, por thotë 6. Po as 6, as 60 milionë, as 600 milionë, kot e rrotullon gjuhën nëpër gojë, 7×7 bëjnë 313, atje ku janë shokët e Edi Ramës ku kanë përpirë qindra miliona e miliarda nga taksat e shqiptarëve. Edhe për 12 vite, nuk ka realizuar asnjë nga premtimet, përkundrazi ka përkeqësuar çdo tregues të vendit. Kjo është e vërteta. Dhe pse është e vërtetë, ka ngjitur kudo. Kjo është e vërteta që ne skemi as turp, as frikë ta themi. Sepse me ekipin tonë, në programin tonë, në kauzën tonë, ka diçka që na diferencon nga ata që kanë frikë apo turp nga e vërteta. E vërteta është arma jonë më e fortë. E drejta, drejtësia e pavarur, e verbër, në kuptimin e barazisë para ligjit është objektivi jonë. Barazia para ligjit është instrumenti ynë për të bërë realitet atë që qëndron në emrin e Koalicionit tonë dhe që është aspirata e Shkodrës dhe e gjithë Shqipërisë. Një shqipëri e zhvilluar, europiane dhe e mirëqen. Një Shqipëri e standarteve e njëjta me ato të vendeve ku për fat të keq është larguar një pjesë e madhe e rinisë shkodrane, e shumë të tjerë duan të largohen. Megjithatë, sot është një ditë për t’u inkurajuar nga prania e kësaj rinie, nga fuqia dhe energjia që i keni dhënë fushatës të kandidatëve tanë, duke përfshirë kandidatët tanë përfaqësues të kësj rinie shkodrane, dhe mbi të gjitha nga shpresa dhe besimi se e nesërmja do jetë më e mirë.