Rama u jep bandave lulishten pas “Qemal Stafës” për shesh ndërtimi

Edi Rama ka vendosur që aneksin e stadiumit “Qemal Stafa” ta vërë në dispozicion të një bande tjetër kriminale. Zona e parashikuar për tu ndërtuar kënd lojrash nga Bashkia kur drejtohej nga Basha është zhdukur si projekt dhe në vend të saj do të zhvillohet një projekt klientelist betoni.
Më parë, kur bashkia drejtohej nga Basha, kjo zonë ishte parashikuar të bëhej lulishte, me kënd lojërash për fëmijët në shërbim të komunitetit. Por Edi Rama e ka fshirë këtë projekt dhe ka në plan që t’ia japë bandës tjetër të preferuar, atë të Shullazit dhe një bande tjetër.
Partia Demokratike ka denoncuar dje nisjen e zbatimit të planit të Erion Veliajt, për ta kthyer territorin pas stadiumit “Qemal Stafa”, nga lulishte që ishte parashikuar kur bashkia drejtohej nga Lulzim Basha, në shesh ndërtimi për kulla betoni për bandat kriminale të lidhura me qeverinë.
Partia Demokratike, prej dy muajsh ka bërë publik planin e Veliajt për të dhënë këtë zonë në qendër të Tiranës për interesat e Hakmarrjes për Drejtësi dhe bandës së Shullazit.
Këshilltarët demokratë në Bashkinë e Tiranës, Spaho dhe Olli bënë dje thirrje për ndaljen e këtij projekti, pikërisht pranë territorit që nga lulishte, Veliaj ka nisur ta kthejë në territor me beton.
“Frika jonë është që pas parkimit të jepen leje pas leje për pallate shumëkatëshe në këtë zonë të qytetit, e cila ka shumë nevojë për parqe dhe për një jetë shumë më cilësore për banorët e Tiranës. Së pari kjo zonë absolutisht cilësore po degradon dhe po lejohet tjetërsimi i saj në një masë fillestare dhe më pas bashkia të ketë mundësinë të japë një leje për tjetërsim për ndërtim. Ne absolutisht kërkojmë që të bëjmë transparente të gjitha vendimet nga Bashkia e Tiranës përsa i përket destinacionit të kësaj zone”, tha Spaho.
“Gjërat ditë pas dite po bëhen gjithnjë e më të qarta. Veliaj si noter përfundimtar i bandave të qeverisë, i mafies së betonit të lidhura ngushtë me to, po tenton me zhvendosjen graduale të destinacionit nga lulishte drejt një elementi të betonizuar sikundër e ka shumë për zemër dhe shumë shpejt, në seli të bandave kriminale të lidhura me pushtetin, që do të kenë pranë stadiumit me kullë ose kullës në stadium, kullën e tyre për të vijuar të qeta veprimtarinë kriminale.
Është për të ardhur keq dhe është një ngjarje jashtëzakonisht e rëndë që ky destinacion kaq i rëndësishëm në këtë zonë, që ka qenë për lulishte qysh në fillim, ky ambient i cili në kundërshtim me planet vendore në fuqi dhe në kundërshtim me ligjet po tjetërsohet në mënyrë jo transparente. Ky pra, është treguesi më i qartë që pushteti i ka shtrirë rrënjët thellë edhe në bashki, ku modeli i vendimmarrjes së lidhur me krimin në pushtet dhe mafies së betonit, po fillon tjetërsimin e këtyre ambienteve. Kjo do të kundërshtohet me të gjithë forcën dhe mjetet që na jep kuadri ligjor dhe me çdo mjet bashkë me qytetarët e Tiranës”, tha Olli.

Artikulli paraprakSpanja do t’i shkojë deri në fund Europianit
Artikulli tjetërKriminale, tonelata plehra kimike derdhen në rezervuarin e ujit të Bovillës