Rama: U kemi pirë gjakun shqiptarëve

Duan gjak. E gjithë historia e tyre është ajo e pirjes së gjakut të shqiptarëve. Kryetari socialist e deklaroi dje vetë këtë gjatë takimit të Grupit parlamentar socialist. “Dhënia e gjakut nga deputetët e PS balancon idenë se ne nuk pimë vetëm gjak, por krijon idenë se ne edhe japim gjak”.
Konteksti i deklaratës së Ramës ka të bëjë me atë që ka ndodhur përgjatë qeverisjes në katër vitet e para, por edhe që nuk do të ndryshojë në mandatin e dytë. “Pirja e gjakut” është një simbolikë për mjerimin që kjo qeveri u ka sjellë shqiptarëve. Sot 45% e popullsisë së vendit jeton sipas Bankës Botërore në kushtet e varfërisë dhe ushqehet me 5 dollarë në ditë. Po sipas Bankës Botërore, sot shqiptarët janë më të varfër edhe se serbët, maqedonasit dhe malazezët sepse qeveria u ka pirë gjakun ashtu sikurse Rama e pohoi vetë dje.
“Ju drejtohem si prind dhe ju mund të më kuptoni shumë mirë për të organizuar seancë dhurimi gjaku. Në momentin kur ka sensibilizim, ka edhe më shumë dhurim. I kam kërkuar kryetarit të grupit që të organizojë një seancë të dhurimit të gjakut deputetëve, ju bën mirë, bën mirë edhe nga pikëpamja e imazhit, por edhe balancon idenë se ne nuk pimë vetëm gjak, por krijon idenë se ne edhe japim gjak. Do e bëjmë në Kryeministri dhe në fund duke parë sa gjak mungon do i marrim çdo ministri për të plotësuar angazhimin e qeverisë”, tha Rama.
Kjo është arroganca dhe tallja që Rama i bën një populli, të cilit i ka hequr të drejtën fondamentale të siguruar 25 vite më parë, atë të votës së lirë. Sot shqiptarët janë si skllevër sepse ata nuk mund të zgjedhin lirisht qeverinë që duan. Ndaj qeveritarët nuk sillen me popullin si njerëz të përgjegjshëm. Kryeministri sillet si faraon që ushqehet me gjakun e këtyre njerëzve, të cilët duket se nuk u ka mbetur aq gjak sa të reagojnë si njerëz dinjitozë në mbrojtje të lirive dhe të drejtave të tyre.
Pas thirrjes për pirjen e gjakut edhe vlerësimi i dytë i djeshëm i Ramës kishte të bënte me vlerësimin për ministrin e fundit të Sigurimit të Shtetit që kishte rikthyer rregullin në sallën e Parlamentit.
“Falënderoj Gramozin që realisht që na ktheu shpresën, se në atë sallë mund të ketë sens dhe rregull dhe se aty mund të flitet për njerëzit dhe jo për njëri-tjetrin. Dua të nënvizoj një detaj që është shumë i rëndësishme për fat të keq, ndërkohë që nuk duhet të ekzistonte që fillimi për herë të parë, mesa pyeta edhe disa kolegë, në historinë e Kuvendit, nisja e seancave në orën fiks të përcaktuar është një normë që ne do ta respektojnë për 4 vjet”, tha Rama.

Qeveri shëtitëse për show

Sipas Ramës, “pavarësisht reagimit të PD-së ndaj qasjes sonë, ajo nuk ndryshon, ne nuk shkojmë aty për avazin e vjetër”.
Gjatë fjalës së tij në mbledhjen e Grupit parlamentar të PS, Edi Rama tha se qeveria gjatë një viti politik do të mblidhet nga një herë në çdo qark të vendit. Ai tha ndër të tjera se, çdo ministër duhet të qëndrojë 1 herë në një muaj në një qark për të qenë afër qytetarëve.
“Qeveria gjatë një viti politik do të mblidhet nga një herë në çdo qark. Jo për mbledhje simbolike, por për t’u spostuar në çdo qark për të punuar atje. Çdo ministër duhet të qëndrojë 1 herë në një muaj në një qark. Do të zbatojmë kontratën me qytetarët”, tha Rama.
Ndër të tjera, ai u shpreh se pavarësisht reagimit të PD do të vazhdojnë të respektojnë seancat në Kuvend.
“Do të respektojmë çdo seancë. Ju falënderojmë për këtë kontribut, unë dua të nënvizoj se pavarësisht reagimit të PD ndaj qasjes tonë. Qasja jonë nuk ndryshon dhe ne nuk do të shkojmë në atë sallë për avazin e vjetër, por për të respektuar rendin e ditës dhe për ta mbajtur të shtrirë dorën opozitës. Në mbledhjen e ardhshme të grupit do të nënshkruajmë marrëveshjen e mirëkuptimit mes anëtarëve të kabinetit dhe ministrit. Marrëveshja përmban gjithçka na duhet për të pasur një fuqi komunikuese me publikun”.
Kryeministri Edi Rama në fund të fjalës së tij dje para Grupit parlamentar të PS-së, teksa janë zgjedhur krerët e rinj të komisioneve u është drejtuar me një kërkesë detyruese për dhurim gjaku.

Artikulli paraprakMbombo: Dua Europën
Artikulli tjetërProcesi i ri në PD, Basha shtrin dorën e bashkëpunimit