Përpjekjet e Rama-Kokëdhimës për të tjetërsuar pronat e banorëve të Himarës kanë çuar në përleshje të gjakosur mes anëtarëve të Këshillit Bashkiak të këtij qyteti dhe disa banorëve, pronat e të cilëve cenohen nga ndërtimi i një fshati turistik. Ky i fundit po ndërtohet nga një ortak dhe mik i ngushtë i Edi Ramës. Banorët e lagjes Spile kishin shkuar për të parashtruar ankesën e tyre në Këshill për planin e ri urbanistik dhe cenimin e pronave të tyre nga një fshat turistik, por janë hasur me dhunën e disa personave. Sipas dëshmitarëve, agresorët nuk ishin të zonës, por të ardhur nga Tirana. Për këtë ngjarje edhe policia ka nisur hetimet dhe ka shoqëruar dy persona, një nga Himara dhe një tjetër nga Tirana. Ndërkohë dëshmitarët e pranishëm në sallën e mbledhjes së Këshillit Bashkiak rrëfejnë incidentin dhe kërcënimet e personave që ushtruan dhunë. Manol Zoto, dëshmitar i ngjarjeve deklaron se, në mbledhjen e Këshillit Bashkiak ishin të gjithë pjesëtarët e lagjes Spile, nga fiset Zotaj, Neranxi, Konomi, Milo etj. Ai shprehet se në fund të mbledhjes iu dha e drejta e fjalës për të shprehur shqetësimin, por në këtë moment, sipas Manol Zotos, tek dera shfaqen tre-katër persona nga Tirana dhe nisën të godisnin ata që ishin tek dera, mes tyre një të moshuar dhe një djalë të ri. “U futëm për t’i ndarë ata dhe u bë një rrëmujë e madhe”, rrëfen Zoto. Banorët e Himarës ngrenë shqetësimin për planin urbanistik, pasi pronat e tyre cenohen nga ndërtimi i një plani urbanistik. Ndërkohë për këtë incident ka reaguar edhe PBDNJ, e cila deklaron se kryebashkiaku Goro po u grabit pronat qytetarëve himarjotë dhe po i dhunon. Shkak i përplasjes fizike ka qenë projektvendimi i Bashkisë së Himarës për pronat. Po dje, banorët e Himarës i kanë dërguar një mesazh edhe nëndrejtorit të përgjithshëm të policisë së shtetit, Ardian Çipa. “Sot, individë të dhunshëm nga Laçi, u futën në mbledhjen e Këshillit Bashkiak të Himarës dhe pasi shanë me fjalor skandaloz, dhunuan banorët. Në këto momente kemi një thirrje për nëndrejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Ardian Çipa. Ardian, sot bashkëqytetarët e tu u rrahën barbarisht sepse po mbronin institucionalisht dhe me qetësi të drejtën e tyre. E kush më mirë se ti mund ta njohë këtë komunitet?! Edhe ne duam ashtu si ti që restaurove shtëpinë tënde të vjetër në Pilur që t’ia trashëgosh brezave të ardhshëm, të trashëgojmë shtëpitë tona shekullore. Nëse të mjafton deklarata e turpshme e vartësve të tu se “dy veta u zunë para bashkisë për motive të dobëta dhe u shoqëruan në polici”, këtë turp do e mbash ti në koshiencë për gjithë jetën. Po nuk more masa për të zbardhur këtë ngjarje skandaloze, ti nuk bën asgjë tjetër veçse rreshtohesh në anën e grabitësve dhe dhunuesve”.
Arben Shahini