Kreu i Emergjencave Civile, Haki Çako u mundua sot të justifikojë kryeministrin Edi Rama, i cili u shfaq dje duke bërë xhiro me helikopter, ndërkohë që poshtë në tokë, ekipet e emergjencave apo forcat e FA-ve, pa asnjë mjet, mundoheshin të fiknin vatrat e zjarrit.
Pas eventit familjar që kishte, të paktën sikundër pohoi vetë, lidhur me mungesën e tij në kulmin e situatës së zjarreve, Kiu në një prononcim nga Gjirokastra, i pyetur në lidhje me helikopterin ushtarak që u përdor dje për të transportuar Edi Ramën nga Himara në Vermosh dhe anasjelltas, tha se mjeti fluturues nuk mund të përdoret për shuarjen e zjarreve, pasi jo të gjithë mjetet ajrore kanë vend të përshtatur për mbajtjen e kovës me ujë.
“Mund të them që janë helikopterë të posaçëm që operojnë me kova, jo çdo mjet mund të ketë kova. Ne jemi në komunikim të vazhdueshëm me partnerët, të cilët kanë vënë në dispozicion mjete ajrore”, tha Çako, vetëm se nuk e dinte se kur do vijnë këto mjete.
Çako u shfaq në media dhe u bë viral, pasi u kërkonte ekipeve të zjarrfikëseve të punonin me kazma e lopata. Teksa ata punonin me kazma, sopata e lopata, sipas porosisë së Kiut, Edi Rama lëvizte me helikopter nga plazhet e jugut drejt maleve në veri të vendit.