RamaKÇK nuk ndalet, sulmon analistë dhe gazetarë pse janë kundër tij…

Kryeministri Edi Rama ka reaguar në rrjetet sociale ndaj kritikave të paketës anti-KÇK, zbatimi i të cilës në terren nisi një ditë më parë me sekuestrimin e një resorti në zonën e Shijakut, pasuri e cila ishte vendosur nën sekuestro edhe në 2015.

Në një shoë, ku shfaqeshin policë me syze e maska, me makina të blinduara dhe të armatosur, pamje që u shpërndanë më pas nga policia, e cila zgjodhi edhe një “spikere” të veshur me uniformë për të lexuar një deklaratë, ishte dita e parë e operacionit të trumpetuar prej kohësh nga Qeveria.

Paketa anti-KÇK është shoqëruar me kritika të shumta, veçanërisht në drejtim të kompetencave që i jepen policisë, por edhe goditjes që i bëhet institucioneve të reja të drejtësisë, në rastin konkret SPAK.

Kritikëve ka zgjedhur t’i përgjigjet Rama përmes disa postimeve, ku nuk ka nguruar të sulmojë analistë dhe komentatorë, që në sytë e Kryeministrit trajtohen njëlloj si me opozitën që ka kundërshtuar, ashtu edhe me konstitucionalistët që kanë paraqitur argumentet kundër.

“Jo vetëm PD, po edhe plot të ashtuquajtur analistë e komentatorë po i kundërvihen antiKÇK-së, në një përçartje kolektive brenda kutisë së televizorit! Sepse për ta krimi është ushqimi i politikës e audiencave së tyre kundër qeverisë dhe mes krimit e qeverisë ata zgjedhin krimin”, shkruan Rama në rrjet.

Në fakt politikani që ka zgjedhur individë me rekorde kriminale dhe i ka përfshirë në politikë, qoftë si deputet ashtu edhe kryebashkiakë është vetë Kryeministri.

Nga momenti që është miratuar ligji për dekriminalizimin, të përzgjedhurve të Ramës i është dashur të ndërpresin mandatet, qofshin si deputetë ashtu edhe si kryebashkiakë, gjë që po ndodh edhe sot, me të emëruarit në bashki nga votimet e 30 qershorit.

Në postimin e dytë, Kryeministri shkruan “anti-KÇK është reagimi i duhur në kohën e duhur,kur puna e sakrificat e policisë poshtërohen nga prokurorë&gjykatës të korruptuar,të cilët janë partnerë të krimit. Jo nuk dënojnë, po lirojnë vrasës e trafikantë të dënuar dhe punojnë të kapin ç’të kapin para se t’i fshijë Vetingu”.

Prej vitit 2014, Rama nisi sulmet ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve dhe në atë kohë u raportuan plot raste kur nga policia që drejtohej nga ish-ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, gjurmoheshin dhe fotografoheshin prona dhe asete të tjera të tyre. Më pas u vendos një “paqe e heshtur” dhe herë pas here, pas çdo skandali apo denoncimi, niste seria e sulmeve dhe akuzave ndaj njerëzve që ishin pjesë e sistemit të drejtësisë.

“Ligji Special është frymëzuar nga dashuria për këtë vend dhe vullneti i hekurt për të shkatërruar burimet financiare të krimit, duke marrë shembull nga historitë e suksesit të vendeve si Italia e Britania e Madhe që me ligjet speciale goditën në zemër mafian apo terrorizmin.

Koha do të provojë përsëri edhe njëherë se dashuria për vendin, vullneti për ta bërë shtet modern Shqipërinë, vendosmëria për t’i rënë me kokë mureve të vjetra, do të fitojnë mbi hipokritët, dembelët e parazitët që jetojnë me llafe, gënjeshtra e broçkulla duke helmuar shqiptarët!”, shkruan Rama.

Në fakt, asnjë prej kritikëve të paketës anti-KÇK nuk është shprehur kundër luftës ndaj krimit apo sekuestrimit të pasurive të vendosura në mënyrë të paligjshme. Madje PD zgjodhi t’i sugjerojë Qeverisë edhe emrin e një biznesmeni të akuzuar se ka përfituar fonde publike për shkak të lidhjeve me Taulant Ballën. Dhe po kështu nisma në fjalë e qeverisë mund të merrte një mbështetje të madhe sikur operacionet të nisnin pikërisht nga personat që janë akuzuar publikisht si të lidhur me Rilindjen, të përgjuar dhe të përfshirë në dosjet e publikuara edhe nga Bild.

Exit mobile version