Ramën e ndëshkuan me votë 78% e shqiptarëve

Pjesëmarrja në zgjedhjet e vitit 2017 mund të jetë nga më të ulëtat që janë regjistruar të paktën që prej vitit 2001, që nuk e kalon shifrën e 45%, çka do të thotë se Ramën në këto zgjedhje e kanë refuzuar apo braktisur gati 78% e shqiptarëve. Arsyet e këtij bojkoti mund të jenë të shumta, por ajo që shihet fare qartë është revolta dhe mospajtimi me politikat e tij. Zgjedhjet e ulëta favorizojnë gjithmonë pushtetin, pasi në to dalin masivisht punonjësit e administratës dhe lakejtë e partisë-shtet. Në të gjitha zgjedhjet e kaluara pjesëmarrja në votime ka qenë mbi 51% dhe është e habitshme se në të gjitha qarqet numri i votuesve nuk e ka kaluar shifrën e 50 për qind të votuesve. Madje në Vlorë, ku ishte vetë kandidat Edi Rama, përqindja ishte në nivele skandaloze. Deri në orën 19:30 KQZ raportonte vetëm 36 për qind pjesëmarrje në këtë qytet. KQZ shtyu me një orë procesin e votimit, e cila nuk ndryshoi asgjë në përqindjen elektorale. Aq e ulët ishte pjesëmarrje sa Ramën e zuri paniku se mos humbiste mandatin e tij në Vlorë. Kjo ishte arsyeja se përse në prag të mbylljes së procesit të votimit bënte thirrje herë pas here për të dalë në votim.

Berisha: Shqiptarët e ndëshkuan Ramën me bojkot

Ish-Kryeministri Sali Berisha sqaron në rrjetet sociale se pse nuk e ka uruar kryeministrin Edi Rama për fitoren. Berisha e ka sjellë komentin e tij përmes një reagimi në FB ndaj një fansi. “Përgjigje z/znj Trendy Alb! Përshëndetje Trendy! Lidhur me pyetjen tuaj ‘pse nuk e kam uruar Edi Ramën?’, përgjigjja ime është kjo: Unë nuk e kam uruar Ramën sepse nuk mund ta uroj dot për arsyet që vijojnë. Së pari, sepse fitoren e tij e ndëshkuan me votë ose me bojkot 78% e shqiptarëve. Kjo nuk është fitore e bekuar, por është e përçmuar nga 54% e shqiptarëve, që zgjodhën bojkotin për të shprehur zemërimin dhe për të votuar kundër tij. Po t’u shtosh këtyre edhe 48% të atyre që shkuan tek kutitë e votimit dhe votuan kundër tij, del se kjo është fitorja më e gjymtuar që kur është votuar për herë të parë në zgjedhjet pluraliste në Shqipëri. Pra, a mund të uroj unë qeverisjen e 4/5 të shqiptarëve nga 1/5 e tyre?! Kurrë jo. Natyrisht ka dhe një seri shkaqesh të tjera të njohura botërisht, por, unë e di se si idhtar i pakorrigjueshëm i Ramës, ti nuk i pranon ato (miq, Trendy ndërhyn shpesh në rrjetin tonë me komentet e tij në mbrojtje të Ramës, por në tërësi ruan etikën), ndaj dhe unë të rendita vetëm njërin që nuk besoj se mund të kundërshtosh. Me respekt, sb”, shkruan Berisha në reagimin e tij.

Shifrat

Një pjesëmarrje e tillë, mund të ishte e justifikueshme për vende me popullsi të madhe, ku njerëzit janë larg politikës. Por dhe në këto vende pjesëmarrja e votuesve në zgjedhje nuk është asnjëherë nën nivelet 48–49 për qind, ndërsa përgjithësisht vendet me popullsi të vogël ku dhe politikat janë më të ndjeshme, atëherë dhe numri i votuesve është më i lartë se në pjesën tjetër. Në zgjedhjet e vitit 2013, shifra e pjesëmarrjes ishte rreth 54% apo rreth 9% më e lartë se ajo e këtyre zgjedhjeve.

Legjitimiteti i qeverisë së re ka rënë

Por ç’do të thotë të qeverisësh me 22.5 për qind të votave në rang vendi? Do të thotë që pjesa tjetër, plot 78 për qind e tyre të jetë e papërfaqësuar. Pra, legjitimiteti i kësaj qeverie ka rënë. Të qeverisësh vetëm me 600 mijë votat, nga 3.4 milionë që kanë të drejtë vote do të thotë që 2.8 milionë të tjerë bashkë me familjet e tyre s’janë dakord me politikat e tua. Dhe s’kanë se si. Ata s’mund të jenë dakord me vazhdimësinë e drogës, me vazhdimësinë e krimit, me figura, të cilat janë përfolur për korrupsion kur kanë mbajtur detyra të larta shtetërore. Pra pakica, përzgjedh për të qeverisur vendin të njëjtët përgjegjës për të gjithë këtë katrahurë, sepse shumicë s’mund t’i thuash. Natyrisht, ky bojkot kërkon një analizë të thelluar nga të gjitha krahët e politikës, por ajo çka është më e rëndësishmja në këtë histori është fakti se pjesa e shëndoshë e popullsisë e refuzoi këtë maskaradë. Se çfarë do të ndodhë më pas, kjo vlen për t’u parë… Por, Rama nuk ka marrë legjitimitet, ka marrë pushtetin, duke përdorur tek një masë e vogël njerëzish dredhitë elektorale. Por pjesa e shëndoshë mbeti larg politikës, dhe më së pari larg Edi Ramës.

Grabova e Gramshit, fshati që bojkotoi zgjedhjet

Banorët e fshatit Grabovë e Sipërme në Bashkinë Gramsh kanë bojkotuar votimin. Mësohet se janë rreth 200 votues në këtë fshat, të cilët edhe pse është hapur qendra e votimit, në orarin e caktuar asnjë prej tyre nuk ka hyrë në brendësi për të votuar. Lajmin e konfirmon edhe kryetari i KZAZ në Gramsh, i cili deklaron se qendra është hapur normalisht, komisionerët janë paraqitur, por asnjë votues nuk ka hyrë brenda të votojë. Mësohet se ata janë përreth qendrës, por nuk do të votojnë. Një prej banorëve deklaron se arsyeja është mungesa totale e investimeve në këtë zonë. Problem masiv ishte edhe tjetërsimi i votës. Në një intervistë për “Ora News” kryetari i Bashkisë së Kamzës, Xhelal Mziu, shprehet i bindur se tjetërsimi i votës ka ndikuar në rezultatin e zgjedhjeve. “E justifikoj, sepse ngelem i bindur se është tjetërsuar vota për shumë arsye. Është përdorur instrumenti i blerjes, presionit. Kanabisi ka luajtur një rol të jashtëzakonshëm. Jam i bindur që ka faktorë të tjerë që kanë ndikuar në vullnetin e qytetarëve”, tha Mziu. Mziu falënderoi strukturat e Kukësit dhe të Kamzës për qëndresën e tyre, ndërsa akuzon qeverinë se nuk ka dhënë asnjë investim as për Kamzën e as Paskuqanin.

Presionet dhe paratë e drogës mbajtën larg votuesin

Në fakt paratë e drogës, të fortët dhe trafikantët nuk munguan as këtë herë, duke e kthyer procesin e votimit në një maskaradë. Policia në shumë raste nuk vepronte, ndërsa makinat pa targa shiheshin kudo. Në qendrat e votimit, në jo pak raste janë vënë re grupe njerëzish me automjete të blinduara që mbanin nën vëzhgim personat që shkonin të votonin. Kjo ka qenë e theksuar sidomos në zonat rurale, ku dhe njëri-tjetrin e njohin dhe më mirë. Edhe kjo mendohet se ka qenë një nga arsyet që ka mbajtur larg votuesin, për të shmangur ndonjë incident të mundshëm. Arritja me patjetër e mbi 70 mandateve e nxehu keq situatën politike, jo vetëm mes opozitës, por edhe me aleatët e tij. Në disa raste u krijua një klimë armiqësore në qytete të caktuara ku kulmi ishte rasti i Lezhës ku u qëllua dhe me armë. Në Lezhë dhe në këto zgjedhje vepronin grupet e Arben Ndokës, ose pjesa e mbetur e bandës së Mark Frrokut. Një skenar i mirorganizuar shitblerjeje vote dhe tjetërsim i vullnetit të qytetarëve përmes kërcënimeve me largim nga puna nga njerëzit e Ramës dhe Metës udhëhoqi frymën e gjithë fushatës teksa u intentifikua në orët e fundit, në prag të 25 qershorit. Duke nisur nga dita e premte dhe e shtunë e gjatë gjithë ditës së votimit, grupe të mirëcaktuara nga bandat e Ramës bënë çdo përpjekje për të intimiduar votuesit, duke u ofruar tufa parash e nga ana tjetër, duke i kërcënuar me bukën e gojës, shkarkimin nga puna. Shpërndarja masive e parave u identifikua gjatë orëve të natës dy ditë para mbajtjes së zgjedhjeve më 25 qershor. Në këto zgjedhje të gjitha asetet shtetërore u vendosën në funksion të fushatës së Ramës. Policia, e cila do të duhej të ishte në krye të detyrës për garantimin e procesit zgjedhor, pas thirrjes së Ramës për të punuar për fitoren e së majtës, nisi të dilte për të kërkuar vota për PS, duke minuar tërësisht procesin. Nisma “Za Lart”, e cila publikon raste të denoncimeve të qytetarëve në lidhje me fushatën zgjedhore, si dhe monitoron respektimin e Kodit Zgjedhor mbi fushatën ka publikuar të dhëna me fakte se si qytetarët po kërcënohen për tjetërsimin e votës. Gjithashtu, me fakte konkrete denoncohen rastet kur drejtorë të PS apo LSI në administratën publike ishin angazhuar në krah të kandidatëve për deputetë, duke bërë fushatë e duke kërkuar votën për subjektet përkatëse politike. Për ata që nuk pranuan të shisnin votën, u aplikua mbledhja e kartave të identitetit, me qëllim uljen e pjesëmarrjes së votuesve të kundërshtarit në zgjedhje.

Artikulli paraprakProkuroria kërkon paraburgim për Gruevskin
Artikulli tjetërGrezda prezantohet te Osijek