Sergio Ramos “shuan” vullkanin “San Paolo” me një dygolësh me kokë, duke qenë vendimtar në fitoren 1-3 me përmbysje të Realit të Madridit ndaj Napolit, rezultat që kualifikon spanjollët në fazën çerekfinale të Championsit, pasi me të njëjtat shifra mbajtësit e trofeut kishin triumfuar edhe në “Santiago Bernabeu”. Mbrojtësi 30-vjeçar edhe këtë radhë doli në skenë në momentin më të vështirë të skuadrës së tij, kur Napoli kryesonte 1-0 me gol të Mertens në pjesën e parë dhe po kërkonte me ngul finalizimin që do t’i jepte kualifikimin. Në minutën e 52-të Toni Kross ekzekuton një këndore që gjen kokën e numrit katër të Realit, me topin që përfundon në rrjetë.
Vetëm 5 minuta më pas, sërish këndore për Realin, por në krahun tjetër. Edhe në këtë rast Kross e dërgon topin në zonën ku ndodhet Ramos, që pasi fiton duelin ajror me Hysajn dhe Koulibalyn, realizon golin e sigurisë për Realin i ndihmuar edhe nga devijimi i Mertens në tentativë për të larguan rrezikun. Në kohën shtesë pati kohë edhe për golin e 1-3, që mban firmën e Alvaro Moratas.
Ndeshja e parë ndaj Real Madrid ishte një nga më të dobëtat që kishte zhvilluar Elseid Hysaj me Napolin dhe kritikat nuk munguan. Por të martën në mbrëmje, mbrojtësi i përfaqësueses shqiptare tregoi se mund t’i bënte ballë edhe më të fortëve në botë. Dakord, paraqitja nuk ishte perfekte dhe në mediat ndërkombëtare i vihet re fakti se te goli i dytë i Serxhio Ramos u kalua nga mbrojtësi spanjoll me lehtësi. Por duke llogaritur që kur ka goditje këndi, për kapitenin e Realit është si të gjuajë një penallti, pakkush e cilëson këtë një gabim të rëndë për futbollistin e përfaqësueses shqiptare.
Ndaj vlerësimet kanë qenë kryesisht pozitive për Hysajn. “Sportmediaset” i ka vënë atij notën 6, ndërsa “Tuttomercatoweb”, i ka ulur një gjysmë note pikërisht për golin. “I kaluar nga Ramos në rastin e golit të dytë, nuk është gjithsesi autor i një prove të keqe. Ai ka dalë nga vështirësitë me personalitet duke mbajtur topin dhe duke mos zhgënjyer përballë Ronaldos”, është vlerësimi i “TMW”.
Për “Eurosport”, prova e Hysajt ishte mëse e mirë, ndaj edhe nota ishte 6. “Reziston mirë përballë Kristiano Ronaldos, me portugezin që u detyrua të zhvendosej drejt qendrës për të qenë i rrezikshëm përpara. Njolla e vetme? Nuk jep një kontribut të madh në fazën ofensive, me shqiptarin që arrin rrallë herë vijën fundore për të krosuar”.