Ramos shkund tifozët e Realit

Serxhio Ramos nuk e ka pritur mirë faktin që tifozët e Real Madridit nuk kanë qenë të kënaqur me lojën e skuadrës, edhe pse arritën të fitonin me rezultatin 3-0 ndaj Alaveshit. Sipas tij, lojtarët kanë qenë gjithnjë të hapur ndaj kritikave, por kjo nuk duhet të përdoret si arsye që të “keqpërdoret” ky lloj mirëkuptimi…
– Si është gjendja fizike e skuadrës, duke qenë se po fillon një fazë e rëndësishme e edicionit?
Jemi në formë të mirë. Fakti që nuk kemi edhe shumë mungesa të rëndësishme, tregon se është punuar mirë me planin stërvitor, por edhe nga stafi mjekësor. Në këtë fazë, duhet që të jemi sa më të kompletuar për ta përballuar si duhet kalendarin e ngjeshur.
– Ndiheni nën presion nga ndjekësit e Barcelonës në kampionat?
Nuk shikoj pas. E dimë që titullin e kemi në dorën tonë, pasi po fituam ndeshjet e mbetura, sigurisht që do të shpallemi kampionë. Nuk kemi pse të presim që të gabojnë të tjerët. E dimë që Barcelona gjithashtu do të kërkojë t’i fitojë të gjitha ndeshjet, ndaj nuk ka për të qenë e lehtë.
– Në ndeshjen e fundit ka pasur kritika dhe vërshëllima nga tifozët, si pakënaqësi që nuk dominuat…
Kjo është me të vërtetë e tepruar. Ne kemi qenë të hapur për të pranuar kritikat dhe jemi munduar që ato t’i përdorim si argument që të përmirësohemi. Por, ky mirëkuptim që ka ekzistuar, nuk duhet të keqpërdoret nga ana e tifozëve. Ne fitojmë 3-0 dhe vetëm për këtë nuk duhet të vërshëllehemi. Nëse në fund dalim kampionë, prapë do të na vërshëllejnë pse nuk luajtëm më mirë me Alaveshin?! Më duket e pakuptimtë dhe uroj që të mos përsëritet më.
– Po rikthehet Benzema në formën e tij më të mirë?
Karim ka qenë gjithnjë i gatshëm të bëjë diferencën, por ka raste edhe që fati e ka penalizuar për të shënuar gola. Është një sulmues i shkëlqyer dhe për këtë nuk besoj të ketë dyshime njeri.

Artikulli paraprak8 vjet nga anëtarësimi i Shqipërisë në NATO
Artikulli tjetërUEFA, taksë luksi për të kufizuar klubet e mëdha