Ranieri heq maskën

Klaudio Ranieri e thotë hapur: Leiçesteri do të luftojë për titullin kampion. Për herë të parë në këtë sezon, trajneri italian e ka pranuar se skuadra e drejtuar prej tij e ka si objektiv titullin kampion në Angli. Kur kanë mbetur edhe katër javë nga përfundimi i kampionatit, numri një i “dhelprave” thotë se skuadra është e përgatitur dhe do të luftojë për të arritur këtë objektiv madhor. Ditën e nesërme, Leiçesteri do të përballet me Suonsin e Guidolinit, i cili një ditë më parë pranoi se bën tifo për Ranierin.
Ranieri thotë se pas arritjes së mbijetesës dhe kualifikimit për në Ligën e Kampioneve, titulli në Angli është objektivi i vetëm që ka mbetur për t’u arritur. “Tani jemi në Champions. Është diçka fantastike. Duhet t’i uroj të gjithë lojtarët, tifozët, drejtuesit dhe stafin për këtë arritje të madhe. Nuk e mendoja diçka të tillë. Tani objektivi i vetëm që na ka mbetur, është titulli. Unë kam folur me lojtarët e mi dhe u kam thënë se tani duhet të bëjnë sprovën e fundit për të bërë realitet ëndrrën tonë. Unë besoj se mund t’ia dalim. Jam pozitiv si natyrë”, tha Ranieri.
Numri një i “dhelprave” flet edhe për rivalitetin me Totenhemin, duke shpresuar që diferenca me skuadrën e Poketinos të vazhdojë të mbetet e njëjtë. “Nëse Totenhemi do të bëjë përmbysjen e madhe, unë jam i pari që do ta uroj. Dua që të vazhdojmë të mbajmë këtë diferencë me rivalët tanë më të afërt. Mendoj se ata do t’i fitojnë të katërta ndeshjet e mbetura, por ne nuk do të rrimë duke i parë. Edhe ne do të fitojmë dhe do të luftojmë për titullin. Nëse e arrijmë këtë gjë, atëherë do të jetë me të vërtetë e pabesueshme”, vazhdoi më tej trajneri italian. Ai foli edhe për mungesën e Vardisë në ndeshjen e nesërme dhe tha se ka besim tek Ulloa.
“Na duhet të ndryshojmë diçka, sepse Vardi nuk do të jetë. Pa të në fushë duhet të mendojmë një tjetër strategji, por edhe Ulloa është një lojtar që mund ta ndihmojë shumë skuadrën”, përfundoi Ranieri.
Ndërkohë, Manchester City fitoi dje 4-0 përballë Stoke, duke konsoliduar vendin e tretë. Dopieta e Iheanachos dhe nga një gol i Agueros e Fernandos i bëri më të lehta punët për Pellegrinin që tashmë fokusohet në gjysmëfinalen e Champions League. Në ndeshjen tjetër të së shtunës, Southampton fitoi pa shumë vështirësi në transfertën ndaj Aston Villas. Kjo ndeshje u mbyll në shifrat 4-2 për ekipin e Ronald Koeman.
Eden Hazard ka shënuar golin e parë në kampionat këtë sezon. Numri 10 i Chelseat udhëhoqi të tijtë drejt fitores 4-1 në transfertën ndaj Bournemouth, duke realizuar dopietë. Londinezët kaluan në epërsi që në minutën e 5 me Pedron, ndërsa gjysmë ore më vonë, Hazard, që nuk kishte luajtur që prej një muaji, realizon golin e parë sezonal për 2-0.
Vendasit barazojnë në të 36-ën, por Willian rikthen qetësinë në kampin “blu” në të 71-ën, ndërsa në fund të ndeshjes, belgu realizon edhe golin e dytë e të katërtin për Chelsean. Rafa Benitez merr një pikë ndaj ish-skuadrës së tij, Liverpool, në “Anfield”. Formacioni i Klopp bëri gjithçka mirë në pjesën e parë, duke krijuar një epërsi prej 2 golash me Sturridge e Lallana. Gjërat ndryshuan në pjesën e dytë, kur fillimisht Cisse e më pas Colback shënojnë për të marrë një pikë që i bën tifozët e Newcastle të shpresojnë të shohin edhe sezonin e ardhshëm skuadrën e tyre të luajë në Premier League.

Exit mobile version