Claudio Ranieri rinovon zyrtarisht deri më 30 qershor të vitit 2020 kontratën e tij me Leicester City. Trajneri italian, i cili sezonin e kaluar hyri në histori me Dhelprat, teksa përtej çdo parashikimi arriti të bënte mrekullinë duke fituar titullin kampion me Leicester-in, është shpërblyer nga drejtuesit me një kontratë të re afatgjatë. Ranieri pasi hodhi firmën në marrëveshjen e re u shfaq shumë i lumtur që do të vazhdojë bashkëpunimin me klubin e tij aktual. Termat financiarë të marrëveshjes së re nuk janë bërë publike, por e sigurtë është se Ranieri do të përfitojë një pagë shumë më të lartë.
Kontrata e mëparshme e 64-vjeçarit italian me kampionët e Anglisë skadonte në vitin 2018, por tashmë Ranieri do të jetë i lidhur me Leicester edhe për 4 vite të tjera. Menjëherë pas firmës mbi kontratë në prononcimin e tij për mediat, Ranieri shprehu gjithë gëzimin e tij që do të vazhdojë të jetë pjesë e Dhelprave. “Që nga momenti i parë që bisedova me pronarët e klubit rreth vizionit që ata kishin për Leicester City-n, kuptova që unë do të isha pjesë e kësaj skuadre për një kohë të gjatë. Energjia që ekziston në këtë klub, duke filluar nga drejtuesit për të vazhduar me lojtarët dhe stafin teknik është diçka me të vërtetë speciale. Jam shumë i lumtur dhe i nderuar që do të vazhdoj të jem pjesë e Leicester-it edhe gjatë viteve që do të vijnë”, deklaroi Claudio Ranieri.