Raporti 2019 për ujësjellësit, janë rritur tarifat për të punësuar militantët

Prej të paktën dy vitesh ka një theks të vazhdueshëm për një reformë në sektorin e ujësjellës-kanalizimeve duke tentuar për t’i bërë ndërmarrjet që janë “një gropë e zezë” në buxhet më të qëndrueshme financiarisht.

Por pavarësisht se në aplikimet e tyre për rritje të tarifave ujësjellësit kanë artikuluar investime e përmirësime të treguesve, raporti vjetor i Entit Rregullator të Ujit (ERRU) tregon se rritja e tarifave është përkthyer pak apo aspak në tregues realë të përmirësuar. Në shumicën e elementëve të marrë në analizë ujësjellësit nuk kanë bërë asnjë përparim domethënës ndërkohë që lidhur me mbulimin e kostove që është edhe kryefjalë e reformës ka pasur përkeqësim në vitin 2019 në raport me vitin 2018.

Nga analiza e treguesve kryesorë të performancës sipas ERRU vërehet se gjendja në sektor në krahasim me vitin 2018 paraqet një përkeqësim në drejtim të mbulimit të kostove direkte të O&M. Ndërkohë që treguesit e Ujit Pa të Ardhura dhe të Normës së Arkëtimit Korrente mbesin në nivele të pandryshuara. Kjo tregon se në sektor janë rritur kostot për O&M, ndërkohë që të ardhurat kanë mbetur në nivele pothuajse të njëjta.

Sipas ERRU tërmeti i nëntorit ka dhënë ndikim tek arkëtimet e dy ujësjellësve Durrës dhe Vorë të cilët kanë qenë në ulje në raport me një vit më parë. Norma e arkëtimit korrent si tregues gjatë vitit 2019 ishte 79 për qind në të njëjtin nivel të vitit 2018. “Gjatë vitit 2019 ky tregues mbetet në nivelin e vitit 2018, pra 79 %. Ndër shoqëritë me nivele mjaft të ulta të këtij treguesi (nën 60%) janë UK Kukës, UK Divjakë, UK Kavajë, UK Gjirokastër, UK Fier, UK Pustec, UK Roskovec, UK Elbasan. Shoqëritë UK Durrës dhe UK Vorë e justifikojnë uljen e këtij treguesi për shkak të tërmetit të fuqishëm të muajit nëntor” vlerëson raporti.

Edhe uji pa të arhdura si tregues për vitin 2019 ka mbetur njëlloj si në vitin 2018. Sipas ERRU raportohen në total rreth 24,350 lidhje të reja dhe një rritje e volumit të faturimit me rreth 668 mijë m3 ujë/vit.

“Rritja e volumit të ujit të faturuar duhet të ishte më e konsiderueshme, por në rritjen minimalë të saj ka influencuar instalimi i 50 mijë matëseve të cilat ulin konsumin mesatar, mesatarisht për familje me 4 persona nga 18 m3/muaj që presupozon faturimi aforfe, në rreth 12m3 në muaj për familje në faturimin me matje.

Shoqëritë me performancë të dobët të këtij treguesi (mbi nivelin 70% UPA) paraqiten UK Berat Kuçovë, Cërrik, Durrës Fier dhe Vlorë. Për përmirësimin e UPA reforma në sektor po zbaton plane veprimi për lidhjet e paligjshme, pajisjen 100% të konsumatorëve me matësa, si dhe instalimin e matësave në burim” thekson raporti.

Ujësjellësit sipas Entit vazhdojnë të shërbejnë si institucione për punësime partiake diçka e vënë re edhe në vitin 2019. Eficenca e stafit që mat edhe këtë aspekt tregon se në vitin e kaluar përmirësimi ka qenë i papërfillshëm.

“’Efiçenca e Stafit’ është 5.31 punonjës për 1000 lidhje UK me një përmirësim të pa përfillshem prej 0.04%. Gjatë vitit 2019 numri i lidhjeve të ujit është rritur me rreth 24,349 lidhje dhe ai i kanalizimeve me rreth 31,582 lidhje, por nuk ka patur efekt pozitiv në përmirësimin e këtij treguesi sepse gjatë vitit 2019 në total stafi i shoqërive UK në sektor është rritur me 254 punonjës.

Në shumë shoqëri ky tregues është artificialisht i lartë për shkak të plotësimit të detyrimit ligjor të garantimit të sigurisë së veprave të ujësjellësit me personel roje. Gjithsesi shoqëritë UK janë të mbingarkuara me punonjës të pajustifikuar, rritja e të cilëve është evidente sidomos në vitet zgjedhore siç ishte viti 2019.

ERRU ka forcuar kërkesat që Shoqëritë të justifikojnë secilin pozicion të stafit të saj dhe me përshkrimin përkatës të punës” thuhet në raport.

Lidhur me kohëzgjatjen e furnizimit me ujë raporti vlerëson se ajo është përmirësuar nga 12.7 orë në 24 që ishte në 2018 në 13.2 orë që ishte në 2019. Por edhe vetë Enti për këtë tregues shprehet se ai duhet marrë me rezervë pasi ai vlerësohet apriori dhe jo në vlerësime të hollësishme sipas zonave shpërndarëse të shërbimit.

Artikulli paraprakVjosa Osmani heq foton e Thaçit nga zyra, e zëvendëson me Rugovën
Artikulli tjetërBasha me Presidentin e PE: PD po bën gjithçka që hapja e negociatave me BE të bëhet realitet sa më parë