Raporti i Antimafias: Shqipëria, importuesja e madhe e drogës

Shërbimi Inteligjent i Antimafias në Itali ka dorëzuar në Komisionet e Sigurisë të Parlamentit italian raportin për vitin 2017. Ajo që bie në sy në këtë raport, sipas asaj që raportojnë mediat italiane, është rritja e aktivitetit të grupeve kriminale shqiptare, që për “007” italianë konsiderohet mafia më e rrezikshme e huaj.
Raporti thekson se, grupet shqiptare shtrijnë aktivitetin e tyre në të gjitha fushat e paligjshme, që nga trafiku i drogës, prostitucioni, grabitjet, gjobëvënia e deri tek vrasjet. Sipas raportit, shqiptarët janë kërcënim shumë i madh për sigurinë kombëtare të Italisë. Në raport përmenden shqiptarët si grupi dominant për trafikun e drogës në Evropë. Në raport flitet dhe për shqetësimin e shërbimit sekret italian lidhur me emigrantët, dhe se në Shqipëri nuk është regjistruar mbërritja.
DIA (Direzione Investigativa Antimafia) thekson në raport se ndryshe nga mafia kineze dhe ajo afrikane, të cilat kanë rritur edhe ato aktivitetin e tyre në Itali, ajo shqiptare po bëhet gjithnjë e më e rrezikshme për faktin se është më bashkëpunuese me mafian vendase, por shumë herë më e dhunshme se ajo.
Inteligjenca italiane shkruan në raport se, grupet mafioze shqiptare janë importuesit kryesorë të drogërave të forta që mbërrijnë nga Azia, por edhe të hashashit në drejtim të Italisë nga Ballkani, duke bashkëpunuar me grupet italiane, kryesisht në Pulja dhe zonat e tjera të Jugut të Italisë.
Raporti thotë se, mafia ka evoluuar duke shfrytëzuar në rrugë dhe kanalizime komplekse pastrimin e parave, kryesisht në sektorin e ndërtimeve.

Tiparet e grupeve

Në këtë raport thuhet konkretisht se, krahas trafikut të drogës bandat shqiptare kryesojnë edhe në grabitje. “Nga ana e saj, kriminaliteti i huaj në Itali, i përbërë mbi të gjitha nga grupe nigerianësh, rusofonësh, shqiptarësh, kinezësh dhe pakistanezësh, po shfaq gjithnjë e më shumë një vokacion të dyfishtë: i pari, banditesk, me banda të pritura kryesisht ndaj grabitjeve dhe shpërndarje droge; e dyta, para-mafioze, me grupe me një vokacion të theksuar kriminalo-sipërmarrës”, thuhet në raport.

Shqiptarët kryesojnë në trafikun e drogës

Në raport thuhet se shqiptarët kryesojnë në trafikun e drogës. “Si rrjedhojë e rolit të dorës së parë të ushtruar në trafikun e lëndëve narkotike me prejardhje nga Ballkani, organizatat kriminale shqiptare janë ato që lidhin më shpesh marrëdhënie bashkëpunimi me organizatat kriminale italiane. Përballë një angazhimi në rritje në administrimin e rrugëve ndërkombëtare të kokainës dhe marijuanës, grupet shqiptare mbeten tejet aktive edhe në krimet e grabitjes dhe të shfrytëzimit të prostitucionit”, thuhet në raport.
Një tjetër çështje është edhe ajo e emigrantëve, për të cilën në raport evidentohet se gjatë dy viteve të fundit, nga Shqipëria nuk është regjistruar mbërritja e tyre. Ky raport vjen në kohën kur vendi ynë është duke u përgatitur për të nënshkruar një marrëveshje me Frontex për kontrollin e kufijve. Gjithashtu, mësohet se në 2017-ën, 6 shqiptarë janë përjashtuar nga Italia, si të dyshuar për lidhjet e tyre me xhihadizmin terrorist.

Exit mobile version