Raporti i Freedom House ka një pjesë të veçuar për mediat dhe shoqërinë civile. Në raport thuhet se qeveria e Edi Ramës u dha 5 milionë euro, Top Channel dhe Tv Klan, duke i justifikuar si ndihmë për dixhitalizimin.
Gjithashtu raporti shpreh shqetësim për mangësitë financiare dhe humbjen e besimit të publikut tek organizatat e shoqërisë civile. Sipas organizatës, komuniteti Roma mbetet më i diskriminuari, pasuar nga ai LGBT që “vuan nga nivele të larta të homofobisë”.
Media vazhdon të vuajë nga autocensura dhe lidhjet e ngushta mes politikës, biznesit dhe medias.
Raporti përmend faktin që parlamenti miratoi amendamente në ligjin për Mediat Audiovizuale, duke detyruar organet e medias që të ofronin kohë falas në valët televizive gjatë fushatës zgjedhore.
“Në relievin e medias shqiptare pavarësia editoriale vazhdoi të jetë e kufizuar, pasi pronarët e medias gjithnjë e më shumë vazhduan të përcaktojnë përmbajtjen”.
Sipas raportit, legjislacioni shqiptar mbeti i heshtur për të drejtat, liritë dhe përgjegjësitë e redaktorëve. Si shembuj përmendet fakti që kontratat e drejtorit të televizionit ABC Neës dhe drejtorit të botimeve të MAPO-s, Alfred Lela nuk u ripërtërinë për shkak të poliitkës editoriale të pronarëve.
“Në vitin 2017, pronarët e mediave vazhduan të përdorin mediat e tyre për t’i bërë shantazhe qeverisë ose për ta detyruar atë që t’u bënte favore ekonomike”, thuhet në raport.
“Kështu më 30 mars, parlamenti miratoi një ligj që jepte 5 milionë Euro për organet e medias në mënyrë që të lehtësonin kalimin nga transmetimet analoge në ato dixhitale. Dy përfituesit kryesorë të këtij fondi ishin familjet Hoxha dhe Frangaj, që kanë në pronësi dy stacionet kryesore televizive në Shqipëri, Top Channel dhe Klan”, thotë raporti.
Ndërkohë në vitin 2017 shumë gazetarë vazhduan të punonin pa kontrata, të mos merrnin rrogat në kohë dhe nën rrezikun e pushimit arbitrar nga puna.