Raporti i Antimafias: Shqiptarët po ‘pushtojnë’ tregun global të kokainës, janë bërë ekspertë në transport dhe negociata

Krimi shqiptar vijon të jetë ndër më të rrezikshmit në Itali dhe jo vetëm. Antimafia Italiane ka publikuar sot raportin e punës për vitin 2024 dhe një hapësirë e veçantë i kushtohet Shqipërisë.

Sipas Antimafias, grupet mafioze janë infiltruar në kompani dhe institucione civile me qëllim që të ndikojnë në proceset e vendimmarrjes, duke mbrojtur të ardhurat nga aktivitetet kriminale me forma gjithnjë e më komplekse të pastrimit të parave. Sipas saj, në shumë raste mafia vendase ndihmohet nga grupet shqiptare.

Organizatat më aktive duket se janë ato me kombësi shqiptare, nga Afrika e Veriut dhe ato nga Afrika Sub-Sahariane (veçanërisht Nigeria), me projeksione transnacionale në vende të tjera evropiane si Belgjika, Holanda dhe Spanja, si dhe në Amerikën e Jugut. Organizatat kriminale shqiptare, në veçanti, luajnë gjithnjë e më shumë një rol dytësor krahasuar me eksponentët e Ndrangheta-s dhe Kamorrës së Barit, duke qenë në gjendje të mbështeten te kontaktet e tyre në portet kryesore tregtare të Evropës Veriore dhe në Amerikën e Jugut”, thekson raporti.

Pjesë nga raporti i Antimafia për Shqipërinë

Kriminaliteti shqiptar përfaqëson një nga format më komplekse dhe të strukturuara të kriminalitetit të huaj në Itali. Grupet kriminale shqiptare, të pranishme në mënyrë të gjerë në të gjithë territorin kombëtar, operojnë me qasje të ndryshme organizative dhe operative. Disa veprojnë në grupe të vogla, ndonjëherë multietnike, të përqendruara kryesisht në krime kundër pasurisë. Të tjerë, ndërkohë, kanë formuar organizata kriminale të forta dhe jetëgjata, të rrënjosura në territor dhe me mënyra operimi që në disa raste i afrohen atyre mafioze.

Një tipar dallues i këtyre organizatave është përdorimi i dhunës, e cila përdoret si për zgjidhjen e konflikteve të brendshme për kontrollin e tregut të drogës, ashtu edhe si mjet frikësimi dhe kontrolli. Një veçori e tyre është sistemi i anëtarësimeve, që shpesh bazohen në lidhje familjare ose në lidhje mes individëve me origjinë nga i njëjti qytet apo rajon i Shqipërisë. Këto lidhje përforcohen nga kode të caktuara sjelljeje që konsolidojnë strukturën e brendshme të grupeve.

Trafiku i narkotikëve mbetet sektori kryesor i aktivitetit dhe të ardhurat që burojnë prej tij po investohen gjithnjë e më shpesh në blerjen e bizneseve legale dhe pasurive të paluajtshme. Provat hetimore, gjithashtu, konfirmojnë se grupet shqiptare janë të përfshira edhe në veprimtari të tjera të paligjshme, si trafiku i armëve, trafikimi i qenieve njerëzore, shfrytëzimi i prostitucionit dhe kryerja e krimeve fiskale.

Raporti i Antimafias: Shqiptarët po ‘pushtojnë’ tregun

Një hetim i fundit i Policisë së Shtetit, i përfunduar më 7 dhjetor me arrestimin e dy shtetasve me origjinë shqiptare, ka treguar gjithashtu se kriminaliteti shqiptar është shumë aktiv edhe në sektorë të avancuar si tregtia online. Në trafikun e drogës, këto grupe etnike bashkëpunojnë ndonjëherë me organizata të tjera kriminale të huaja dhe dallohen për besueshmërinë dhe rolin e tyre tashmë të konsoliduar në nivel ndërkombëtar. Ato janë të afta të menaxhojnë transportin e ngarkesave të mëdha të drogës dhe të komunikojnë drejtpërdrejt me kartelët e Amerikës Latine për importimin e sasisë së konsiderueshme të kokainës të destinuar për furnizimin e celulave shqiptare që veprojnë në tregjet kryesore italiane.

Aftësia për të operuar në shkallë globale dhe për të ofruar drogë me çmime konkurruese u ka mundësuar këtyre grupeve të krijojnë marrëdhënie të forta me organizatat kriminale italiane, përfshirë edhe ato me karakter mafioz. Shumë operacione antidrogë të kryera në rajone të ndryshme të Italisë kanë zbuluar sinergji të vërteta operative mes krimit të organizuar shqiptar dhe atij vendas, të favorizuara nga një linjë e qëndrueshme lidhëse mes brigjeve shqiptare dhe atyre pulieze.

E ashtuquajtura “rrugë adriatike” është një nyje kyçe për kalimin e narkotikëve nga Shqipëria drejt Italisë dhe pjesës tjetër të Europës, e lehtësuar gjithashtu nga lidhjet ajrore me vendet ballkanike që kufizohen me Adriatikun. Këto marrëdhënie lehtësohen edhe nga mungesa e rivalitetit për kontrollin e territorit, pasi shqiptarët merren kryesisht me furnizimin me drogë, ndërsa shpërndarjen e lënë në dorë të grupeve kriminale italiane. Kokaina importohet në territorin italian nëpërmjet detit dhe tokës, përgjatë rrugëve kryesore të shpërndarjes europiane, duke u mbështetur te bashkëpunëtorët e tyre në Europën Veriore, përmes të cilëve kanë arritur të depërtojnë në portet kryesore tregtare (Antwerp, Rotterdam dhe Hamburg). /Pamfleti

Artikulli paraprakShtrenjtohet pastrimi i Durrësit/ Myshketa: Bashkia ka një kontratë me inceneratorin e Sharrës që rrit detyrimet e qytetarëve. Pjesë e aferës korruptive
Artikulli tjetërSpitale me fasada luksoze, por pa mjekë/ Miliona euro investime në rrethe, qytetarët dynden në QSUT