Redin HAFIZI
Sipas një raporti të Antimafies italiane, ngarkesat e çmuara të kanabisit shqiptar, të hashashit maroken, kokainës Sud Amerikane dhe heroinës që vjen nga vendet e Orientit futen në zonën e Mesdheut dhe ndalojnë në brigjet e Adriatikut. Që këtu drogërat të stivosura nga mafia shqiptare nëpër magazina në brigjet kroate, malazeze dhe ato shqiptare, rinisen sërish, ngarkuar në një shumëllojshmëri mjetesh derisa arrin në destinacion. Më të preferuarat janë mjetet lundruese, por së fundmi mafia shqiptare ka përdorur edhe kompanitë e kamionëve, mjete të lehta fluturuese, deri edhe website të hapur posaçërisht për tregtinë e drogës.
Rasti i Klement Balilit, i cili nga mediat greke u quajt “Escobari i Ballkanit” është rasti i një kapoklani të mafies rajonale që përdori kamionët për të realizuar transport ndërkombëtar të lëndëve narkotike deri në Europën Veriore. Droga fshihej në kamionë që mbartnin ngarkesa për në vende të BE-së. Në fillim kjo metodë rezultoi e suksesshme, por nga informacione të mbledhura nga DEA menjëherë mbërritën oficerët amerikanë që në bashkëpunim me policinë greke ranë në gjurmët e rrjetit. Menjëherë u lajmërua Prokuroria shqiptare, e cila në muajin maj nxorri urdhër arrestin për Klement Balilin, i cili u lajmërua dhe mbrohet nga politika. Madje është politika që me këto veprime tradicionalisht të kryera e ka kthyer Shqipërinë në Kolumbinë e Europës. Të tillë qëndrim qeveria shqiptare mbajti edhe në përdorimin e mjeteve fluturuese, por tradicionalisht për skafistët e vdekjes. Çdo metodë e re ka sukses në fillim, pasi vëmendja kryesore dhe sasia më e madhe e lëndëve narkotike lëviz me mjete lundruese drejt brigjeve pulieze. Edhe këtu është mafia shqiptare që e kontrollon.
Sapo korrierët nisen preferojnë që të arrijnë sa më parë brigjet pulieze, që është bregu më i afërt nga ana gjeografike, e më pas shpërndahet në çdo cep të Italisë. Agjencia e Antidrogës Amerikane, DEA e thotë qartë, se shqiptarët janë të specializuar deri në atë pikë sa mos t’i friksohen distancave për të dorëzuar ngarkesën në destinacion. Operacionet e policisë italiane kanë pranuar se kanë zbuluar se droga udhëton me gomone madje edhe me kanu, në ngarkesa të vogla që kryejnë rrugën Shqipëri deri në Itali.
Megjithatë klanet shqiptare po përdorin edhe metoda të tjera, më të përparuara, për transportin e drogës. Ata përdorin zona të braktisura për të ulur në Pulia mjete fluturues shumë të lehtë të modifikuar posaçërisht brenda për të ngarkuar sasinë më të madhe të mundshme të drogës. Këta avionë ngrihen nga Shqipëria e bëjnë një ndalesë në Salento, ku menjëherë pasi mbushen me karburant, shpërndahen në çdo cep të Italisë, deri në Piemonte e Lombardi. Kjo është zbuluar në një nga më të fundit operacione të policisë italiane.
Mafia shqiptare, e specializuar edhe në tregtinë kibernetike të drogës e në transportin në rrugët Ballkanike, e ka shndërruar Shqipërinë në një ndër prodhuesit më të mëdhenj të marijuanës që “derdhet” përmes të njëjtave mënyra veçanërisht në tregun italian. Edhe prodhimi i marijuanës ashtu si edhe tregtia e hashashit maroken, kokainës Sud Amerikane dhe heroinës nga vendet e Orientit, nëse nuk do të mbështetej nga politika shqiptare nuk do të ekzistonte. Është denoncuar shpeshherë si nga mediat shqiptare dhe aktorë të institucioneve ndërkombëtare se prodhimi i marijuanës në Shqipëri mbrohet personalisht nga ministri Tahiri dhe shefi i tij, lideri suprem, Edi Rama. Në kohën kur lideri suprem ka bllokuar çdo lloj biznesi të ligjshëm tregtia e drogës po lulëzon përmes dhunës dhe agresivitetit të shtetit. Kjo është kriminale, pasi një metodë e tillë ka lënë në varfëri ekstreme shumicën e popullsisë që nuk ja pranon ndërgjegja të merren me të tilla punë, por thjesht presin që kjo juntë mafioze të largohet njëherë e përgjithmonë nga Shqipëria.