Raporti i DASH: Ish-kryeministri Berisha po hetohet për korrupsion pasiv, Ahmetaj i shpëtoi arrestimit duke u arratisur

Në raportin e përvitshëm të Departamentit Amerikan të Shtetit, përmendet edhe hetimi ndaj ish-kryeministrit Sali Berisha dhe hetimi ndaj ish-zv/kryeministrit Arben Ahmetaj.

DASH përmend arrestimet e nivelit të lartë nga SPAK-u dhe dënimet për raste korrupsioni, përfshirë dënimet për korrupsion dhe shpërdorim detyre të ish-ministrit të Mjedisit Lefter Koka dhe ish-sekretarit të tij, Alqi Bllako.

“Në korrik SPAK-u lëshoi një urdhër-arresti ndërkombëtar për ish-zëvendëskryeministrin dhe ministrin e Financave (dhe deputet i Partisë Socialiste) Arben Ahmetaj. Ai u largua nga vendi pasi parlamenti pranoi kërkesën e SPAK-ut për heqjen e imunitetit të Ahmetajt që ai të mund të arrestohej me akuzat për korrupsion, pastrim parash dhe fshehje pasurie”, thuhet në raport.

Në raport përmendet gjithashtu rasti i ish-kryeministrit Sali Berisha.

“Në tetor, SPAK njoftoi se po hetonte zyrtarisht ish-kryeministrin Sali Berisha për korrupsion pasiv lidhur me një marrëveshje toke nga e cila dhëndri i tij përfitoi rreth 5 milionë dollarë. SPAK arrestoi dhëndrin e Berishës, urdhëroi Berishën të paraqitej rregullisht në policinë gjyqësore dhe i ndaloi daljen nga vendi”, thotë DASH-i.

Artikulli paraprakDASH: Problemet në presionet ndaj gjyqësorit dhe medias, korrupsioni, ndërhyrja e politikës, shqetësimet kryesore për Shqipërinë
Artikulli tjetërBasha në “Zona 0”: Askush nuk ka përfituar politikisht nga Edi Rama në këto 11 vite më shumë sesa Ilir Meta