Jorida TABAKU
Ndërkohë që vendi lëngon në thatësirën ekonomike dhe të investimeve të huaja, raporti i fundit i Departamentit Amerikan të Shtetit raporton arsyet se përse ne vuajmë. Në raport shkruhet se shkaqet janë korrupsioni, presioni politik për kontraktorët, ndryshimi i shpeshtë dhe i pakonsultuar i ligjeve, kalimi i ligjeve klienteliste.
Raporti citon problemet që po has Shqipëria me projektet PPP që në shumicën e rasteve janë të pastudiuara dhe jo të konsultuara siç duhet. Një tjetër pikë e rëndësishme është edhe e drejta e pronës, në raport thuhet se pronarët nuk marrin pronat e tyre të tjetërsuara nga regjimi komunist. Ndërkohë që citon që edhe shumë shqiptaro-amerikanë nuk i marrin dot pronat apo dëmshpërblimet për pronat e sekuestruara nga regjimi komunist. Shumë prej investorëve amerikanë janë larguar nga Shqipëria si pasojë e këtyre problemeve jetike për biznesin dhe investitorët.
DASH përmend se qeveria Shqiptare miraton shpesh ligje të vështira në interpretim ashtu që ajo të ketë mundësi për të larguar bizneset duke favorizuar ato që i interesojnë asaj. Njëkohësisht bizneset e huaja citojnë se qeveria ndërhyn tek ato për të detyruar që të ndërmarrin nënkontraktor të caktuar të lidhur me qeverinë.
Megjithëse këto tema janë prekur vazhdimisht nga opozita, qeveria ka këmbëngulur që të paraqesë një realitet tjetër. Kryeministri krenohet për rritjen e investimeve të huaja ndërsa raporti i DASH nënvizon se Shqipëria është vendi më i korruptuar në Ballkanin Perëndimor. Një përshkrim shumë i saktë për qeverinë Rama e cila vazhdon të këmbëngulë në rrugën e gabuar ekonomike.
Raporti është një këmbanë alarmi drejtuar një qeverie dhe mazhorance që ka vendosur t’i shkojë deri në fund rrugës së verbër të koncesioneve klienteliste, tenderave për oligarkët dhe thatësirës së IHD-ve. Sado ligje gjoja pro-investitorë të votojë kjo mazhorancë, fryma anti-biznes e kësaj qeverie do të jetë përherë pengesë dhe barrierë për investitorët e huaj në Shqipëri. Nga shtatori 2013 në Shqipëri nuk ka ardhur asnjë investim i huaj direkt, kryeministri Rama dhe gjithë ministrat e tij janë krenuar me atë çfarë trashëguan nga qeverisja demokratike.
Opozita zotohet që do të zhbëjë këtë mentalitet anti-biznes, që sulmon investitorin e huaj. Premtimi jonë nuk është vetëm ulja e taksave por edhe krijimi i gjithë kushteve politiko-ekonomike në favor të IHD-ve, për të rikthyer Shqipërinë në një konkurente të denjë në rajon.
Pjesë nga raporti
Raporti i fundit i Departamentit Amerikan të Shtetit për “Klimën e Investimeve për 2019-ën” publikuar këtë të enjte është një shuplakë e fortë për qeverinë shqiptare. Qeveria amerikane e sheh me shqetësim situatën ekonomike në vend duke ngritur si shqetësime kryesore korrupsionin, mungesën e transparencës në tendera, zbatimin e dobët të kontratave si dhe peripecitë që heqin investitorët e huaj në Shqipëri të cilët e thonë troç se “Shqipëria është një vend i vështirë për të bërë biznes”.
“Investitorët e huaj përmendin korrupsionin, veçanërisht në gjyqësor, mungesën e transparencës në prokurimin publik dhe zbatimin e dobët të kontratave si probleme të vazhdueshme në Shqipëri. Zbatimi i reformës në gjyqësor është duke u vijuar, duke përfshirë edhe verifikimin e pasurive të pashpjegueshme të gjyqtarëve dhe prokurorëve.
Teksa gjyqtarë dhe prokurorë të shumtë janë shkarkuar nga një komision verifikimi për pasuri të pashpjegueshme ose lidhje të krimit të organizuar, investitorët e huaj e perceptojnë si një problem klimën e investimeve dhe thonë se Shqipëria mbetet një vend i vështirë për të bërë biznes” – citon lapsi.al në raportin e DASH.
Një tjetër kritikë e fortë e Departamentit Amerikan të Shtetit për qeverinë shqiptare është mënyra si ajo i lexon ligjet.
“Investitorët raportojnë shqetësimet e vazhdueshme si autoritetet përdorin ligjin dhe rregulloret e vështira për t’u interpretuar dhe jo konsistente, si mjete për të mënjanuar investitorët e huaj dhe për të favorizuar kompanitë e lidhura me politikën.
Rregulloret dhe ligjet që rregullojnë veprimtarinë e biznesit ndryshojnë shpesh dhe pa konsultime kuptimplota me komunitetin e biznesit. Pronarët e bizneseve dhe shoqatat e biznesit shpesh theksojnë se nuk kanë marrë njoftim, kohë ose mundësi të mjaftueshme për angazhim në ndryshimet rregullatore dhe legjislative” – thuhet në raportin e DASH që më pas citon se investitorët e huaj janë edhe nën presionin e politikës.
“Investitorët e mëdhenj të huaj raportojnë presion për të punësuar nënkontraktorë të lidhur me politika specifike dhe shprehin shqetësimin rreth përputhshmërisë me Aktin e Praktikave të Korruptimeve të Huaja gjatë operimit në Shqipëri” – citon lapsi.al raportin e DASH.
Raporti i Departamentit Amerikan të Shtetit u jep një tjetër goditje prokurimeve të bëra nga qeveria që i quan korruptive ndërsa PPP-të sipas saj kanë hequr konkurrencën.
“Raportet e korrupsionit në prokurimet e qeverisë janë të zakonshme. Përdorimi në rritje i kontratave të Partneritetit Publik Privat (PPP) ka ngushtuar mundësitë për konkurrencë, në infrastrukturë dhe sektorë të tjerë duke përfshirë edhe investitorët e huaj.
Analizat e dobëta kosto-përfitim dhe mungesa e ekspertizës teknike në hartimin dhe monitorimin e kontratave PPP janë shqetësime të vazhdueshme. Qeveria kishte nënshkruar më shumë se 200 kontrata PPP deri në fund të vitit 2018” – shkruan DASH, citon lapsi.al.
“Të drejtat e pronës mbeten një sfidë tjetër në Shqipëri, pasi titujt e qartë është të pronësisë janë të vështirë për t’u marrë. Ka pasur raste të individëve që manipulojnë sistemin gjyqësor për të marrë tituj të paligjshëm të tokës. Kompensimi për tokën e konfiskuar nga regjimi i mëparshëm komunist është i vështirë të arrihet dhe joadekuat.
Agjencia e ngarkuar me heqjen e ndërtesave të ndërtuara në mënyrë të paligjshme shpesh vepron pa konsultime të plota dhe nuk ndjek procedurat” – shkruan DASH që vijon me të tjera kritika të forta për zvarritjet në krijimin e Zonave të Lira Ekonomike.
“Qeveria miratoi legjislacionin që krijon fusha të zhvillimit ekonomik teknik (TEDA), si zona të tregtisë së lirë. Zhvillimi i TEDA-s së parë, në Spitalle, Durrës, iu dha një konsorciumi të kompanive lokale në gusht 2017, por vetëm pasi tenderi dështoi tre herë.
Zhvillimi i TEDA ende nuk ka filluar, pasi një nga ofertuesit ka kundërshtuar vendimin në gjykatë” – shkruan DASH që në fund citon raportin e Transparency International i Perceptimit të Korrupsionit 2018 që renditi Shqipërinë në vendin e 99-të në 180 vende me një rënie prej 8 vende nga viti 2017.
“Rrjedhimisht, Shqipëria tani perceptohet si vendi më i korruptuar në Ballkanin Perëndimor. Ndërkohë që është përmirësuar nga dy vende, deri në 63, në sondazhin e Bankës Botërore “Doing Business” të vitit 2019, Shqipëria vazhdoi të shënojë dobët në fushat e zbatimit të kontratave, regjistrimit të pronës, dhënies së lejeve të ndërtimit dhe sigurimit të energjisë elektrike” – citon lapsi.al raportin e Departamentit Amerikan të Shtetit.