Planet për reforma strukturore të Ballkanit Perëndimor ndryshojnë në aspektin e ambicieve dhe në fushëveprimin që kanë, por të gjitha vendet e angazhuara në procesin e zgjerimit po ndërmarrin reforma që kanë të bëjnë me sundimin e ligjit dhe të tjera që kanë të bëjnë administratën publike, menaxhimin financiar dhe luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Komisioni Europian vlerëson se përparimi në këto reforma është thelbësor për të përmirësuar klimën e biznesit dhe te investimeve. Raporti thekson se ka një barrë të tepërt rregullatorë, në mënyrë të veçantë në Shqipëri dhe Bosnjë-Hercegovinë. Këto dy vende vuajnë nga pasiguria legjislative me ndryshime të shpeshta dhe jo-transparente ligjore. Ballkani Perëndimor ndan shumë pengesa strukturore për krijimin e kushteve për funksionin e plotë të ekonomisë së tregut. Qasja e dobët në financa ka një efekt të madh negativ në zhvillimin e ekonomive. Ndërhyrja e tepërt nga shteti është ende një problem në Serbi, Bosnjë e Hercegovinë dhe ish-Republiken Jugosllave e Maqedonisë, ku skemat jo-transparente të ndihmës shtetërore dhe akuzat në përzgjedhjen e operatorëve ekonomikë ndikojnë në zhvillimin e sektorit privat. Ekonomia informale është e përhapur në të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor dhe më e theksuar në Kosovë. Bujqësia ka një potencial të rëndësishëm në të gjitha vendet e rajonit. Megjithatë, fragmentimi, të drejtat e paqarta të pronësisë dhe sistemet e pazhvilluara të ujitjes mbeten pengesa të mëdha. Gjithashtu përdorimi i teknologjive të vjetruara ul produktivitetin e sektorit në të gjithë rajonin. Në të gjitha këto vende, niveli i investimeve të sektorit publik dhe privat në kërkimin shkencor, zhvillimin dhe inovacionin është shumë e ulët dhe shumë më poshtë nivelit të nevojshem për të mundësuar ekonomitë të lëvizin deri shkallët e larta të zinxhirit të vlerës. Disa nga programet e reformës ekonomike kanë theksuar shumë qartë nevojën për infrastrukturë në shkallë të gjerë, në veçanti në transport, duke i kushtuar shumë pak vëmendje reformave të tregut për të kapërcyer dobësitë strukturore. Kjo preferencë ndaj infrastrukturës është pasqyruar në alokimet e buxhetit, për shkak se edhe funksionimi më i mirë infrastrukturës është i rëndësishëm për të rritur konkurrencën dhe për të tërhequr investime në një shkallë të gjerë. Në këtë kuadër investimet publike duhet të jetë subjekt i prioritizimit i bazuar në kosto-përfitim dhe analiza dhe duhet të marrin parasysh kostot oportune të moszbatimit të reformave të tjera të nevojshme, rekomandon KE. Komisioni Eropian referon se, prioritizimi i investimeve bazuar në një analizë të rezultateve mungon ose është i dobët në shumicën e vendeve edhe për investimet e shtrenjta publike. Një proces i tillë i prioritizimit duhet të marrë parasysh ndikimin e konkurrencës, rritjen dhe krijimin e vendeve të punës, të jetë transparent dhe subjekt i shqyrtimit nga palët e interesuara. KE vëren se është e rëndësishme që investimet në infrastrukturë të jenë në përputhje me axhendën e rënë dakord në procesin e Berlinit. Liberalizimi i tregjeve të energjisë mbetet një sfidë kyçe dhe kjo është veçanërisht e rëndësishme në Shqipëri, Serbi dhe Bosnje. Së bashku me humbjet e energjisë mungesa e hapjes së tregut mban çmimet të larta të energjisë. Investimet në infrastrukturën e energjisë janë të rëndësishme dhe duhet të plotësohen me masa për rritjen e efiçiencës së energjisë. Performanca e dobët e tregut të punës është një emërues i përbashkët në të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor, me nivele veçanërisht alarmante në Kosovë dhe Bosnje-Hercegovinë. Në Bosnjë, Shqipëri dhe Malin i Zi tregu i punës është dekurajuar nga remitancat. Pabarazitë e forta në tregun e punës gjithashtu theksojnë nevojën për të përmirësuar cilësinë e sistemeve të arsimit në Ballkanin Perëndimor, në mënyrë të veçantë për të lidhur më mirë aftësitë me nevojat e tregut të punës. Kjo kërkon reforma të mëtejshme të sistemit të arsimit në të gjitha nivelet, përtej fokusit aktual. Cilësia e dobët dhe rezultatet e arsimit bazë vënë në rrezik perspektivat e ardhshme të punësimit, por do të kenë efekte më të gjera mbi gjendjen ekonomike dhe sociale të popullsisë.