Kryetari i Partisë Demokratike-Demokratët Euroatlantikë, Lulzim Basha, ka reaguar pas publikimit të raportit të OECD mbi gjendjen shëndetësore në Europë. Sipas tij, raporti thekson mungesën serioze të investimeve në shëndetësinë shqiptare, duke lënë qytetarët me shpenzime të larta nga xhepi dhe një sistem të dobët shërbimesh.
Basha akuzon qeverinë Rama për dështim total në përmbushjen e premtimeve për shëndetësi falas, ndërsa thekson se buxheti publik shkon për koncesione korruptive. Ai më tej thotë se programi i Demokratëve Euroatlantikë, parashikon një rikonceptim të mirëstudiuar të shërbimit shëndetësor, për ta bërë atë sipas nevojës së qytetarëve, jo sipas xhepit i cili përfshin:
• Kartën e sigurimit shëndetësor për trajtim pa pagesa shtesë.
• Anulimin e PPP-ve të panevojshme dhe rritjen e buxhetit për rimbursime.
• Investime në teknologjinë dixhitale dhe luftë ndaj barnave jocilësore.
“Shqipëria meriton një shëndetësi moderne, ku qytetarët trajtohen me dinjitet dhe siguri,” përfundon Basha, duke kërkuar votën e qytetarëve më 11 maj për një ndryshim rrënjësor.
Postimi i plotë i Bashës:
Raporti i OECD mbi gjendjen shëndetësore në Europë, tregon një mungesë serioze të investimeve në shëndetësinë shqiptare, që prek drejtpërdrejt cilësinë e kujdesit shëndetësor dhe mirëqenien e qytetarëve. Me shpenzime për frymë pothuajse 5 herë më të ulëta se mesatarja e BE-së , Shqipëria përballet me sfida madhore si mungesa e pajisjeve moderne, infrastruktura e pamjaftueshme dhe burimet njerëzore të kufizuara në sektorin e shëndetësisë.
Situata dramatike në shëndetësi, është pasojë e dështimin total të Edi Ramës, i cili premtoi shëndetësi falas, por sot qytetarët paguajnë 60% të shpenzimeve nga xhepi, ndërsa paratë e buxhetit shkojnë për koncesione klienteliste dhe korruptive, sikurse dëshmojnë hetimet e SPAK.
Ky raport është një tjetër thirrje për një ndryshim rrënjësor, që mund të nisë vetëm me votën tuaj më 11 maj ️, për të lënë pas një që punon vetëm për vete, nuk ka interes shëndetin e qytetarëve.
Programi i Demokratëve Euroatlantikë parashikon një rikonceptim të mirëstudiuar të shërbimit shëndetësor, për ta bërë atë sipas nevojës së qytetarëve, jo sipas xhepit:
✅ Zbatojmë parimin “paraja ndjek pacientin”, duke i dhënë çdo shqiptari kartën e sigurimit shëndetësor, me të cilën mund të zgjedhë ku dhe si të trajtohet (publik apo privat) pa pagesa shtesë;
✅ Forcojmë skemën e sigurimeve shëndetësore, kalojmë nga pagues i vetëm në disa pagues;
✅ Rrisim buxhetin për shëndetësinë, ku 50% më shumë shkojnë në rimbursim dhe motivimin e personelit mjekësor;
✅ Anullojmë PPP-të e panevojshme, që zhvasin milionat e taksapaguesve;
✅ Krijojmë Agjencinë Kombëtare të Llogarive Shëndetësore për kontroll shpenzimesh në sektorin publik dhe privat;
✅ Investojmë në teknologjinë dixhitale, si kartelën elektronike, e cila i mundëson pacientit trajtim kudo dëshiron, duke pasur historikun mjekësor me vete;
✅ Përmirësojmë paketën bazë të sigurimeve shëndetësore, me rimbursim sipas diagnozës, në mënyrë që asnjë pacient të mos mbetet pa mjekim për shkak të mungesës së barnave në lista;
✅ Luftojmë barnat jocilësore dhe mafian e barnave, duke siguruar medikamente bashkëkohore e të sigurta për çdo qytetar.
Me angazhimin dhe mbështetjen tuaj mund të ndërtojmë një shëndetësi moderne, ku dinjiteti e jetesa e secilit janë vërtet të mbrojtura.
Shqipëria meriton më shumë